Përgjysmimi i Qeverisë, zotim i kamotshëm elektoral
Foto: Laura Hasani

Përgjysmimi i Qeverisë, zotim i kamotshëm elektoral

Aktuale September 21, 2019 - 07:59
Detajet
Image

Përgjysmimi i numrit të ministrive po vazhdon të jetë premtim i partive politike tash e disa vjet me radhë. Ndonëse deri më tash një gjë e tillë ka mbetur vetëm zotim i politikanëve, LDK-ja dhe LVV-ja kanë ritheksuar së fundi se do ta realizojnë një plan të tillë posa të vijnë në pushtet. Ani pse tashmë ekziston një draftligj për Qeverinë, përfaqësuesit e shoqërisë civile mbeten skeptikë për jetësimin e këtij opsioni, shkruan gazeta "Zëri".

Në kuadër të premtimeve parazgjedhore partitë politike kanë nisur të zotohen se do ta zvogëlojnë numrin e ministrive nga 21 sa janë aktualisht në 12 sosh. Dy partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë, LDK-ja e LVV-ja, po deklarohen të bindura se ndër veprimet e para që do t’i ndërmarrin, në rast se vijnë në pushtet, do të jetë pikërisht ky hap, zvogëlimi i numrit të dikastereve qeveritare. Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë në largim, të cilët kanë drejtuar Komisionin për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, kanë thënë se opsioni për funksionimin e Qeverisë me 12 dikastere është propozim i tyre.

Në kuadër të kësaj, ata kanë pohuar se Projektligji për Qeverinë është zgjidhja e plotë e parimeve dhe kufizimeve të qeverisë dhe kulmi i reformës në administratën publike. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile mbeten skeptikë nëse një gjë e tillë do të realizohet, ndonëse sipas tyre Qeveria e ardhshme do të duhej që menjëherë ta miratonte projektligjin e hartuar për qeverinë dhe ta rregullonte çështjen në fjalë. Në anën tjetër, premtime për zvogëlim të numrit të ministrive ishin bërë edhe gjatë dy qeverive të kaluara, të udhëhequra nga ish-kryeministri Isa Mustafa dhe nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

LDK e LVV: Të jenë vetëm 12 ministri, asnjë më shumë

Kandidati i LDK-së për deputet, Driton Selmanaj, ka thënë se LDK-ja pos që do ta zvogëlojë numrin e ministrive, do t’i shuajë edhe pozitat e koordinatorëve nacionalë. “Si LDK kemi një plan konkret. Kemi ardhur në përfundim që definitivisht duhet ta zvogëlojmë kabinetin qeveritar. Qeveria nuk duhet të ketë më shumë se 12 ministri. Nuk do të ndalemi me kaq, por do t’i shuajmë edhe pozitat e koordinatorëve nacionalë”, ka deklaruar ai.

Gjatë një prononcimi për gazetën Selmanaj ka thënë se LDK-ja do t’i rishikojë edhe agjencitë e pavarura, gjegjësisht numrin dhe funksionalitetin e tyre. Tërë këto, siç ai është shprehur, janë në funksion të kursimeve që qeveria e LDK-së do t’i bëjë.

Teksa ka folur për zotimin e LVV-së për zvogëlimin e numrit të dikastereve qeveritare në 12, kandidatja e Vetëvendosjes për deputete, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky subjekt dallon vetëm në një aspekt nga partitë e tjera. “Çështja që e bën dallimin ndërmjet LVV-së dhe subjekteve tjera është pikërisht për shkak se të gjitha partitë e tjera që kanë qenë në pushtet premtimet të cilat i kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore i kanë shkelur me të dyja këmbët sapo kanë marrë drejtimin e qeverisjes”, ka deklaruar ajo.

Ndaj në momentin që LVV-ja vjen në pushtet Haxhiu ka thënë se ndër veprimet e para që do t’i ndërmarrë do të jetë zvogëlimi i numrit të ministrive.

Projektligji për Qeverinë, zgjidhje e kufizimeve të Qeverisë

Menjëherë pas këtyre deklarimeve ka reaguar Besnik Tahiri, i cili gjatë qeverisjes “Haradinaj” ka qenë kryesues i Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë. Me këtë rast Tahiri ka thënë se Projektligji, përveç vendimmarrjes për shkrirje të ministrive, merr parasysh politikat kyçe në kuadrin e organizimit të ri, duke vendosur zëvendësministra me portofol për fushëveprime të caktuara.

Teksa ka treguar propozimin për zvogëlimin e numrit të ministrive, Tahiri ka thënë se ata që po flasin janë të njëjtit që nuk e kanë miratuar pakon e reformës së administratës publike. “Projektligji për Qeverinë është zgjidhja e plotë e parimeve dhe e kufizimeve të qeverisë e kulmi i reformës në administratën publike. Të mos harrojmë, janë këta të njëjtit që për gati 10 vjet nuk e miratuan pakon e reformës së administratës publike. Madje as nuk e votuan kur ne e sollëm në Kuvend”, ka shtuar Tahiri, i cili është kandidat për deputet nga AAK-ja.

Por ditëve të fundit kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se për shkak të rrethanave nuk mund të premtojë se do ta zvogëlojë numrin e ministrive.

12 ministritë që parashihet të mbesin

Ish-deputeti Driton Selmanaj ka thënë se LDK-ja synon që disa ministri, siç është ajo e Punëve të Jashtme, e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane, t’i bashkojë në një ministri të vetme. Gjithashtu Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Financave sipas tij nuk ka arsye që të funksionojnë si dy dikastere të ndara.

Një gjë e tillë sipas Albulena Haxhiut, nga LVV-ja nuk ka ndodhur deri sot vetëm për shkak të pazareve dhe përfshirjes së numrit të madh të partive politike në qeverisje.

Ndërkaq Besnik Tahiri ka thënë se propozimi ka qenë që si dikastere qeveritare të mbesin: Ministria e Financave, ajo e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, ajo e Administratës Publike dhe e Qeverisjes Vendore, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, ajo e Tregtisë, Industrisë dhe Punës, Ministria e Transportit, Energjetikës dhe Komunikimit, Ministria e Bujqësisë, ajo e Mjedisit, Zhvillimit Rajonal dhe Komuniteteve, ajo e Arsimit, Inovacionit, Kulturës dhe Sporteve, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Skepticizëm për zvogëlimin e numrit të dikastereve

Ndonëse është hartuar Projektligji për Qeverinë, ku është paraparë zvogëlimi i numrit të ministrive, Arbëresha Loxha, drejtore ekzekutive e Grupit për Studime Juridike (GLPS), ka thënë se ratifikimi dhe zbatimi i tij pritet të dëshmohet nga vetë partitë politike pasi të vijnë në pushtet. “Ne i kemi kontribuar procesit të hartimit të atij ligji. Por mbetet ta dëshmojnë këtë në momentin që krijohet qeveria, sepse ligji është i gatshëm, thjesht duhet proceduar në Kuvend, natyrisht nëse nuk ka ndryshuar ai ligj që ne e kemi parë”, ka deklaruar Loxha, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se përbërjen e qeverisë e determinon madhësia e koalicionit. Ndaj sipas tij Projektligji për Qeverinë me qëllim nuk është miratuar deri tash. “Zakonisht ka ndodhur që sa më i madh të jetë koalicioni, aq më shumë të ketë edhe dikastere qeveritare. Për fat të keq deri tash partitë politike me qëllim nuk e kanë miratuar Ligjin për Qeverinë, i cili do të nënkuptonte që çështja e numrit të ministrive, ministrave dhe zëvendësministrave do të rregullohej me ligj dhe pastaj nuk do të kishte mundësi të kalkuloheshin opsione të tjera”, ka deklaruar ai.

Ndaj sipas Mushkolajt do të ishte mirë që partitë, cilatdo që do të vijnë në pushtet pas 6 tetorit, si veprim të parë ta bëjnë pikërisht miratimin e Ligjit për Qeverinë, ndonëse ai është shprehur skeptik që kjo do të realizohet. “Unë dyshoj që një gjë e tillë do të ndodhë edhe me koalicionin e ri qeverisës. Pres që koalicioni të jetë i madh dhe për shkak të arritjes së marrëveshjes me Serbinë të jetë një koalicion qeverisës që do të ketë më shumë se dy parti. Por kjo nuk i pengon partitë që menjëherë të vazhdojnë procedurat e miratimit në Parlament të Ligjit për Qeverinë”, ka potencuar ai./ZËRI