Këshilltari i Veselit: PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosja as LDK-ja, por vetë PDK-ja

Këshilltari i Veselit: PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosja as LDK-ja, por vetë PDK-ja

Aktuale tetor 10, 2019 - 13:27
Detajet

Këshilltari i Kadri Veselit, i cili ishte edhe kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka lëshuar akuza të forta kundrejt disa personave brenda PDK-së për vjedhje të votave në zgjedhjet e gjashtë tetorit, por duke mos përmënuar emra.

Latifi përmes një postimi  në Facebook ka shkruar se PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosja, e as LDK-ja, PDK- në e ka mundur PDK-ja, siç tha ai, lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, i vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj (Kadri Veseli), sipas tij ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”.

Latifti po ashtu ka thënë se me dhimbshmja ka qenë kur ka parë, siç thotë ai, mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, “ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera”. Duke shtuar se aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike.

Postimi i plotë i Latifit:

PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta. I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”.

Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike. Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

Në fund dua t’i falenderoj nga zemra votuesit e mi në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën. Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen dhe të mbështeten.