Isufi: Të dalim faqebardhë nga Gjykata Speciale!

Isufi: Të dalim faqebardhë nga Gjykata Speciale!

Aktuale shtator 17, 2019 - 15:07
Lexon detajet

Ndonëse vendi ndodhet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, ftesa të reja nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë po vazhdojnë të vijnë për ish-eprorë e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK), shkruan sot gazeta "Zëri".

Listës së personave të intervistuar nga ky organ i drejtësisë i është shtuar edhe emri i zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, i cili është intervistuar të hënën për rreth tri orë. Ndërkaq sot të njëjtën gjë sikurse Bashota intervistimin para Prokurorisë Speciale pritet ta bëjë edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së Naim Maloku.

Pavarësisht deklarimit të përfaqësuesve të OVL-së së UÇK-së se Specialja ka ulur numrin e ftesave të reja, avokatët e akredituar nga kjo Gjykatë thonë se zgjedhjet nuk e pengojnë aspak intensitetin e Speciales. Përkundrazi, siç shprehen ata, këto dy çështje nuk ndërlidhen aspak me njëra-tjetrën.

Kurse ish-komandanti i UÇK-së Ahmet Isufi i ka thënë gazetës se gjithë të ftuarit e Gjykatës Speciale do t’u përgjigjen ftesave me qëllim që të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së.

“Nuk mund të ketë trazira për shkak të ftesave të Gjykatës Speciale, sepse shumica e atyre që janë ftuar janë deklaruar se i përgjigjen drejtësisë ndërkombëtare duke pasur parasysh luftën e drejtë të UÇK-së. Jam i bindur se do të dalin të gjithë të pafajshëm, sepse lufta jonë ka qenë luftë mbrojtëse dhe këto akuza janë të nxitura nga qarqe të caktuara kundër-Kosovë dhe do të dështojnë me turp, ashtu siç kanë dështuar edhe më herët procese të montuara”, ka thënë Isufi për “Zërin”.

Sipas Isufit, asnjë gjykatë nuk mund të dënojë luftën e UÇK-së, pavarësisht se ka tentativa nga qarqe të ndryshme për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk ka asnjë gjykatë, e cila mund ta dënojë luftën tonë dhe të vetëdijshëm të gjithë ata që mund të jenë të ftuar do të dalin ballëlartë dhe do të jenë të pafajshëm në fund të çdo procesi, sepse kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën. Prandaj kjo nuk e cenon as procesin zgjedhor, sepse të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm që një inicim i një gjykate të tillë përmes dosjes së Dick Martyt është e shpikur dhe e prodhuar nga qarqe të Beogradit dhe të tjerëve që nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka theksuar ai./ZERi