Kontestohet diplomacia e ripërtërirë nga Qeveria në dorëheqje
Foto Ilustruese

Kontestohet diplomacia e ripërtërirë nga Qeveria në dorëheqje

Aktuale September 14, 2019 - 08:05
Detajet
Image

Ndonëse në dorëheqje, Ministria e Punëve të Jashtme një muaj më parë ka bërë emërimin e gjashtë ambasadorëve të Kosovës në disa shtete të botës. Mirëpo njohës të fushës së drejtësisë këto emërime i kanë parë si të kundërligjshme, madje kanë kërkuar nga presidenti i vendit që të mos i dekretojë këta ambasadorë, shkruan gazeta "Zëri".

Po bëhet gati një muaj prejse Ministria e Punëve të Jashtme i ka emëruar gjashtë ambasadorë të karrierës në disa vende të botës. Këto emërime Ministria e Punëve të Jashtme i ka bërë një muaj pas dorëheqjes së shefit të Qeverisë Ramush Haradinajt, të cilat po shihen si jolegjitime nga njohësit e çështjeve të drejtësisë. Madje ata theksojnë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk duhet ta bëjë dekretimin e ambasadorëve të emëruar nga një ministri që është në dorëheqje. Të emëruarit në pozitën e ambasadorit janë: Ilir Dugolli, ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri e Adriatik Kryeziu në Kanada. Ndonëse një kohë të gjatë këto ambasada kanë qëndruar pa ambasadorë, vendimi për emërimin e diplomatëve u mor në prag të zgjedhjeve, shkruan gazeta "Zëri".

Bërja e diplomacisë në prag të zgjedhjeve

Vendimin për emërimin e ambasadorëve Ministria e Punëve të Jashtme e mori pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Si i tillë ky vendim u kontestua nga njohësit e çështjeve politike e juridike në vend.

Madje ish-drejtues të misioneve diplomatike të Kosovës nëpër botë këto emërime i kanë quajtur të papërgjegjshme. Ish-ambasadori Sabri Kiqmari, i cili ka shërbyer si diplomat në Australi e në Austri, ka thënë për gazetën “Zëri” se vendimet e tilla mund të jenë probleme që do të trashëgohen nga qeveria e ardhshme. “Mendoj se është një shkelje e parimeve bazë të veprimit institucional të një qeverie në dorëheqje dhe një sjellje e papërgjegjshme e saj duke ia krijuar një rrethanë të komplikuar qeverisë në ardhje. Shtetet që kanë traditë dhe kulturë demokratike veprimet e tilla nuk i bëjnë, për shkak se qeveria e ardhshme është ajo që duhet t’i bëjë planifikimet e saj të nevojshme të shërbimit diplomatik. Mendoj që ky ka qenë një vendim i ngutshëm, joprofesional dhe i padobishëm për shërbimin e jashtëm”, ka deklaruar Kiqmari.

Emërimet e ambasadorëve jolegjitime, presidenti të mos i dekretojë

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, është shprehur për “Zërin” se që nga paslufta asnjë qeveri nuk ka pasur vullnet për miratimin e Ligjit për Qeverinë, i cili siç thotë ai do t’i përcaktonte qartë kompetencat e qeverisë në largim. Megjithatë, ai thekson se vendimi për emërimin e ambasadorëve nga qeveria në largim është joligjor.

“Sa i përket kësaj situate, në parim është i njohur Instituti i Qeverisë në largim, sipas të cilit nënkuptohet se në këto raste Qeveria mundet që të kryejë vetëm detyrat e domosdoshme. Për këtë arsye emërimi i ambasadorëve të rinj nuk mund të bëhet nga një qeveri tanimë në dorëheqje”, ka thënë Shala.

Kësisoj ai shprehet se as presidenti i vendit nuk duhet ta bëjë dekretimin e ambasadorëve të emëruar nga MPJ-ja. “Presidenti Thaçi nuk duhet të bëjë dekretimin e këtyre ambasadorëve, për arsye se të njëjtit janë propozuar nga qeveria e cila nuk ka legjitimitet për të bërë këto propozime”, ka potencuar Shala.

Kosova, pa ambasada në disa vende të rëndësishme të Evropës

Përveç shkeljeve juridike e politike në diplomacinë kosovare, ka edhe probleme tjera, si shtrirja e rrjetit diplomatik vend e pa vend dhe mungesa e ambasadave në shtetet ku Kosova ka interes madhor. Kosova ka ambasadë në Tajlandë, Panama e Bangladesh, por nuk ka ambasadë në Norvegji, Finlandë, Danimarkë e Spanjë. Kështu ish-ambasadori Kiqmari u shpreh se ndonëse në disa vende, edhe pse të largëta, Kosova ka interes të ketë ambasadë në to, për shkak të rëndësisë strategjike për rritjen e numrit të njohjeve, mirëpo ai thekson se prioritet do të duhej t’i jepej zgjerimit të rrjetit diplomatik në Evropë.

“Një mision diplomatik në rajonin e Azisë Juglindore, ta zëmë në Bangkok, është me interes për shkak se nga Bangkoku mund të komunikohet me 10 vendet e Azisë Juglindore, mirëpo në Bangladesh e të tjera besoj që është ndoshta jo veprimi më i mirë i mundshëm për të hapur një mision diplomatik. Mirëpo nevoja për të shtrirë rrjetin e misioneve tona diplomatike në Evropë është më me shumë interes, për shkak se raportet ndërshtetërore ta zëmë me Norvegjinë dhe vendet e tjera në Evropë janë të një rëndësie të veçantë”, ka thënë Kiqmari.

Ai shtoi se qeveria e ardhshme do të duhej të bënte planifikime të tilla të rritjes së numrit të misioneve diplomatike në Evropë./ZËRI