Gruas së dëshmorit i kontestohet e drejta për strehim

Gruas së dëshmorit i kontestohet e drejta për strehim

Aktuale shtator 11, 2019 - 08:04
Detajet
Image

Gruaja e dëshmorit Mehmet Saliuku, nga Gradica e Drenasit, Minire Saliuku, ka paralajmëruar fundin tragjik të jetës së saj, për shkak se është lodhur dhe se nuk ka fuqi më të luftojë për të drejtën e strehimit e të shkollimit për fëmijët, të cilën ia mohon Komuna e Drenasit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lufta për të nuk ka mbaruar, ndonëse janë bërë 21 vjet qëkur bashkëshorti i saj, Mehmeti, spërkati dheun e Kosovës me gjakun e tij të njomë.

LEXO EDHE: Lista Serbe ngjall frikë te serbët e Kosovës

Krahas luftës me kancerin, si dhe përpjekjeve të vazhdueshme për shërimin e vajzës, Heroina, e cila si pasojë e plagosjes në luftë duket sikur 5-vjeçare ndonëse është 20 vjeçe, 42-vjeçarja Minire Saliuku luftën e bën me ata që ia mohojnë të drejtën për strehim, me ata që duan t’ia marrin banesën, të cilën Komuna e Drenasit në kohën kur me të ka qeverisur Nexhat Demaku ia kishte dhënë në shfrytëzim.

Ajo shprehet me shumë mllef ndaj kryetarit aktual të Drenasit Ramiz Lladrovcit, i cili siç thotë Minirja “ia ka shkatërruar jetën”. Më e keqja në krejt këtë, siç thotë ajo, “është se Lladrovci arrin t’ua mbushë mendjen të gjithëve se më ka ofruar zgjidhje”.

“Shko rrno në bjeshkë të Gradicës”

“Shko e rrno në bjeshkë të Gradicës, atje keni tokë, të nimojna me ta maru shpinë”, citon Minirja fjalët që ia kishte thënë Ramiz Lladrovci kur ajo i kishte shkuar në shtëpi për ta kërkuar ndihmën e tij.

Ai nuk kishte dëshiruar ta dëgjonte gruan e dëshmorit, e cila përpiqej t’i tregonte se nuk ka kurrfarë prone në Gradicë, se i duhet trajtimi i rregullt mjekësor për të (sëmundja e kancerit ka përparuar) dhe për vajzën.

Gjithashtu, siç thotë Minirja, nga Lladrovci ka kërkuar që shtëpinë t’ia ndërtojnë në truallin që i është ndarë familjes së saj në Poklek e ku u janë ndarë troje të gjitha familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, por Lladrovci, i cili gjithashtu në Poklek ka trojet që i janë dhënë për Fehmi e Xhevë Lladrovcin, kishte refuzuar, duke fajësuar pushtetin e kaluar se trojet për kategoritë e luftës janë ndarë paligjshëm.

“Këtë banesë në të cilën jam ma ka dhanë vetë Komuna, ata m’i kanë dhanë çelësat e kësaj banese si zgjidhje momentale, sepse kanë pare se nuk kam nga të shkojë. Nuk më kanë dhanë letër, por këtu jam për mbi 5 vjet. Tani ka ardhur kryetari e më thotë me dalë në rrugë, unë me vajzën e sëmurë dhe me djalë. Nuk më ka pranuar me bisedu me të më kurrë, bile më ka quajtur të pandërgjegjshme, sepse e ‘paskna uzurpuar pronën e Komunës’ e komuna vetë m’i ka dhënë çelësat”.

Minirja: Komuna përpiqet t’i bëjë zgjidhje një minoritareje, mua jo

“I kam nejt të dera. Lladrovci, se të tjerët aty nuk pyetën gjë, përpiqet t’i bëjë zgjidhje për banesë një gruaje serbe ose boshnjake, nuk e di çka është, ndërsa për një familje të dëshmorit, e cila përballet me shumë probleme jetësore, mbi të gjitha me sëmundje që nuk kanë shërim, as që ia nin. Tanimë është kërcënuar edhe me Polici se do të më dëboj nga banesa, e së fundi më ka dorëzu në gjykatë. Kam bindjen se gjykata do të vendosë ashtu siç i thotë Ramiz Lladrovci, sepse ky e ka fuqinë, nuk ta këqyr ky as ligjin as kurrgjë hiç, këtij fare s’i bën për obligimin që ka shteti ndaj familjeve të dëshmorëve, për t’ua zgjidhur problemin e banimit, për t’ua siguruar shkollimin. Unë jam familja dëshmori e vetme në Kosovë që shteti asnjë prej këtyre nuk i ka siguruar. Nëse është pronë e Komunës kjo banesë, edhe unë jam e komunës, bile më shumë se ne familjet e dëshmorëve nuk janë të komunës askush tjetër”, shprehet Minirja.

Ajo shton se ka trokitur në shumë dyer, i ka lutur të gjithë ata që ka menduar se mund ta ndihmojnë.

“Kam shku derë me derë, kam kërkuar ndihmën e shoqatave të luftës, kam kërkuar ndihmën e Sami Lushtakut, i kam shkruar edhe Kadri Veselit, i kam thënë edhe deputetes Ganimete Musliu, por askush nuk është interesu për ne. Kam qenë edhe në Prishtinë (të premten) në zyrat e PDK-së, kam dashur ta takojë Kadri Veselin, ta lus që të më ndihmoj, sepse PDK-ja i ka dhanë vetes detyrë t’i zgjidhë problemet e kategorive të luftës. Nuk kam arritur ta takoj. Fola me deputetin Mërgim Lushtaku, ai ndodhej në zyra, ia shpjegova situatën, më premtoi se do të bisedojë me Kadri Veselin. I kam shkru edhe kryetarit të ri të PDK-së, Sejdi Hoxha, por ai ma ktheu menjëherë përgjigjen: ‘fola me Ramiz Lladrovcin, më tha se të kanë ofru zgjidhje po t’i se ke pranu’. Tani e shoh që më nuk kam asnjë rrugë, këta dy fëmijë lë të mbesin në duar të tyre, unë më nuk kam fuqi të luftoj edhe nuk kam rrugë tjetër. Vetëm të shoh çfarë po vendos gjykata, nëse edhe ata veprojnë si Lladrovci, nëse gjykata vendos që unë me fëmijë me dalë në rrugë, atëherë më mbetet vetëm një rrugë: të bie nga ballkoni i banesës dhe t’i jap fund jetës. Është fundi, mjaft më”, alarmon ajo.

Shoqatat e dala nga lufta: Zgjidhja është aty, banesën e kanë qe 5 vjet

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me kryetarin e Degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, dhe në pyetjen se çfarë do të bëjë PDK-ja dhe ai si kryetar për ta zgjidhur problemin e familjes së dëshmorit Mehmet Saliuku është përgjigjur:

“Sa u përket kategorive të dala nga lufta unë mbaj qëndrimin që ka PDK-ja, ndërsa për çështjet që kanë të bëjnë me Komunën mund t’i kontaktoni autoritetet komunale”.

Ndërkaq në Komunën e Drenasit i thanë “Zërit” se 9 lëndë, në mesin e të cilave edhe ajo e Minire Saliukut dhe e gruas minoritare janë dorëzuar në gjykatë.

“Komisioni i ngarkuar për këtë çështje ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe më datën 24 korrik 2019 ka dalë në terren për të vërtetuar nëse uzurpatorët kanë vepruar në respektim të aktvendimit. Gjendja në terren konfirmoi që nga 16 aktvendimet e lëshuara, 7 banesa janë liruar, 2 janë në fakt mbindërtim, 1 rast me minoritare të vetme e cila është vendosur në Qendrën për Integrim pas marrëveshjes me përfaqësuesin e kësaj Qendre dhe e cila pas vendosjes së saj në këtë Qendër dhe dhënies së pëlqimit të saj, pavarësisht kushteve ideale, të banimit, të ushqimit dhe të përkujdesjes shëndetësore ka refuzuar të qëndrojë aty.

Ajo ka refuzuar edhe më herët për vendosje në Qendrën e Pleqve në Prishtinë.

Ndërsa gjashtë uzurpatorë, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe zonja Saliuku, nuk kanë liruar pronën komunale dhe për këtë çështje Komisioni ka rekomanduar që ndaj tyre të zhvillohen procedurat e parapara penale gjyqësore nga organi kompetent”, ka sqaruar Arben Shala nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Drenasit.

Në anën tjetër, shoqatat e dala nga lufta në komunën e Drenasit thonë se janë të njoftuar me rastin. Zeqir Elshani, kryetar i Degës së SHFD-së në Drenas, i tha “Zërit” se gjendja e familjes së dëshmorit Mehmet Saliuku është e mjerueshme.

“Gruaja është e sëmurë nga kanceri, vajza ka mbetur e vogël me trup si pasojë e plagosjes në luftë dhe vazhdimisht merr trajtim mjekësor, kjo familje nuk ka ku të strehohet, Komuna nuk i bën zgjidhje, edhe pse ne kemi insistuar. Në fakt zgjidhja është aty, ajo jeton që 5 vjet në banesën që vetë ia ka dhënë Komuna, por tash po duan ta largojnë. Nuk kam dëgjuar që ka ndonjë rast si ky, përpiqemi por ne nuk kemi fuqi”, thotë Elshani.

E në shoqatat e dala nga lufta thonë se edhe ata kanë problem me Komunën dhe me Ramiz Lladrovcin, pasi edhe ata i ka dërguar në gjykatë për tri banesa që Kuvendi i Drenasit ka vendosur t’ua ndajë tri shoqatave për stafin që punon aty, në kohën kur me Komunën e Drenasit ka qeverisur Nexhat Demaku.