Pse tre kryetarë të komunave duan karrigen e deputetit?
Foto: Laura Hasani

Pse tre kryetarë të komunave duan karrigen e deputetit?

Aktuale shtator 12, 2019 - 08:25
Detajet

Tre kryetarë të komunave të Kosovës ia kanë mësyrë postit të deputetit, ndonëse mandati i tyre në komunat përkatëse nuk përfundon edhe dy vjet. Njohësit e rrethanave politike kandidimin e tyre e shohin si strategji të partive për të tërhequr vota, shkruan gazeta "Zëri".

Doruntina Thaqi/ Prishtinë

Tre kryetarë të komunave të Kosovës ia kanë vënë syrin karriges së deputetit në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, kryetari i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Obiliqit Xhafer Gashi kanë nisur fushatën e tyre për mandatin e deputetit, ndonëse po lënë në gjysmë mandatet e tyre në komunat përkatëse. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se kandidatura e tyre është vetëm strategji e partisë për të mbledhur sa më shumë vota. Ata thonë se në këtë mënyrë po deformohet vullneti qytetar, pasi në të gjitha rastet kryetarët e komunave ua lënë mandatet e fituara të tjerëve në parti.

Ismajli: Do ta lë Shtimen për mandatin e deputetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti (PSD) ia ka mësyrë për herë të tretë garës për deputet, ndonëse në dy palë zgjedhjesh të kaluara ai kishte tradhtuar besimin e qytetarëve duke lënë postin e deputetit për atë të kryetarit. Ndonëse në zgjedhjet e kaluara Ahmeti, i cili garoi në listën e Vetëvendosjes, kishte mbledhur 76 mijë vota në karrigen e tij të deputetit u ul bashkëpartiaku i tij Xhelal Sveçla, i cili nuk kishte arritur të mblidhte më shumë se 6.747 vota.

Gazeta “Zëri” ka tentuar të bisedojë me Ahmetin rreth kandidimit të tij për deputet për zgjedhjet e 6 tetorit, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar për gazetën “Zëri” se kandidimi i tij për deputet të Kuvendit të Kosovës nuk është i rastësishëm, ndonëse akoma ka mandat si kryetar komune. Planet e tij kanë qenë të kandidohet në zgjedhje të rregullta, por është detyruar të kandidojë tani meqë vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme. “Përcaktimi im për zgjedhjet e rregullta nacionale ka qenë që unë të kandidohem për deputet, mirëpo ndodhi që më 6 tetor të kemi zgjedhje të parakohshme dhe kjo është arsyeja. Mendoj se eksperiencën time, angazhimin dhe gjithë punën time ta bart edhe si deputet. Qytetarët e Shtimes e kanë mirëpritur kandidimin tim”, tha ai.

I pyetur nga gazeta se a po lihet anash Komuna në fushatën e tij për të fituar mandatin e deputetit, Ismajli tha se një gjë e tillë do të ndodhë edhe në komunat ku kryetarët nuk janë në garë për deputetë, ngase do të jenë të angazhuar në fushatë. “Edhe kryetarët e komunave të tjera, që nuk janë drejtpërdrejt në fushatë për këto 10 ditë, do të jenë të angazhuar në fushatë”, ka thënë ai.

Në rast se Ismajli do t’i fitojë votat e nevojshme për deputet, ai do ta tradhtojë besimin e qytetarëve të komunës së Shtimes, të cilët ia besuan mandatin katërvjeçar si kryetar komune. “Vendimi im është marrë, do të tërhiqem nga posti i kryetarit”.

Gashi: Kryesia ka vendosur që unë të kandidohem

Ndërkohë kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke folur për gazetën “Zëri” ka thënë se kandidimi i tij për deputet të Kuvendit të Kosovës ka qenë vullnet i Këshillit Drejtues të Partisë. “Ky ka qenë vullneti i Këshillit Drejtues të Partisë, pastaj edhe të Kryesisë në Obiliq që ne të jemi pjesë e garës edhe për nivelin qendror e pastaj të shohim pas shpalljes së rezultateve”, ka thënë ai, shkruan gazeta "Zëri".

I pyetur nëse kandidmi i tij nga Kryesia është bërë vetëm sa për të mbledhur vota, Gashi ka thënë se ai po kandidohet vetëm pse Kryesia ia ka kërkuar. “Jo, normalisht jo, por Këshilli Drejtues ka vendosur që të jem pjesë dhe do të jem pjesë”, tha ai.

Kurse i pyetur se a do ta lërë postin e tij si kryetar komune për mandatin e deputetit, Gashi tha se edhe kjo do të varet nga Kryesia. “Kjo varet prapë nga Kryesia dhe do ta diskutojmë për ecurinë e mëtutjeshme”, ka përfunduar ai.

Analistët: Kandidimi i kryetarëve të komunave, strategji për të mbledhur vota

Valmir Ismaili, nga “Demokracia Plus”, ka thënë për “Zërin” se kandidimi i kryetarëve të komunave për deputetë të Kuvendit të Kosovës po bëhet vetëm sa për të mbledhur vota për partitë përkatëse. Sipas tij, kryetarët e komunave nuk do të duhej të futeshin në listat zgjedhore për deputetë, pasi ata kanë kontratë me qytetarët e komunave të tyre. “Nuk ka asnjë logjikë që një kryetar komune, i cili tashmë është në gjysmë të mandatit, të futet në listë të kandidatëve për deputetë. Shihet qartë se kjo po bëhet për të siguruar ndonjë votë më shumë për subjektet politike të tyre përkatëse, por elektorati nuk do të duhej të votonte persona të tillë dhe do të duhej t’i ndëshkonte me votë edhe këta kandidatë, por edhe subjektet politike që bëjnë lojëra të tilla. Këta kandidatë kanë një kontratë me qytetarët e komunave të tyre për t’i përmbushur premtimet e tyre elektorale”, tha ai.

Ismaili tutje tha se në listat ku subjektet politike janë duke garuar në koalicion kjo matematikë mundet potencialisht t’i dëmtojë kandidatët e subjektit politik të kandidatit, i cili mban edhe pozitën e kryetarit të komunës (gjithmonë duke supozuar që ky kandidat merr vota për t’u zgjedhur, por vendos të mos e mbajë postin e deputetit). Në këtë variant, sipas Ismailit, nëse kryetari i Komunës që zgjidhet deputet vendos të mos e mbajë këtë pozitë, atëherë kandidati tjetër në listë mund të jetë nga subjekti tjetër politik në koalicion. Sipas tij, prezenca e këtyre kandidatëve në listë do të thotë një mundësi më pak për votuesit potencialë të subjekteve të tyre politike.

Edhe Rasim Alija, njohës i rrethanave politike, ka thënë se lista e kandidatëve të subjekteve politike me kryetarë komunash është strategji për mbledhjen e sa më shumë votave në terren për partitë e tyre. “Duke qenë se janë testuar në zgjedhje lokale dhe rrjedhimisht e kanë një elektorat në komunat prej nga vijnë, kjo shfrytëzohet nga partitë politike, deri në nivel deformimi të vullnetit qytetar”, ka thënë ai, shkruan gazeta "Zëri".

Alija ka thënë se gjatë kohës së fushatës në komunat ku kryetarët janë kandidatë për deputetë do të paralizohet puna duke qenë se ata do të jenë të angazhuar për mbledhjen e votave. “Jo vetëm që kandidimi i kryetarëve të komunave paralizon nivelin lokal, por edhe e gjithë administrata e strukturat tjera vihen në dispozicion të kryetarëve, të cilët garojnë”, tha Alija.

Tutje ai tha se “efekti i dytë është deformimi i vullnetit qytetar, sepse në të gjitha rastet kryetarët e komunave ua lënë mandatet e fituara të tjerëve në parti. Pra marrin vota në emër të tyre, por atë vullnet e delegojnë te partia dhe te kandidatët tjerë në listë”./ZËRI