Skenarët që prodhon përfshirja e fuqive të mëdha në dialog

Skenarët që prodhon përfshirja e fuqive të mëdha në dialog

Aktuale September 18, 2019 - 07:48
Detajet
Image

Përfshirja direkte e Gjermanisë, e Francës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut mund ta sjellë edhe Rusinë në lojë. Kështu pohojnë njohës të rrethanave politike, të cilët kanë përmendur disa skenarë të rrezikshëm për Kosovën, që mund t’i sjellë përfshirja e Rusisë në negociata, ndër ta privilegjimi i serbëve, zbehja e interesave të Kosovës, që do të nxirren prej marrëveshjes përfundimtare dhe destabilizimi i Ballkanit nga ndikimi rus, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përfundimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos përmbyllet në formatin se si pati nisur 8 vjet më parë. Përveç Brukselit zyrtar, së fundmi përfshirje në procesin e dialogut po kërkojnë edhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian, si Gjermania dhe Franca.

Emërimi i Matthew Palmerit si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet si përpjekje tjetër për përfshirje gati direkte të Amerikës në procesin e dialogut, gjë e cila do të nxiste një tjetër lëvizje jo fort pozitive për Kosovën, shkruan më tutje "Zëri" 

Me përfshirjen e këtyre shteteve në procesin e dialogut nuk përjashtohen ambiciet e Rusisë për pjesëmarrje në dialog. Madje në Serbi një gjë e tillë po konsiderohet punë e kryer.

Analisti serb dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Dusan Janjiq, ka paralajmëruar se mund të ketë një format të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në të cilin do të përfshihen SHBA-ja, Rusia, Franca dhe Gjermania.

“Një nga opsionet është që të jetë një sekretariat i veçantë, i cili do të përshijë edhe Rusinë me përfaqësuesin e saj, gjë për të cilën tashmë është rënë dakord”, është shprehur Janjiq.

Mirëpo ish-udhëheqës të dialogut e njohës të këtij procesi theksojnë se përfshirja e Rusisë në dialogun me Serbinë mund të sjellë rreziqe të ndryshme për Kosovën, por edhe për gjithë Ballkanin.

Përfshirja direkte e SHBA-së e sjell edhe Rusinë në dialog

Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se përfshirja direkte e SHBA-së në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë është thirrje e hapur për përfshirje edhe të Rusisë dhe të disa shteteve të tjera të BE-së.

“Duhet ta kemi parasysh që me rastin e një përfshirjeje direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut kjo paraqet një lloj thirrjeje të hapur për përfshirjen edhe të Rusisë bashkë me një përfshirje edhe më direkte të shteteve të Bashkimit Evropian, sikurse është Gjermania dhe Franca, qoftë nëpërmjet të dërguarve të tyre specialë, qoftë nëpërmjet të ndonjë të dërguari special të Bashkimit Evropian, i cili përfaqëson qëndrimet dhe interesat e këtyre shteteve në kuadër të Bashkimit Evropian”, ka potencuar Kryeziu. Ai konsideron se ndërrimi i formatit të dialogut dhe përfshirja e disa shteteve në këtë proces do të ishte disavantazh për Kosovën, duke shtuar se një ide të tillë Kosova duhet ta kundërshtojë zëshëm.

“Në momentin kur kemi përfshirje të shteteve kryesore ndërkombëtare, atëherë të gjitha këto do të kërkojnë që marrëveshja përfundimtare t’i akomodojë interesat e serbëve në regjion. Kjo është një strategji, të cilën Kosova nuk është dashur ta ndjekë dhe duhet të insistojë që dialogu të përfundojë në kuadër të kontekstit të Brukselit, pa dyshim nëpërmjet këshillimit dhe bashkëpunimit me shtetet e tjera, mirëpo dialogu të përfundojë në kuadër të një procesi me ndërmjetësues Bashkimin Evropian”, është shprehur Kryeziu.

Tahiri: Rusia ka rol destruktiv, e dëmton dialogun Kosovë - Serbi

Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë - Serbi, Edita Tahiri, në një përgjigje për gazetën është shprehur se përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë - Serbi do të ishte destruktive. Kësisoj ajo thekson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta mbrojnë Evropën dhe Ballkanin nga ndërhyrjet e Rusisë.

“I kemi parë edhe më herët tendencat e Rusisë për t’u përfshirë, mirëpo përfshirja e saj vetëm sa e dëmton këtë dialog dhe mundësinë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Rusia ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Rambujesë, edhe në bisedimet e Vjenës dhe sa herë që ka qenë pjesë praktikisht Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshje paqësore. Për këtë arsye roli i saj është parë që është destruktiv, pra me fakte”, ka thënë Tahiri.

Ndonëse ndërhyrja e Rusisë u përmend si mundësi që Kosovës t’ia sjellë edhe një konferencë ndërkombëtare, ku mund të diskutohet statusi i saj, Tahiri theksoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Një shtet i njohur ndërkombëtarisht, i vulosur nga GJND-ja, nuk ka shans të hyjë në një konferencë, sepse konferencat zakonisht bëhen për ta arritur një paqe ose për ta ndalur një luftë. Këtu kemi të bëjmë me dy shtete, kështu që konferencat janë ide të gabueshme”, ka deklaruar ajo.

Shtrirja e ndikimit rus, përmes dialogut Kosovë - Serbi

Përmes përfshirjes së saj në dialogun Kosovë - Serbi Rusia mund ta shtrijë ndikimin e saj në Ballkan. Kështu ka pohuar ish-kryenegociatorja Tahiri, e cila thotë se shtrimi i ndikimit rus në këtë pjesë të rajonit do të ishte destabilizues e tensionxitës.

“Ne të gjithë e kemi parë këto pesë vjetët e fundit që Rusia ka një agjendë gjeopolitike të rikthimit të ndikimit të saj në Ballkan. Ballkani, duke përfshirë edhe Kosovën, ka orientim perëndimor, pra janë orientuar me gjeopolitikën europerëndimore, euroatlantike. Kështu që çfarëdo roli i Rusisë në këto procese dëmton orientimin euroatlantik, destabilizon Ballkanin dhe mund të vazhdojnë tensione të panevojshme në vazhdimësi”, ka thënë ajo.

Ndërsa Përparim Kryeziu shton se një marrëveshje përfundimtare, që do të ishte e kënaqshme për Rusinë, do të ishte e rrezikshme për Kosovën dhe për Ballkanin.

“Duhet të kemi parasysh që në qoftë se një marrëveshje përfundimtare merr pëlqimin e Rusisë, atëherë ajo ndodh për shkak që Rusia konsideron se interesat personale të saj në Ballkan të akomodohen nëpërmjet kësaj marrëveshjeje. Prandaj gjithmonë ekziston rreziku që interesat e Kosovës të lihen në fund të listës për një moment kur Kosova ulet në një tavolinë me 5-6 fuqi kryesore të botës”, ka thënë Kryeziu.

Mirëpo Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka deklaruar për “Zërin” se nuk pret që të ketë ndonjë format të tillë të dialogut, ku do të mundë të përfshihej Rusia, megjithëse thekson se një gjë e tillë nuk do të ishte pozitive për Kosovën.

“Deri më tani pala që është marrë aktivisht me dialogun ka qenë Bashkimi Evropian, i cili ka pasur një aktivizim prej Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo edhe të Rusisë. Normalisht që nuk do të ishte e mirë të përfshihet Rusia, por ky është proces që kryesisht lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe nuk pritet të ketë asi lloj formati ku mund të marrë pjesë pastaj edhe Rusia”, ka shtuar Haxholli.