Përfshirja e pesë fuqive në dialog sjell një Vjenë të dytë

Përfshirja e pesë fuqive në dialog sjell një Vjenë të dytë

Aktuale September 20, 2019 - 11:12
Detajet

Kombinimet e niveleve të larta në dialogun Kosovë - Serbi mund ta kalojnë këtë proces nga një dialog me ndërmjetësues në një çështje për konferencë ndërkombëtare. Madje një format i tillë, i cili do të mundë ta përfshinte SHBA-në, Rusinë, Gjermaninë e Francën, vlerësohet se mund ta rivendosë në diskutim statusin e Kosovës dhe mund ta përsërisë një Vjenë të dytë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve integruese Arben Fetoshi ka theksuar se me përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut mund të përfshihet pashmangshëm edhe Rusia, gjë që do të mundë të sillte një Vjenë të dytë.

“Në qoftë se pas SHBA-së edhe fuqitë kryesore evropiane do të emërojnë të dërguar të posaçëm për dialogun, kjo jo vetëm që do ta bënte të pashmangshme përfshirjen edhe të Rusisë, por po ashtu do ta ndryshonte formatin në një tip ‘Vjene 2’, duke e defaktorizuar BE-në si fuqi diplomatike”, ka thënë Fetoshi për 'Zëri'. 

Në një prononcim për “Zërin” Fetoshi ka theksuar se nëse procesi i dialogut nuk përmbyllet sa më shpejt dhe pa ndërhyrjen e Rusisë, atëherë fundi mund të jetë i dhimbshëm.

Kësisoj ai është shprehur se kalimin e dialogut me ndërmjetësues në një konferencë ndërkombëtare mund ta shmangë vetëm mospërfshirja e këtyre shteteve në dialog.

“Demantimi i paralajmërimeve gjermane për emërimin e të dërguarit të posaçëm mund ta shmangë një zhvendosje të çështjes nga ndërmjetësimi ndërkombëtar te konferenca ndërkombëtare. Dialogu i deritashëm ka nevojë të riformatohet në kuptim të përmbylljes sa më të shpejtë me një marrëveshje, por jo duke e përfshirë Rusinë si faktor. Në të kundërtën, mendoj se do të shtohet rreziku nga një kompromis i dhimbshëm ose sakrificë e të dyja palëve, siç po përmendet gjithnjë e më shpesh”, ka thënë ai. /ZERI