Lajm i mirë për qytetarët e Prishtinës

Lajm i mirë për qytetarët e Prishtinës

Aktuale September 21, 2019 - 23:32
Detajet

Sot gjatë tërë ditës qytetarët e disa lagjeve në Prishtinë kanë pasur probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. E kjo ka bërë që ekipet e KRU “Prishtina” të dalin në vendin e ngjarjes për sanimin e gjendjes.

E për këtë, Express ka kontaktuar zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjekun.

Ajo ka sqaruar se kompanitë private të papërgjegjshme kanë dëmtuar tubet e ujit dhe kjo ka bërë që pasojat t’i bartin qytetarët e kryeqytetit.

Por kur do të rikthehet uji për qytetarët? Mjeku ka treguar se uji do të rikthehet sot para mesnatës.

“Po punohet që uji të rikthehet në orën 23:15 dhe do të stabilizohet gjendja” tha Mjeku duke shtuar se ekipet e KRU “Prishtina” do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren për shkak që të kujdesen nga kompanitë private të mos ta bëjnë të njëjtin dëmtim.

KRU “Prishtina” gjithashtu përmes një njoftimi ka thënë se ekipet e mirëmbajtjes edhe në orët e vona po punojnë për sanimin e plotë të gjendjes dhe rregullimin e problemeve.

“Ekipet e mirëmbajtjes edhe në këto orë të vona po vazhdojnë në sanimin e plotë të gjendjes në fshatin Hajvali. Sanimi po vazhdon, pasi që kur është dëmtuar tubi fi 200 mm, më pas problemi  është zhvendosë në pjesë të poshtme të gypit dhe ka dëmtuar disa valvola” thuhet në njoftim.

Ndërsa KRU “Prishtina” gjithashtu i ka kërkuar falje qytetarëve për gjendjen e krijuar nga kompanitë private.

“Kërkojmë ndjesë për gjendjen e krijuar dhe kjo çka po ndodhë kohëve të fundit , dëmtimi i gypave të ujit nga kompani private është për keqardhje. Dëmtimet përveç që po e dëmtojnë infrastrukturën tonë, kjo barrë po bie direkt mbi konsumatorin tanë” thuhet në njoftim.