Lista Serbe: Asnjë qeveri kosovare nuk mund të bëhet pa Listën
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe: Asnjë qeveri kosovare nuk mund të bëhet pa Listën

Aktuale October 09, 2019 - 08:05
Detajet
Image

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, u ka thënë medeve serbe se asnjë qeveri kosovare nuk mund të bëhet pa Listën Serbe. Vulini i quan “siptari” Albin Kurtin dhe shqiptarët e Kosovës, ndërsa drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, porositi Kurtin se “nuk do të ketë as Shqipëri të Madhe e as shtet të pavarur të Kosovës”. Kurti: Në Qeverinë time do të jetë një serb, por jo nga Lista Serbe, shkruan sot gazeta Zëri.

Krerë të Listës Serbe, e cila ka fituar të 10 mandatet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës, si dhe zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë janë alarmuar nga deklarimet e fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti (LVV), i cili ka siguruar se në Qeverinë e tij do të ketë edhe serbë, por asnjë nga Lista Serbe.

Sipas Kurtit, Lista Serbe është faktikisht shteti i Serbisë dhe për këtë arsye edhe nuk mund të jetë në Qeverinë e tij asnjë anëtar i Listës Serbe.

I pari që ka reaguar ashpër është nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, i cili u ka thënë medieve serbe se nëse Kurti dëshiron të formojë qeveri legjitime, atëherë duhet të trokasë në derën e Listës Serbe.

“Pa konsultime me Listën Serbe është e pamundur formimi i Qeverisë kosovare. Është shumë me rëndësi që kemi fituar të gjitha 10 ulëset në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë mënyrë nuk u kemi lënë hapësirë liderëve shqiptarë që të tregtojnë me ata të cilët diku janë interesi i popullit serb në Kosovë. Kurti ka thënë se në qeverinë e tij do të ketë serbë, por jo përfaqësues të Listës Serbe, sepse ajo nuk është parti, veçse përfaqëson shtetin e Serbisë. Ai flet atë që dëshiron, por tjetër është çfarë serbët dëshirojnë e diçka tjetër thonë ligjet. Në Nenin 96 të Kushtetutës thuhet se përfaqësuesi i serbëve në Qeverinë e Kosovës është ai i cili do të zgjedhjet me shumicën e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, këtu nuk ka diskutim”, ka thënë ai.

Më i ashpër në prononcimin e tij ka qenë drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili ka siguruar se programi i Kurtit përbën krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe “fshirjen” e serbëve dhe të Serbisë.

“Kurti është e mundur të mos jetë kryeministër i shtetit të vetëshpallur, por me lehtësi do të mundë ta marrë titullin e baronit kosovar Minhauzen. Kurti shtiret si demokrat dhe nuk e di që 10 janë gjithmonë më shumë se 0. Ai nuk dëshiron të bisedojë me përfaqësuesit e serbëve të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ai dëshiron të bisedojë me ata që kanë fituar 0,08 për qind të votave, ndërsa nuk dëshiron t’i dëgjojë ata që kanë fituar 98 për qind të votave. Nuk ka Shqipëri të Madhe të Kurtit dhe nuk do të ketë kurrë. Nuk do të ketë as Kosovë të pavarur”, ka thënë Gjuriqi, i cili ka shtuar se “Kurti nuk dëshiron të bisedojë me përfaqësuesit e zgjedhur të një popullit të tërë, i dyti për nga madhësia në krahinën në të cilën jeton dhe i pari për nga numri në shtetin (Serbia), qytetar i të cilit është”.

Ai është shprehur se Kurti gjithë jetën e tij bën luftë për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe se gjithmonë lufton kundër Serbisë dhe interesave serbe.

“Bëhet fjalë për njeriun që urren presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa e do Enver Hoxhën dhe që ka fyer anëtaret femra të familjes së Vuçiqit”, ka vlerësuar Gjuriqi.

Me një fjalor tejet fyes për shqiptarët dhe për Albin Kurtin ka dalë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, të cilit vazhdimisht i është ndaluar hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave të tij shoviniste.

Ai ka vlerësuar se Albin Kurti tërë jetën ia ka kushtuar krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe urrejtjes ndaj serbëve.

“Ai nuk i dëshiron serbët e Listës Serbe në Qeveri, por opozitarët e Dragan Gjillasit. Ai i dëshiron në Qeveri serbët privatë, ata të cilët janë të mirë vetëm për të dhe Gjillasin. Është një njeri që ka fyer vajzën e mitur të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shumë më fundërrina se ai janë serbët në Beograd, të cilët përpiqen ta paraqesin Kurtin si njeri të ri. Ai (Kurti) që ka fyer vajzën presidentit Vuçiq i urren serbët vetëm për faktin se ata ekzistojnë, ai e dëshiron gjithë Kosovën pa serbë. Nuk dëshiron të bisedojë, përveç për pavarësinë. Nëse është ashtu, atëherë mund të përshëndetet me pavarësinë, sepse nuk do ta pres”, ka thënë mes të tjerash ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës (TV Most, RKP).

Albin Kurti, lider i LVV-së, ka deklaruar për televizionin “H1” se në Qeverinë e ardhshme të tij do të jetë një serb, por jo nga Lista Serbe.

“Do të bisedojmë me serbët, por jo me Listën Serbe, sepse ajo nuk është parti, por shtet. Kushtetuta jonë thotë se duhet të jetë të paktën një ministër nga komuniteti serb në Qeverinë tonë, por nuk thotë se ai duhet të jetë nga Lista Serbe. Do të thotë ne do t’i fokusojmë prioritetet tona te pakicat si komunitet e jo si parti”, ka thënë Kurti, përcjell “TV Most”-i.

Duke folur për dialogun, Kurti ka thënë se atë duhet përgatitur mirë dhe se duhet shikuar 33 marrëveshjet e arritura në Bruksel nga viti 2011 deri në vitin 2017, çka janë zbatuar e që nuk janë zbatuar.

Kurti ka thënë gjithashtu se do ta heqë taksen sepse nuk është politikë e tij, por që angazhohet për reciprocitet të plotë në të gjitha fushat.

Siç shkruajnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, Kurti ka thënë se procedurat rreth formimit të Qeverisë së re do të marrin kohë, sepse “shpallja zyrtare e rezultateve nuk është e mundur derisa të numërohen të gjitha votat që janë dërguar me postë dhe me ato me kusht”.