Rreth 55 fëmijë me sëmundje malinje çdo vit në Kosovë

Rreth 55 fëmijë me sëmundje malinje çdo vit në Kosovë

Aktuale shtator 12, 2019 - 18:53
Detajet

Në repartin e Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, lajmërohen për çdo vit rreth 55 raste të reja të fëmijëve me sëmundje malinje.

Shefja e repartit Dr. Violeta Grajqevci-Uka thotë se rreth 60 për qind e fëmijëve trajtohen në Kosovë, ndërsa disa raste të tjera më specifike dërgohen jashtë vendit.

“Fëmijët që janë për radioterapi apo për transplant të palcës kurrizore i dërgojmë jashtë. Poashtu fëmijët që janë me rikthim të sëmundjes”, deklaron doktoresha për RTK-në.

Doktoresha thotë se të gjitha rastet urgjente që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, brenda një kohe të shkurtë 24 ose 48 orë plotësohen procedurat për t’i dërguar jashtë Kosovës.

Për këtë vit buxheti për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore ka qenë 6 milionë euro, ndërsa sipas zyrtarëve deri më tani rreth 80 për qind e këtij buxheti është shpenzuar. Nën moshën 18 vjeçare kanë qenë 137 raste për të cilët MSH ka paguar mbi 2 milionë e 455 mijë euro.