Rreth 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, vetëm 1 mijë e 700 aplikojnë për legalizim

Rreth 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, vetëm 1 mijë e 700 aplikojnë për legalizim

Aktuale shtator 12, 2019 - 16:36
Detajet

Vetëm edhe pesë ditë kohë u kanë mbetur kosovarëve për t’i legalizuar armët. E ndonëse numri i armëve ilegale në vend shkon në mbi 250 mijë, kërkesë për legalizim deri tani kanë bërë vetëm 1 mijë e 700 qytetarë, shumica e të cilëve janë nga Prishtina e Prizreni. Por, ky numër mund të rritet deri më 17 shtator, që është edhe afati i fundit për të aplikuar për legalizim. Ndryshe, kostoja totale për legalizim arrin vlerën e rreth 300 eurove.

Shtëpitë e kosovarëve po del të jenë të mbushura me armë ilegale.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 250 mijë armë ilegale aktualisht gjenden në duart e qytetarëve në gjithë vendin.

Kjo shifër dikur shkonte në mbi 350 mijë, por që me miratimin e ligjit për armët dhe sekuestrimin e tyre nga Policia, numri është ulur për rreth 100 mijë.

“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, thonë nga MPB.

Por, posedimi i armëve ilegale për disa prej qytetarëve të vendit duket se nuk ka fort rëndësi. Madje, shumica e tyre nuk janë fare të interesuar që t’i legalizojnë.

Zyrtari për media në MPB, Behar Haziraj i ka thënë Gazetës Express se që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri tash për legalizim kanë aplikuar vetëm 1 mijë e 700 qytetarë.

“Që nga 17 dhjetori 2018  deri me sot në ministri janë paraqitur / dorëzuar 1710 kërkesa për legalizim të armëve, ndërsa ka edhe të tjera që janë paraqitur në kompanitë kompetente dhe ende nuk janë dorëzuar në MPB. Janë lëshuar 1300 pëlqime ndërsa leje për këto armë ende nuk janë lëshuar sepse është një procedurë më e gjatë deri tek lëshimi i lejes dhe jemi duke punuar që sa më shpejt që është e mundur të fillojmë edhe lëshimin e lejeve të legalizimit. Armë me leje janë rreth 25000 dhe rreth 20000 armë të regjistruara”, ka thënë Haziri.

Interesim më të madh për t’i legalizuar armët, Haziri thotë se ka pasur nga qytetarët e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa më pak interesim kanë shfaqur banorët e Gjakovës dhe Mitrovicës.

Ai ka treguar edhe për koston që ka pasur legalizimi i armëve. Sipas tij, çmimet sillen nga 80 deri në rreth 300 euro.

“Janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurtë të armës dhe çmimet variojnë nga 150 deri 250 euro për pistoletën, ndërsa 80 deri 150 euro varion çmimi i trajnimit për armët e gjata për gjueti”, thuhet në përgjigjet e Hazirit drejtuar Gazetës Express.

E pavarësisht se numri i kërkesave për legalizim nuk e kalon 2 mijëshin, në Ministrinë e Punëve të Brendshme po e vlerësojnë si të suksesshme këtë fushatë.

“MBP vlerëson si proces të qëlluar dhe e konsideron të suksesshëm sepse nuk është numër i vogël i kërkesave të paraqitura deri më tani, duke e parë se qytetarët çdo ditë janë duke u vetëdijësuar dhe vazhdimisht është duke u rritur besimi i qytetarëve në qëllimin e drejtë dhe transparent të legalizimit të armëve”, deklaron Haziri.

Ndërkohë, në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtyre muajve ata kanë konfiskuar rreth 1 mijë armë të llojeve të ndryshme dhe mbi 11 mijë copë municion.

 “Policia, për të krijuar ambient me të qetë, gjatë aktiviteteve dhe angazhimeve ditore, gjatë veprimeve operative dhe hetimore, në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 armë të llojeve të ndryshme dhe 23941 municion i kalibrave të ndryshme, kurse gjatë këtij tetë mujori, policia  ka konfiskuara  996 armë të llojeve të ndryshme dhe 11192 copë municion”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar gazetës.

Ndryshe, gjatë kohës sa zgjat fushata për legalizimin e armëve pa leje, me vendim të ministrit të këtij dikasteri, Ekrem Mustafa, është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili, në paragrafin një, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim 2 deri në 10 vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.