Xhaferi: Zgjedhjet e parakohshme askujt nuk i shkojnë për shtati

Xhaferi: Zgjedhjet e parakohshme askujt nuk i shkojnë për shtati

Aktuale September 22, 2019 - 16:17
DETAJET

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë asnjë zgjidhje dhe askujt nuk i nevojiten. Kështu ka thënë në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Ai vlerëson se zgjedhjet në mënyrë plotësuese mund të komplikojnë raportet politike dhe situatën në vend.

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për arsye se të gjithë duhet të koncentrohemi në përcaktimin e deklaruar strategjik i verifikuar me të gjitha procedurat dhe aktet në Parlament dhe institucionet tjera, gjegjësisht ta rrumbullakojmë procesin para qasës në BE dhe NATO. Në raport me NATO-në situata është më e përshtatshme dhe nëse një anëtare e NATO-s i përfundon procedurat për arsye se ka mospajtime të brendshme, dhe nëse arrijnë ti përfundon, procedura e anëtarësimit në NATO do të përfundon deri në muajin dhjetor. Më pas pritet të fillojnë bisedimet me BE, pasi që kjo nuk do të thotë anëtarësim të menjëhershëm, por hapjen e kapitujve një nga një, ky është një proces i gjatë, por në raport me integrimet në këtë moment me rëndësi është që të merret data dhe të filloi ky proces”, thotë kryeparlamentari Xhaferi.

Përndryshe, çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishte edhe një nga pikat për të cilat kanë biseduar edhe liderët e dy partive më të mëdha në vend Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski në takimin e tyre të fundit.

Kohë më parë partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në muajin prill ose maj vitin e ardhshëm. Kryeministri, Zoran Zaev kësaj kërkese të opozitës ju përgjigj se zgjedhje të parakohshme siç kërkon opozita nuk do të ketë. Ai theksoi se tani është koha për rezultate ekonomike, ndërsa nëse shkohet në zgjedhje të shpejta, siç është deklaruar ai, rezultatet do të pamundësohen.

“Mbetemi në qëndrimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet e shpejta parlamentare kemi parë se deri ku e sollën shtetin. Nëse donim të shkonim në zgjedhje të parakohshme ato do ti shpallnim së bashku me zgjedhjet presidenciale. Zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen në dhjetor të vitit 2020, unë nuk kam problem që të njëjtat të mbahen edhe në tetor të vitit të ardhshëm”, patë deklaruar kryeministri Zaev./koha.mk/