Opozita reagon ashpër lidhur me tenderët që po i marrin njerëzit e AAK-së në Komunën e Suharekës

Opozita reagon ashpër lidhur me tenderët që po i marrin njerëzit e AAK-së në Komunën e Suharekës

Aktuale September 19, 2019 - 20:21
Detajet

Opozita në komunën e Suharekës ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të kësaj komune, Bali Muharremaj, i cili shpërbleu me tender kompaninë e familjarëve të drejtorit të tij.

Komuna e Suharekës ka shpërblyer me tender kompaninë “Am Group”, e cila është në pronësi të vëllait të drejtorit të Administratës, Driton Maliqaj. Tenderi  quhet “Ndërtimi i Lapidarit për viktimat e viteve 1912-1945 -Lapidari Samadraxhe”, dhe fitues u shpallë kompania “Am Group”, me vlerë të kontratës 28.650,00 euro me pronar Abedin Maliqaj. Po ashtu, ditë më parë me tender në vlerë prej 1.7 milionë euro është shpërblyer edhe kompania e nënkryetarit të AAK-së, Blerim Kuqi.

Sipas opozitës në Asamblenë e Suharekës tenderët mund të jenë të kurdisur. Opozita ka thënë se këtë çështje do ta ngritë të premten në asamble, ndërsa i kanë bërë thirrje edhe hetuesisë.

Në një prononcim për lajmi.net ka reaguar ashpër edhe grupi parlamentar i PDK -së, dega në Suharekë.

“Ne si parti kemi reaguar dhe e dënojmë ashpër formën e dhënies se tenderëve në Komunën e Suharekës. Nuk është hera e parë që shpërbehet me tender ajo kompani që pronar me letra e ka vëllain e drejtorit të Administratës. Vitin e kaluar ka fituar edhe tre tender të tjerë. Po ashtu, nuk është hera e parë që shpërblehen njerëzit e AAK-së që janë të lidhur më kryetarin e Komunës. Po këto ditë fitues i një tenderi mbi 1 milion euro ka dalë fitues edhe kompania e ish kryetarit Blerim Kuqi”, thuhet në reagimin e PDK-së për lajmi.net.

Ky grup parlamentar i ka bërë thirrje organeve të hetuesisë që të hetojnë këta tender dhe disa parregullsi të tjera, që sipas tyre, po bëhen në komunë, teksa kanë thënë se këtë çështje do ta ngritin edhe në asamble.

“I bëjmë thirrje organeve të hetuesisë të shikojë të gjitha këto raste. Ne kemi reaguar në të kaluarën dhe do të reagojmë prapë edhe në Asamble këtë javë, por mediet nuk po i përcjellin shumë punimet e asamblesë”, tha tutje PDK-ja e Suharekës.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Dukagjin Palushi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

“Po, pamë që me tender është shpërblyer AM GROUP SH.P.K., BRIGADA 123, 23000 , SUHAREKË me vlere 28.650,00€. Meçen se ligji i prokurimit publik në Kosove e thotë që ofertuesi më i favorshëm ekonomikisht shpërblehet me tender, atëherë mendoj se te ky rast është shkelur ligji pasi që kompania “Burim J. Krasniqi B.I”  me vlerë 26.868,00(ekonomikisht me i favorshëm) dhe nuk është shpërblyer me tenderin ne fjalë. Arsyetim mundet të jetë, nëse kompania me e favorshme ekonomikisht është tërhequr nga gara. Pra, sipas raporteve që i lexova ka shkelje të ligjit”, tha Palushi për lajmi.net.

Ai thotë se këtë rast do ta adresojë në mbledhjen e asamblesë që do të mbahet këtë të premte.