Kryeministri çek takon Presidentin – paralajmëron një takim ku do të merret vendimi për Kosovën

Kryeministri çek takon Presidentin – paralajmëron një takim ku do të merret vendimi për Kosovën

Aktuale shtator 16, 2019 - 23:33
Detajet

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, ka paralajmëruar një takim me ministra të qeverisë së tij, për të vendosur përfundimisht nëse vendi i tij do ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Babish ka thënë se dëshiron të adresojë çështjen e njohjes së Kosovës me ministrin e Jashtëm, Tomas Petricek dhe me atë të Brendshëm, Jan Hamacek.

Paralajmërimi i Babishit vjen pas një takimi të rregullt që ai e zhvilloi me presidentin e Çekisë, Milosh Zeman.

Ishte pikërisht Zeman, i cili javën e kaluar tha se do të shohë nëse njohja e pavarësisë së Kosovës mund të tërhiqet.

“Presidenti i është referuar një rezolute të Dhomës së Deputetëve gjatë qeverisë së Topolanekut për të mos e njohur Kosovën. Do të adresojmë këtë gjatë një takimi të koordinuar për politikë të jashtme”, ka thënë Babish.

I pyetur nëse e përjashton çdo ndryshim në raport me njohjen e Kosovës, ai tha: “Nuk po e them këtë. Kam diskutuar me Presidentin. Presidenti thotë se pozicioni (për njohje të Kosovës) erdhi edhe për faktin se u anëtarësuam në NATO pak kohë përpara (ndërhyrjes në Kosovë), se ishte një vendim politik, por se opinioni i tij për njohjen e Kosovës është negativ”, tha Babish.

Kryeministri çek një javë më parë ka deklaruar se nuk sheh ndonjë arsye që qeveria çeke të ndryshojë qëndrimin e saj në raport me njohjen e Kosovës.