Triumfuesi i 6 tetorit, me diferencë minimale
Foto: Laura Hasani

Triumfuesi i 6 tetorit, me diferencë minimale

Aktuale September 17, 2019 - 08:29
Detajet
Image

Subjektet politike, të cilat tashmë kanë vendosur të hyjnë në procesin e ri zgjedhor, pritet të ballafaqohen me një garë aspak të lehtë gjatë muajit të ardhshëm. Ndonëse të gjitha partitë e koalicionet po shprehen të vendosura se do të dalin fituese, vlerësohet se triumfuesi i zgjedhjeve do të përcaktohet me një përqindje shumë të vogël, krahasuar me subjektin e dytë ose të tretë të dalë nga procesi i ri zgjedhor, shkruan gazeta "Zëri".

Tri partitë më të mëdha të legjislaturës së shkuar, LDK-ja, PDK-ja dhe LVV-ja, kanë vendosur të hyjnë të vetme në procesin e ri zgjedhor. Për dallim prej tyre, partitë e tjera shqiptare që ishin pjesë e Parlamentit vendosën të lidhin koalicione para zgjedhjeve. AAK-ja u bashkua me Partinë Socialdemokrate të Kosovës, ndërkaq Nisma me AKR-në. Duke u nisur nga fakti që nuk u arrit ndonjë koalicion i gjerë parazgjedhor, subjektet politike pritet të ballafaqohen me një garë tejet të ngushtë më 6 tetor të këtij viti. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se edhe vetë subjektet politike e dinë se gara do të jetë e tillë. Ndaj sipas tyre, pikërisht për këtë arsye fushata zgjedhore do të jetë e ashpër, pasi subjekti fitues në zgjedhje, me sadopak diferencë nga i dyti e i treti, do ta ketë të drejtën e formimit të qeverisë. Në anën tjetër përfaqësuesit e subjekteve politike shprehen të bindur se do t’i fitojnë zgjedhjet e tetorit. Secila parti është më se e bindur se kandidati i tyre do të jetë kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës.

Të gjithë të bindur në fitore

Haxhi Avdyli, kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se ky subjekt fitoren e ka të sigurt më 6 tetor. LDK-ja aktualisht, sipas tij, ka një mobilizim të strukturave si asnjëherë më parë. “Era e fitores po dëgjohet gjithandej. Elektorati ynë i fjetur rugovian është zgjuar. Ka një mobilizim të paparë të rinisë dhe të grave, të cilët te Vjosa po e shohin shpresën e ndryshimit dhe të gjitha këto na bëjnë të besojmë se fitorja jonë është e pakontestueshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Në kuadër të kësaj Avdyli ka thënë se kandidatja për kryeministre e këtij subjekti, Vjosa Osmani, po shihet si shpresë për ndryshim te qytetarët.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, është shprehur i bindur se ky subjekt do të dalë fitues në zgjedhjet e 6 tetorit. PDK-ja, siç ai është shprehur, ka dalë më se e përgatitur nga procesi i brendshëm zgjedhor. “Ne jemi shumë të përgatitur që të hyjmë në këto zgjedhje me kapacitetin tonë të plotë dhe të dalim si fitues të zgjedhjeve nacionale, andaj edhe tani shihet aktiviteti ynë, i cili shtrihet në gjithë Kosovën. Kemi një mbështetje të madhe, e cila na jep kurajë dhe një vendosmëri më të madhe se do të dalim si parti fituese”, ka deklaruar Ismaili për gazetën.

Njëjtë sikurse partitë e tjera, edhe Lëvizja Vetëvendosje po shprehet e vendosur për fitore. Një gjë e tillë sipas përfaqësuesve të këtij subjekti po shihet në secilin takim të zhvilluar me qytetarët. “Bindjen për fitore e kemi krijuar nga përkrahja që po kemi në çdo takim me qytetarë, madje edhe me ata që tradicionalisht i kanë përkrahur partitë e tjera, tani po vijnë dhe po thonë ‘këtë herë do ta provojmë Vetëvendosjen, sepse jemi të zhgënjyer me partitë të cilat i kemi votuar tani e 20 vjet’”, ka deklaruar kandidati për deputet i LVV-së Ismajl Kurteshi.

Vetëvendosja, sipas Kurteshit, do të fitojë aq bindshëm sa do të jetë faktor përcaktues për bërjen e qeverisë së ardhshme.

Edhe përfaqësuesit e koalicionit AAK-PSD kanë deklaruar disa herë së fundi se janë radhitur të parët nëpër sondazhe. Se do të dalin të parët tashmë kanë thënë edhe zyrtarët e koalicionit Nisma – AKR - PD, shkruan gazeta "Zëri".

Paralajmërohet fushatë e ashpër zgjedhore

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se asnjë subjekt nuk do të mundë të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 6 tetorit. Një gjë e tillë sipas tyre do të mundë të ndodhte vetëm nëse numri i votuesve në zgjedhjet e reja do të ishte shumë më i madh se herët e kaluara. “Kjo do të mundë të ndodhte deri në një masë nëse përqindja e daljes në zgjedhje do të rritej në mbi 50%. Por kjo duket gati e pamundur. As sistemi zgjedhor e as konfiguracioni i subjekteve politike nuk lejon që të kemi rezultat, i cili mundëson që fitues të jetë një subjekt politik me diferencë të madhe votash nga subjekti i dytë”, është shprehur Rasim Alija, njohës i zhvillimeve politike.

Edhe vetë subjektet sipas Alijës janë në dijeni se gara do të jetë tejet e ngushtë, ndaj edhe fushata pritet të jetë e ashpër. “Subjektet politike e dinë që gara do të jetë e ngushtë dhe për këtë arsye ajo do të jetë e ashpër, sepse subjekti fitues në zgjedhje, me sadopak diferencë nga i dyti e i treti, do ta ketë të drejtën e formimit të qeverisë”, ka potencuar ai.

Ndërkaq profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit konkurrenca do të jetë më reale, pasi nuk ka koalicione të formuara në momentet e fundit, siç pati ndodhur në zgjedhjet e kaluara më 2017-n. “Duke u nisur nga kjo pres që gara të jetë më e hapur me një konkurrencë mjaft të madhe dhe mundësia është më e mirë për qytetarin që t’i kërkojë programet ose ofertat politike dhe konkretizimin e tyre nga secila veç e veç në mënyrë më të detajuar. Natyrisht, duke parë nga ky aspekt gara do të rezultojë me fitues, ku mospërputhshmëria e fitores së partive njëra nga tjetra do jetë e ngushtë”, është shprehur Ismajli,s hrkuan gazeta "Zëri".

Vështirësitë me të cilat do të ballafaqohen subjektet pas zgjedhjeve

Si rezultat i moskrijimit të koalicioneve të gjera parazgjedhore dhe garës së ngushtë që pritet të zhvillohet më 6 tetor, Rasim Alija vlerëson se nuk do të ketë proces të lehtë as pas zgjedhjeve. “Jo vetëm që do të ketë telashe në kuptimin politik, se cila do të jetë qeverisja e ardhshme, kush me kë do të bashkohet e kush me kë do të ndahet, por ekziston rreziku potencial që procesi të komplikohet edhe nga faktorë të tjerë. Mund të ndodhë që për shkak të garës së ashpër dhe frikës së humbjes së pushtetit të kemi një proces zgjedhor pa integritet, duke mos përjashtuar krimet elektorale”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, sipas Dashnim Ismajlit duke u nisur prej rrethanave ekzistuese qeveria e ardhshme mund të krijohet vetëm me koalicion të gjerë. “Duke u nisur nga fakti që nuk kishim koalicione të gjera parazgjedhore dhe rezultatet mund të jenë të përafërta, mendoj se subjekti fitues për dallim nga hera e kaluar mund ta krijojë qeverinë përmes metodës së koalicionit të gjerë (trepartiak ose në rastin më të vështirë katër) duke përjashtuar Listën Serbe”, është shprehur ai./ZËRI