Brenda ambasadës së re të SHBA-ve, përmes fotografive
FOTO: Laura Hasani

Brenda ambasadës së re të SHBA-ve, përmes fotografive

Aktuale September 16, 2019 - 10:54
detajet
Image

Ndërtesa e re e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila u përurua më 4 korrik, ditën e pavarësisë së këtij shteti, duket përrallore nga brenda, po aq sa edhe nga jashtë, shkruan gazeta “Zëri”. Dizajni i kësaj ndërtese ngërthen në vete historinë e mbështetjes që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës ndër vite. Objekti i ri i ambasadës që në total ka kushtuar 215.5 milion dollar është dizajnuar në atë formë që ngërthen në vete copëza nga gjitha qytetet e Kosovës, duke treguar kështu përkrahjen që shteti më i fortë në botë i ka dhënë Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett më 4 korrik, ditën kur u përurua ambasada, theksoi se në ndërtimin dhe dizajnimin e kësaj ndërtese kanë kontribuar ndërtimtar, inxhinier, drejtues e student nga SHBA-ja e Kosova.

“Kur them që Departamenti i Shtetit e ka ndërtuar këtë ambasadë, kjo është vetëm një anë e rrëfimit. Me ne sonte janë disa nga ndërtimtarët, inxhinierët, drejtuesit dhe studentët e sektorit privat – nga SHBA-ja dhe Kosova – përpjekjet e palodhshme të të cilëve e kthyen ëndrrën në realitet. Edhe ata e meritojnë një duartrokitje. Jemi duke i kryer punët e fundit në brendi para se ambasada të çelet për biznes diku kah vjeshta e hershme. E pastaj do të bëhet vend pune i rangut botëror për punonjësit amerikanë dhe vendorë nga gjithë ato agjenci amerikane në Prishtinë që për herë të parë do të veprojnë nën një kulm”, pati thënë ambasadori Kosnett.

Image

Kosnett ndër të tjera tha se ambasada e re do të jetë një urë ndihmëse mes shtetasve dhe udhëtarëve amerikanë dhe do t’ua lehtësojë udhëtimin në SHBA biznesmenëve, studentëve dhe vizitorëve kosovarë.

“Por, kjo ambasadë është më shumë se veç një ndërtesë dhe nga ajo nuk do të përfitojnë vetëm punonjësit e saj. Sektori i zgjeruar i konsullatës do të mbrojë dhe do t’ju shërbejë shtetasve dhe udhëtarëve amerikanë dhe do t’ua lehtësojë udhëtimin në SHBA biznesmenëve, studentëve dhe vizitorëve kosovarë. Do të kemi vend dhe hapësirë për ta bërë ambasadën vendtakim ku mund të takohen burrështetasit, studiuesit, artistët dhe ndërmarrësit nga të gjitha komunitetet e Kosovës”, pati thënë tutje ambasadori.

Kjo ambasada është manifestim fizik i përkushtimit të Amerikës për partneritet të qëndrueshëm me Republikën e Kosovës.

Image

Dizajni dhe ndërtimi

• Ndërtesa i përmbush standardet e Departamentit të Shtetit për siguri të objekteve, siguri të jetës, qëndrueshmëri dhe ofron një hapësirë afariste bashkëkohore për vizitorët dhe stafin e ambasadës.

Image

• Ndërtesa e posalindur paraqet një prani të re në peisazhin e qytetit të Prishtinës si pikë krenarie për të dy vendet. Lokacioni përfiton nga pamjet kah qendra e qytetit drejt maleve dhe ka burime të natyrshme të dritës dhe nxehtësisë gjatë muajve të ftohtë. Një pellg shumëfunksional që është pjesë e sistemit mekanik shërben si pikë kryesore referimi e peisazhit të kompleksit.

• Në dizajn janë përfshirë hapësira të brendshme dhe të jashtme për ngjarje publike. Këto hapësira shërbejnë si lidhje ndërmjet hapësirës së brendshme dhe të jashtme dhe janë të rëndësishme për jetën e komunitetit.

Image

• Në dizajn janë përfshirë metalet artizanale vendore, që historikisht kanë zënë vend në ndërtim në Kosovë dhe njëkohësisht kanë një pamje bashkëkohore.

• Peisazhi përfshin sheshe dhe oborre për kalimtarë, shfrytëzon topografinë e natyrshme të vendit duke mundësuar qasje të plotë për kalimtarët dhe të ndarë nga mjetet motorike.
• Në ndërtim kanë marrë pjesë përafërsisht rreth 1800 punëtorë – amerikanë, vendorë dhe të vendeve të tjera; duke investuar rreth 6 milionë orë pune dhe duke kontribuar dukshëm në ekonominë e vendit.

Image

Qëndrueshmëria

• Projekti është regjistruar në Këshillin amerikan për ndërtesat e gjelbra për marrjen e çertifikatës si projekt prijës në dizajn të energjisë dhe mjedisit (LEED®) dhe është në garë për çertifikatën e artë LEED®. Kjo çertifikatë merret me inovacion në dizajn, shfrytëzim optimal të energjisë dhe zvogëlim të shfrytëzimit të ujit dhe energjisë.

• Dizajni përfshin mbështjellës dhe qelqëzim të përmirësuar të ndërtesës, hije të jashtme, fuqi të zvogëluar të ndriçimit përmes përdorimit të ndriçimit LED dhe kontrollimit të ndriçimit të natyrshëm dhe ftohësit për ripërtëritjen e ngrohjes që transferon ngrohjen nga mbeturinat në sistemin e ngrohjes të ndërtesës. Çatitë e freskëta dhe me bimësi zvogëlojnë hyrjen e nxehtësisë në ndërtesë dhe nevojën për sistem të kondicionuar të ajrit.

• Sistemi i ngrohjes dhe ftohjes shfrytëzon sistemin e burimit tokësor të shkëmbimit të nxehtësisë të përbërë nga një pellg dhe një fushë vertikale me shtylla, që përmirëson efiçencën e sistemit në krahasim me sistemet e zakonshme të zbrapjes së nxehtësisë. Kursimi i energjisë pritet të jetë 38 % me një kursim të përgjithshëm të shpenzimeve për energji LEED prej 31 %.

• Kompleksi pritet ta arrijë shkallën “zero” të përdorimit neto të ujit duke baraspeshuar kërkesat për ujë me furnizimin e ujit nga vetë lokacioni, e kjo do të bëhet me vendosjen e rrjetit efiçent të ujësjellësit dhe ujitjes, grumbullimit dhe ruajtjes së ujit nga reshjet, si dhe riciklimit të burimeve të ujit dhe të ujrave të zeza në objekt.

Arti

• Koleksioni i përhershëm i artit, i mbikëqyrur nga Zyra e Artit në ambasada, përfshin 25 vepra artistike të punuara në format të ndryshëm – piktura, argjilë, xham, çelik, dru dhe fotografi – të krijuara nga artistë amerikanë dhe kosovarë.

• Të instaluara anembanë hapësirave publike të ndërtesës, me këtë koleksion kremtohen lidhjet kulturore ndërmjet

Kosovës dhe SHBA-së. Ndër veprat më të veçanta përfshihet vepra artistike e Diana Al Hadidit Pa titull (Ura e Prizrenit), vepër masive e vendosur në mur, që i përshëndet vizitorët sapo të hyjnë në atrium. Kjo vepër shtresë-

shtresë, që jep përshtypjen se po pikon, është punuar me material nga lesh-xhami, gips polimeri, suva dhe pigmenti dhe është frymëzuar nga rëndësia e formës dhe kulturore e urës ikonike në Prizren, Kosovë./ZERI

Image