Lista Serbe ngjall frikë te serbët e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe ngjall frikë te serbët e Kosovës

Aktuale September 11, 2019 - 08:00
Detajet

Lista Serbe, për shkak të shtrirjes së saj dominuese, pritet të triumfojë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas njohësve të rrethanave politike, qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë guxim të votojnë një parti tjetër, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Doruntina Thaçi

Në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të garojnë katër subjekte politike serbe për 10 ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Si edhe në zgjedhjet e kaluara, Lista Serbe pritet të dominojë kundrejt Partisë së Pavarur Liberale, Partisë së Serbëve të Kosovës dhe koalicionit “Liria”. Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike.

LEXO EDHE: Rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhje

Sipas tyre, Lista Serbe ka ngjallur frikë në komunitetin serb në Kosovë.

Sipas analizave të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka pak gjasa të zbehet dominimi i Listës Serbe, pasi siç thonë ata qytetarët serbë s’kanë guxim të votojnë kundër Listës Serbe.

Lista Serbe, e mbështetur fuqishëm nga Vuçiqi

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ditë më parë ka deklaruar se ky subjekt politik sërish do ta ketë mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar për këto zgjedhje.

“Me krenari dëshiroj të them se Lista Serbe edhe kësaj here do ta ketë mbështetjen e fuqishme të shtetit të Serbisë dhe të kryetarit të saj Aleksandar Vuçiq njëkohësisht, pavarësisht sulmeve jo nga partitë politike, por nga individë serbë, të cilët interesin personal e kanë mbi interesin nacional dhe të cilët, siç duket, shtetin e Serbisë nuk e kanë atdhe”, ka theksuar Rakiqi.

Ndërkaq Lideri i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, ka thënë se në programin e kësaj partie ka qenë dhe mbetet mbijetesa e bashkësisë serbe në këto hapësira, fuqizimi i kualitetit të jetës së njerëzve, siguria dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë.

“Por ajo që është esenca dhe themeli, si dhe fundja arsyeja pse jemi futur në politikë tash e 14 vjet, është mbijetesa e bashkësisë sonë në këtë hapësirë, sepse ne dëshirojmë të mbetemi dhe jetojmë këtu së bashku me fqinjët tanë. Me ta dëshirojmë të ndajmë të mirën dhe të keqen dhe te ne këto gjëra janë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, ka thënë Petroviqi.

“Serbët e Kosovës s’kanë guxim të votojnë kundër Listës Serbe”

Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, duke folur për gazetën “Zëri” ka thënë se në bazë të hulumtimeve që ky institut ka bërë ka pak gjasa që rezultati të ndryshojë në komunat me shumicë serbe. Sipas tij, Lista Serbe do të vazhdojë të dominojë.

“Në bazë të statistikave dhe hulumtimeve që jemi duke i bërë si institut lidhur me format dhe veprimet të cilat janë prezente, unë jam shumë skeptik që partitë tjera politike ose më mirë të them koalicioni ‘Liria’, Partia e Pavarur Liberale dhe Partia e Serbëve të Kosovës do të arrijnë ndonjë sukses në bazë të asaj çfarë kam parë deri më tani”, ka deklaruar ai.

Sheholli thotë se çdo ditë u arrijnë informata se qëndrimi i Listës Serbe dhe i zyrtarëve të Beogradit mbetet po i njëjti siç ka qenë edhe më herët. Sipas tij, do të jetë i vështirë edhe lobimi për partitë tjera, duke qenë se Lista Serbe ka dhjetë kryetarë komunash që do të lobojnë për LS-në. Më tutje Sheholli ka thënë se serbët e Kosovës, duke i parë vështirësitë që ua krijon Beogradi e Lista Serbe atyre që kundërshtojnë këtë subjekt politik, nuk do të kenë guximin të votojnë kundër Listës Serbe.

“Lista Serbe e ka në mënyrë absolute përkrahjen e Beogradit, kurse ndaj të gjithë të tjerëve ka momente që u bëjnë ndalesa në kufij dhe probleme të tilla. Kur serbët e Kosovës i shohin këto sjellje në kufij, t’ua them të drejtën në bazë të analizave shohim se serbët e Kosovës vështirë e kanë të guxojnë të votojnë për ndonjë parti tjetër që nuk është Lista Serbe”, ka thënë ai.

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, ka thënë për gazetën “Zëri” se pozicioni dominues i Listës Serbe mund të ndryshojë vetëm nëse qytetarët kanë guxim të votojnë të lirë.

“Nëse do të ketë besim dhe guxim qytetari t’ua japë votën liderëve të tjerë që janë bashkuar me një grup i cili është ‘anti’ Lista Serbe dhe ‘anti’ dirigjim nga Beogradi do të pritej ndryshimi. Nëse kanë parasysh interesat e drejtpërdrejta të tyre në institucionet e Kosovës, t’i votojnë ata që janë të zgjedhur nga vullneti qytetar pa ndikime nga jashtë, atëherë do të ketë ndryshim dhe Lista Serbe do të kishte një pozicion tjetër nga ai dominues që e ka”, ka thënë ai.

Sipas tij, Lista Serbe ka ngjallur frikë te shumica serbe, prandaj qytetarët e kanë të vështirë të japin lirshëm votën e tyre.

“Shembuj të tillë si ai në Shtërpcë, ku punëtori largohet nga puna pa asnjë bazë ligjore, vetëm pse është pjesë e një subjekti tjetër politik, flet shumë për pozitën e vështirë dhe të pavolitshme të votuesit të komunitetit serb në Kosovë dhe mundësisë që lirshëm ta japin votën”, ka përfunduar ai.