Imami Latifaj rreth pajtimit të familjes Mehmeti e Rafuna: Është ndër rastet më të rënda me të cilat jam marrë

Imami Latifaj rreth pajtimit të familjes Mehmeti e Rafuna: Është ndër rastet më të rënda me të cilat jam marrë

Aktuale shtator 16, 2019 - 16:37
Detajet

Brenda dhjetë ditëve familja Rafuna nga Prishtina i hapi dy të pame. Njërën për Mefail Rafunën, i cili mbeti i vdekur pas disa të shtënave me armë në lagjen Mati 1, e tjetrën për Gani Rafunën, i cili u përfshi aksidentalisht në plumbat që po shkrepeshin po atë ditë pas një përleshjeje fizike ndërmjet dy familjeve.

Nga kjo përleshje kanë vdekur tre persona, si dhe një tjetër po trajtohet në QKUK. E për t’i zbutur gjakrat në mes të dy familjeve po ndërmjetësojnë dy hoxhallarë kosovarë. Shefqet Krasniqi e Fatmir Latifaj kanë marrë përsipër këtë mision të veçantë. Latifaj ka dhënë detaje për Express rreth përpjekjeve që janë duke i bërë për t’i pajtuar dy familjet

Një përleshje fizike mes anëtarëve të familjes Mehmeti dhe Rafuna përfundoi me të shtëna armësh gjatë javës së parë të shtatorit të këtij viti. Nga plumbat që u shkrepën aty, mbetën të vdekur Bashkim Mehmeti, Mefail dhe Gani Rafuna. U plagosën edhe dy persona të tjerë. Gjithë ngjarja dyshohet se ndodhi për çështje pronësore. Për t’i qetësuar gjakrat mes familjeve, tash po ndërmjetësojnë dy hoxhallarë.

Dy nga imamët, që njihen për predikim të fesë në rrjetet sociale, kanë marrë një mision të veçantë. Ata po synojnë që t’i pajtojnë këto dy familje, anëtarët e të cilave para 10 ditëve shkrepën breshëri plumbash mes vete.

Hoxhë Fatmir Latifaj dhe Shefqet Krasniqi gjatë ditë së nesërme kanë planifikuar që ta bëjnë përpjekjen e dytë për ta mundësuar shtirjen e dorës së pajtimit për këto të dy familje.

Hoxha i cili e ka marrë këtë iniciativë-pajtimin e familjeve, Fatmir Latifaj, ka deklaruar se ky rast është njëri ndër rastet më të rënda me të cilat është marrë deri më tani.

“Pritja në familje ka qenë e mirë.  Por gjakrat ende nuk janë falur nga ana e familjeve. Nga familja Mehmeti janë shprehur se po e presin lirimin e njërit nga familjarët e tyre nga paraburgimi e pastaj të flasin për gjithë ngjarjen. Ndërkohë te familja Rafuna tash e kanë rastin e dytë. Çështja është e ndjeshme. Ky është njëri ndër rastet me të vështira që i kam pas deri me tani. Familja Rafuna e Mehmeti ende nuk e kanë dhënë besën dhe dorën e pajtimit”, ka deklaruar hoxha.

Ai tutje deklaroi se presin që pas takimeve të tjera ndërmjetësuese, që ky rast të zgjidhet së shpejti dhe familjet t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëra-tjetrës. Ai shpreson që hasmëria mes familjeve të mos vazhdoj, në të kundërtën thotë se ka frikë që vetëgjyqësia të bëhet model në vend.

“Ne po presim pak që të qetësohet situata e pastaj ta vazhdojmë iniciativën tonë. Nuk zgjidhen problemet duke e vra njëri-tjetrin dhe qetësohen gjakrat me situatë të tensionuar. Nieti jonë është shumë i pastër dhe fisnik. Ne do të kemi edhe takime të tjera me këto dy familje bashkë me hoxhën Shefqet Krasniqin. Puna është pak e ndjeshme sepse në bazë të asaj që ne e dimë, konflikti ka qenë i rastit. Ne nesër planifikojmë që të shkojmë prapë tek të dy familjet. Po shpresojmë që bëhet situata mirë”, shprehet hoxha.

E ndërkohë me gjithë çështjen është duke u marrë edhe prokuroria e shtetit. Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri i cili është i ngarkuar me këtë lëndë tha se janë duke i vazhduar hetimet dhe se ende nuk ka ndonjë gjë të re rreth gjithë rastit.

“Ne ende jemi duke i vazhduar hetimet. Nuk kemi ndonjë të re që vlen të theksohet. Kallëzimi Penal sot ka ardhë në Prokurori”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë nga QKUK kanë deklaruar se gjendja shëndetësore e të plagosurit tjetër në këtë rast është stabile dhe ai gjende jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, për një pjesë betoni, jo më të madhe se 1 metër katror, dyshohet se nisi i gjithë konflikti dje në Prishtinë në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna, ku mbetën të vdekur tre persona e u plagosën dy të tjerë. Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë në fqinjësi të mirë. Por, para disa muajve, familjet ia dhanë pronën, në këmbim të disa banesave e lokaleve, një kompanie private. Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit e përfunduan më 5 shtator me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën