12 ministritë që parashihet të mbesin

12 ministritë që parashihet të mbesin

Aktuale September 21, 2019 - 13:13
Detajet

Përgjysmimi i numrit të ministrive po vazhdon të jetë premtim i partive politike tash e disa vjet me radhë. Ndonëse deri më tash një gjë e tillë ka mbetur vetëm zotim i politikanëve, LDK-ja dhe LVV-ja kanë ritheksuar së fundi se do ta realizojnë një plan të tillë posa të vijnë në pushtet. Ani pse tashmë ekziston një draftligj për Qeverinë, përfaqësuesit e shoqërisë civile mbeten skeptikë për jetësimin e këtij opsioni, shkruan gazeta "Zëri".

Ish-deputeti Driton Selmanaj ka thënë se LDK-ja synon që disa ministri, siç është ajo e Punëve të Jashtme, e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane, t’i bashkojë në një ministri të vetme. Gjithashtu Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Financave sipas tij nuk ka arsye që të funksionojnë si dy dikastere të ndara.

Një gjë e tillë sipas Albulena Haxhiut, nga LVV-ja nuk ka ndodhur deri sot vetëm për shkak të pazareve dhe përfshirjes së numrit të madh të partive politike në qeverisje, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkaq Besnik Tahiri ka thënë se propozimi ka qenë që si dikastere qeveritare të mbesin: Ministria e Financave, ajo e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, ajo e Administratës Publike dhe e Qeverisjes Vendore, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, ajo e Tregtisë, Industrisë dhe Punës, Ministria e Transportit, Energjetikës dhe Komunikimit, Ministria e Bujqësisë, ajo e Mjedisit, Zhvillimit Rajonal dhe Komuniteteve, ajo e Arsimit, Inovacionit, Kulturës dhe Sporteve, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale./ZËRI