Ekonomia e anashkaluar nga politikanët
Fotot: Laura Hasani

Ekonomia e anashkaluar nga politikanët

Aktuale shtator 12, 2019 - 08:20
Detajet
Image

Përfaqësuesit e partive politike, që pritet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sikurse herëve të kaluara edhe para zgjedhjeve të tetorit e kanë vendosur në plan dytësor zhvillimin ekonomik. Ekspertë të fushës vlerësojnë se politikanët po e vazhdojnë avazin e vjetër, duke u marrë sërish me tema që nuk janë prioritet i qytetarëve, shkruan gazeta "Zëri".

Caktimi i datës 25 shtator për fillimin e fushatës zgjedhore nuk i ka penguar partitë politike që fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit ta nisin para kohe. Përkundrazi, përfaqësuesit e subjekteve politike javët e fundit kanë shpeshtuar tubimet elektorale me qytetarë dhe kanë dhënë zotime të njëpasnjëshme para tyre. Lufta ndaj korrupsionit ka qenë kryezotimi i kandidatëve të partive për kryeministër të Republikës së Kosovës javët e fundit, porse nuk kanë munguar as premtimet e atilla që për nëntë vjet rresht po u shërbehen qytetarëve, siç është ai për heqjen e vizave. Por në tërë këtë parafushatë nuk kanë zënë vend të mjaftueshëm idetë konkrete për zhvillim ekonomik të vendit. Kështu konsiderojnë ekspertët e fushës së ekonomisë, të cilët thonë se ky sektor vazhdimisht është vendosur në plan të dytë, duke mos qenë asnjëherë prioritet as i partive e as i qeverisjeve të deritanishme.

Agjenda e politikanëve, jashtë temave që janë prioritet i qytetarëve

Agjenda elektorale në Kosovë, ngjashëm me zgjedhjet e kaluara, po dominohet nga temat që nuk janë preokupim kryesor i qytetarëve të Kosovës. Kështu ka konsideruar Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, i cili ka thënë se në agjendën e politikanëve po zënë vend temat e tjera, siç është çështja e dialogut me Serbinë. “Agjendat politike në Kosovë po dominohen nga gjoja lufta kundër korrupsionit, nga ata që kanë pasur mundësi ta luftojnë korrupsionin e nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe nga agjenda e dialogut, i cili po përdoret si mburojë për t’i fshehur problemet e brendshme me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare. Ato janë mungesa e zhvillimit dhe perspektiva e të rinjve, mjedisi katastrofal i arsimit dhe shëndetësisë dhe sistemi i drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Lënia e zhvillimit ekonomik në plan të dytë sipas Gashit ndodh pasi partitë politike e kanë shumë më të lehtë të merren me tema populiste sesa me çështje të atilla siç është zhvillimi ekonomik i vendit. “Problemi kryesor në një shoqëri është se si ta zhvillojë ekonominë. Por në fakt temat populiste janë zakonisht tema më të lehta për t’u realizuar për arsye se zakonisht ata që janë të paaftë për ta zhvilluar shoqërinë zakonisht merren me tema populiste - nacionaliste, të cilat konsumohen nga qytetarët dhe nga votuesit e tyre potencialë”, është shprehur ai.

Nëse synohet të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, sipas ekspertit të ekonomisë, duhet të ketë përkushtim, ide dhe funksionim të mirëfilltë të shtetit.

Por korrupsioni dhe dialogu sipas Gashit edhe në zgjedhjet e kaluara kanë qenë temat kryesore që janë ngritur nga politikanët, por ekonomia sipas tij fatkeqësisht nuk ka qenë as atëherë, as tash tema kryesore.

Zotimet e konsumuara për rritje të prodhimit vendor

Pavarësisht kritikave të ekspertëve, PDK-ja, kryetari i së cilës po vazhdon të zotohet për luftë ndaj korrupsionit, konsideron se zhvillimi ekonomik nuk është lënë anash. Përkundrazi, sipas përfaqësuesve të këtij subjekti, lufta ndaj korrupsionit, të cilën në vazhdimësi e ka përmendur kandidati për kryeministër nga ky subjekt Kadri Veseli, është një hap konkret që do të çojë drejt zhvillimit ekonomik. “Lufta kundër korrupsionit është zhvillim ekonomik, duke luftuar korrupsionin lufton për zhvillim ekonomik, sepse çdo dukuri negative, çdo veprim negativ që bëhet në shoqëri njëkohësisht ndikon edhe në zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar kandidatja për deputete e PDK-së Safete Hadërgjonaj, e cila në legjislaturën e kaluar ka qenë zëvendëskryetare e parë e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Në këtë drejtim, Hadërgjonaj ka thënë se PDK-ja ka prioritete të shumta sa i takon planit zhvillimor. “Prioritet numër një do të jetë ekonomia e tregut dhe duke i dhënë përparësi zhvillimit të sektorit privat. Zhvillimi i sektorit privat ngërthen një varg aktivitetesh, të cilat do të ndërmerren në mënyrë që të ketë prioritet. Kërkon kuadro pak më specifik, që do t’i qaset sektorit privat, politika fiskale që do të jenë më të favorshme për ta zhvilluar këtë sektor”, ka potencuar ajo, shkruan gazeta "Zëri".

Gjithashtu plan tjetër sipas saj është edhe rritja e prodhimit vendor dhe zbutja e importit të produkteve që vijnë nga jashtë. Megjithëkëtë kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ndonëse në shumicën e deklarimeve të tij të fundit ka folur për luftën ndaj korrupsionit, nuk ka paraqitur ndonjë plan më të detajuar që do të siguronte zhvillim ekonomik të vendit.

Thirrja në meritat për zhvillimin ekonomik

Zyrtarët e LDK-së konsiderojnë se kjo parti ka bërë më së shumti sa i përket zhvillimit ekonomik, ndonëse kandidatja e tyre për kryeministre Vjosa Osmani në pjesën dërrmuese të deklarimeve të fundit ka folur për moskapjen e shtetit. “LDK-ja fatbardhësisht nuk ka nevojë të merret me temën kundër korrupsionit, sepse LDK-ja në vazhdimësi sa herë ka pasur mundësi dhe ka qenë në pushtet ka dhënë dëshmi se me masa konkrete e ka luftuar korrupsionin. Pikërisht sa i përket programit LDK-ja njihet për program ekonomik, për ekspertët që i ka”, ka deklaruar Besa Gaxherri, kandidate e LDK-së për deputete.

Në kuadër të kësaj, Gaxherri ka thënë se LDK-ja shumë shpejt do ta bëjë publik programin e saj, me të cilin do të garojë në zgjedhje. “Natyrisht që LDK-ja e sheh zhvillimin e tërësishëm të Kosovës përmes zhvillimit ekonomik. Është e vërtetë që ne duhet të dalim me program, ai është i gatshëm. Këto ditë ai do të fillojë të shpaloset”, është shprehur ajo, e cila ka shtuar se Kosova ka pasur zhvillim të dukshëm ekonomik në kohën sa ka qeverisur LDK-ja, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkohë edhe kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, pa reshtur ka përmendur moskapjen e shtetit javët e fundit, ndonëse ka paraqitur edhe disa ide për zhvillimin ekonomik. Teksa ka folur rreth këtyre, politologu Belul Beqaj ka thënë se ndonëse zhvillimi ekonomik varet edhe nga lufta ndaj korrupsionit, problemi ekziston te fakti që kjo luftë është vetëm pretekst manipulues i fushatës zgjedhore. Një praktikë e tillë sipas tij ndiqet veçmas nga ato subjekte dhe individë të cilët pozitat e tyre i kanë përforcuar pikërisht në saje të korrupsionit.

Beqaj më tej nuk ka lënë pa kritikuar partitë politike për propagandën e përdorur ndaj njëra-tjetrës. “Në mungesë të alternativave programore që japin përgjigje për nevojat dhe interesat e qytetarëve, subjektet politike po merren me njëra- tjetrën. Kjo tregon fytyrën e tyre të vërtetë, paaftësinë dhe mosinteresimin për të kërkuar zgjidhje për problemet ekzistenciale të qytetarëve”, ka nënvizuar ai./ZËRI