Zgjedhjet nuk pengojnë ardhjen e ftesave speciale

Zgjedhjet nuk pengojnë ardhjen e ftesave speciale

Aktuale September 17, 2019 - 08:23
Detajet
Image

Ardhja e ftesave të reja nga Prokuroria Speciale, me seli në Hagë, po vazhdon teksa vendi gjendet përballë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen më 6 tetor. Në vazhdën e hetimeve para Prokurorisë Speciale në Hagë ka dalë edhe zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sokol Bashota, i cili të hënën është intervistuar për disa orë, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse vendi ndodhet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, ftesa të reja nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë po vazhdojnë të vijnë për ish-eprorë e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK). Listës së personave të intervistuar nga ky organ i drejtësisë i është shtuar edhe emri i zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, i cili është intervistuar të hënën për rreth tri orë. Ndërkaq sot të njëjtën gjë sikurse Bashota intervistimin para Prokurorisë Speciale pritet ta bëjë edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së Naim Maloku. Pavarësisht deklarimit të përfaqësuesve të OVL-së së UÇK-së se Specialja ka ulur numrin e ftesave të reja, avokatët e akredituar nga kjo Gjykatë thonë se zgjedhjet nuk e pengojnë aspak intensitetin e Speciales. Përkundrazi, siç shprehen ata, këto dy çështje nuk ndërlidhen aspak me njëra-tjetrën.

Bashota u intervistua dje, Maloku sot

Para se të niset për në Hagë, Sokol Bashota ka thënë se ndihet i lumtur që i është dhënë mundësia bashkëveprimtarët e parë që të japë kontribut në shërbim të atdheut gjatë luftës së shenjtë të UÇK-së. “Edhe pse është bërë përpjekje qe sa vjet të njolloset, lufta e UÇK-së nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse është e pastër, se atë e mbron lavdia e saj dhe gjaku i dëshmorëve të rënë për ta fituar lirinë. Ndërkaq atdheut dhe popullit do t’u shërbej sa herë që kanë nevojë për mua. E ata që dyshojnë për luftën e drejtë tonën, njerëzore dhe të pastër të UÇK-së, do të shkoj të dëshmoj kudo që më thërrasin”, ka thënë ai, shkruan gazeta "Zëri".

Menjëherë pas Bashotës, para Prokurorisë Speciale do të dalë edhe ish-komandanti i UÇK-së i Zonës së Pashtrikut, Naim Maloku, i cili në dy ditët e ardhshme (e martë, e mërkurë) do të intervistohet nga Gjykata Speciale. Këtë e ka bërë të ditur vetë Maloku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” teksa ka shtuar se do të përballet i vetëm dhe pa avokat. “Tërë jetën, me mundësitë, me dijen dhe me aftësitë e mia profesionale dhe pa kurrfarë interesi personal jam munduar të jem në shërbim dhe në të mirë të atdheut. I tillë jam dhe do të mbetem”, ka shkruar ai.

Maloku po ashtu ka bërë të ditur se do të intervistohet në Prishtinë dhe jo në Hagë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. “Për shkak të gjendjes sime të rënduar shëndetësore dhe të pamundësisë të udhëtoj për në Hagë, intervistimi do të kryhet në ambientet e Gjykatës së Qarkut në Lubjanë. Me gjykatën në fjalë do të përballem i vetëm dhe pa avokat”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ftesë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale ka marrë edhe kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për deputet Lulzim Kabashi, i cili do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, më 24 shtator. Në anën tjetër në Hagë ditëve të ardhshme do të intervistohen edhe ish-deputetet Time Kadrijaj dhe Safete Hadërgjonaj.

OVL: Fushata ka ulur numrin e ftesave të Speciales

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL), Hysni Gucati, për “Zërin” ka thënë që në prag të fushatës zgjedhore është ulur edhe numri i ftesave nga Prokuroria Speciale. Mirëpo, sipas tij, ftesa të reja ka pasur dhe do të ketë edhe ditëve në vijim. “Këto ditë ka pasur ftesa të reja dhe pritet të ketë ende. Ndoshta për shkak të fushatës ftesat janë ndalur paksa, mirëpo ftesa të reja vazhdon të ketë. Mund të jetë kjo një arsye që të mos ketë ndonjë ndryshim të situatës brenda partive, por nuk e dimë nëse kjo është arsyeja e vërtetë”, ka thënë Gucati.
Ndër të tjera ai bëri të ditur që edhe një ish-pjesëtar i UÇK-së, emri i të cilit ende nuk është bërë publik, ka marrë ftesë nga Prokuroria Speciale të premten, më 13 shtator. “Kemi edhe një ftesë të re, një ish-pjesëtar i UÇK-së nga Dragashi, i cili është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit dhe do të paraqitet në Hagë, më 25 shtator. Emri i tij ende nuk është bërë publik, por për ne është i njohur”, ka shtuar ai.

Isufi: Të dalim faqebardhë nga Gjykata Speciale!

Kurse ish-komandanti i UÇK-së Ahmet Isufi i ka thënë gazetës se gjithë të ftuarit e Gjykatës Speciale do t’u përgjigjen ftesave me qëllim që të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së. “Nuk mund të ketë trazira për shkak të ftesave të Gjykatës Speciale, sepse shumica e atyre që janë ftuar janë deklaruar se i përgjigjen drejtësisë ndërkombëtare duke pasur parasysh luftën e drejtë të UÇK-së. Jam i bindur se do të dalin të gjithë të pafajshëm, sepse lufta jonë ka qenë luftë mbrojtëse dhe këto akuza janë të nxitura nga qarqe të caktuara kundër-Kosovë dhe do të dështojnë me turp, ashtu siç kanë dështuar edhe më herët procese të montuara”, ka thënë Isufi për “Zërin”.

Sipas Isufit, asnjë gjykatë nuk mund të dënojë luftën e UÇK-së, pavarësisht se ka tentativa nga qarqe të ndryshme për ta bërë një gjë të tillë. “Nuk ka asnjë gjykatë, e cila mund ta dënojë luftën tonë dhe të vetëdijshëm të gjithë ata që mund të jenë të ftuar do të dalin ballëlartë dhe do të jenë të pafajshëm në fund të çdo procesi, sepse kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën. Prandaj kjo nuk e cenon as procesin zgjedhor, sepse të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm që një inicim i një gjykate të tillë përmes dosjes së Dick Martyt është e shpikur dhe e prodhuar nga qarqe të Beogradit dhe të tjerëve që nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka theksuar ai.

Rrecaj: Zgjedhjet nuk e pengojnë Specialen

Në anën tjetër avokati i akredituar nga Gjykata Speciale Tahir Rrecaj duke folur për punën e kësaj Gjykate ka theksuar se meqenëse Prokuroria Speciale gjendet ende në fazën e hetimeve si e tillë puna e saj nuk ndërlidhet me situatën politike në Kosovë. “Nuk besoj se zgjedhjet dhe ftesat nga Specialja janë të ndërlidhura mes vete, sepse Prokuroria e Dhomave të Specializuara ende është në fazën e hetimeve me aq sa unë jam i informuar. Tani pritet që ditëve në vijim të intervistohen disa nga personat, që ndërlidhet me kompetencat e Gjykatës Speciale dhe disa do të intervistohen në Hagë e disa në zyrën e EULEX-it në Kosovë. Ndoshta ngritja e aktakuzave dhe eventualisht procedurat e tjera të Gjykatës do të mundë të ndërlidheshin me zgjedhjet, megjithatë nuk besoj”, ka potencuar ai.

Rrecaj deri më tash ka mbrojtur pesë pjesëtarë të UÇK-së, të cilët janë ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë./ZËRI