Rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhje

Rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhje

Aktuale September 11, 2019 - 07:56
Detajet
Image

Dhjetëra-mija vëzhgues e komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhjet e 6 tetorit, në mënyrë që të parandalohet manipulimi i votave. Përpos vëzhguesve të partive politike dhe organizatave joqeveritare, gjatë zgjedhjeve nacionale pritet që në Kosovë të qëndrojë edhe një mision vëzhgues nga BE-ja, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të angazhohet një numër i madh i vëzhguesve dhe komisionarëve.

Ndonëse ende nuk është caktuar numri i saktë tyre, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë thënë për gazetën se numri i vëzhguesve dhe komisionarëve pritet të jetë i ngjashëm sikurse në zgjedhjet e 2017-s.

LEXO EDHE: Politikanët e tërhequr

Ndërkohë në zgjedhjet nacionale të mbajtura para dy vjetësh ishin angazhuar rreth 30 mijë vëzhgues dhe rreth 20 mijë komisionarë, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Në kuadër të kësaj përfaqësues të  rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) kanë bërë të ditur se vetëm nga DnV-ja do të jenë të angazhuar rreth 3 mijë vëzhgues gjatë procesit zgjedhor.

Kurse zyrtarë të OSBE-së kanë thënë për gazetën se roli i tyre në zgjedhjet e tetorit do të jetë vetëm konsultativ, jo vëzhgues. Në anën tjetër, për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, këtë vit do të ketë katër qendra të votimit më pak, pasi tashmë është marrë vendim që dy qendra në Istog, një në Obiliq dhe një në Novobërdë të mbyllen, meqë nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara me legjislacionin në fuqi.

Çdo subjekt ka të drejtë t’i angazhojë dy vëzhgues në secilin vendvotim

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se KQZ-ja ende nuk i ka të dhënat lidhur me numrin e saktë të vëzhguesve dhe të komisionarëve që do të angazhohen në zgjedhje.

Kjo pasi që emërimi i këshillave të vendvotimit (komisionarët) do të bëhet në një fazë të mëvonshme të procesit zgjedhor, ndërkohë, siç është shprehur ai, ende nuk është përmbyllur afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve.

Aplikimi për vëzhgim të procesit zgjedhor për OJQ-të vendore, siç ka njoftuar Elezi, përfundon më 27 shtator, ndërsa për organizata dhe misione ndërkombëtare përfundon më 1 tetor. Por pavarësisht kësaj, në zgjedhjet e kaluara kanë marrë pjesë rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë.

“Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës (2017) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte akredituar rreth 30 mijë vëzhgues”, ka nënvizuar Elezi, teksa ka shtuar se në zgjedhjet e 2017-s kanë qenë të angazhuar edhe rreth 20 mijë komisionarë.

Pavarësisht faktit që ende nuk është caktuar numri i vëzhguesve dhe komisionarëve për zgjedhjet e sivjetme, anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Adnan Rrustemi, ka thënë se numri i tyre edhe në këto zgjedhje pritet të jetë i ngjashëm sikurse në zgjedhjet e kaluara.

“Pak a shumë shkon sikur në zgjedhjet e shkuara, për shkak se numri i qendrave të votimit nuk dallon shumë dhe nuk do të dallojë as numri i vendvotimeve. Nuk është se do të jetë identik, por nuk do të ketë rritje të madhe. Por megjithatë sa u përket vëzhguesve, krejt varet me çfarë shifrash paraqiten subjektet politike, por edhe sa subjekte politike certifikohen”, ka thënë Rrustemi.

Megjithatë, anëtari i KQZ-së ka thënë se nuk duhet harruar fakti që këtë herë ka më shumë parti politike shqiptare të certifikuara sesa që kishte më 2017-n. “Në 2017-n kishim dy koalicione dhe LVV-në, ndërkohë aktualisht kemi dy koalicione dhe tri parti të tjera politike”, ka shtuar ai.

Rrustemi më tutje ka bërë të ditur se çdo subjekt politik që certifikohet për zgjedhje ka të drejtë të ketë më së shumti dy vëzhgues për çdo vendvotim.

“Subjektet politike janë të lira të akreditojnë aq sa ata kanë nevojë, kapacitet dhe interesim, por të pranishëm në vendvotime mund të kenë jo më shumë se dy, varësisht prej specifikave të vendvotimeve”, është shprehur ai.

Rreth 3 mijë vëzhgues nga DnV-ja në zgjedhjet e tetorit

Eugen Cakolli, nga rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” (DnV), ka thënë se edhe zgjedhjet e 6 tetorit, sikurse ato të kaluarat, do të vëzhgohen nga DnV-ja. Në këtë drejtim, siç ka bërë të ditur Cakolli, do të jenë të angazhuar rreth 3 mijë vëzhgues.

“Do të ketë të angazhuar rreth 3 mijë vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të jenë të vendosur në secilën prej 2500 vendvotimesh sa presim që të jenë në këto zgjedhje. Përveç tyre, do të jenë të angazhuar edhe rreth 100 vëzhgues afatgjatë, koordinatorë të tjerë, që do ta monitorojnë fushatën parazgjedhore, si dhe shpenzimet e partive gjatë fushatës zyrtare zgjedhore”, ka deklaruar ai.

Po ashtu DnV-ja, siç ka njoftuar Cakolli, do ta ketë edhe një qendër të thirrjeve, ku 200 vullnetarë do të marrin pjesë për të marrë të dhëna nga terreni dhe për të raportuar për publikun në mënyrë sa më të shpejtë të jetë e mundur.

OSBE-ja me rol këshillues në zgjedhje

Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk pritet ta vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, porse do të ofrojë këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve.

“Në pajtim me kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ofrojë këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve dhe do t’u ofrojë mbështetje teknike në ditën e zgjedhjeve këshillave të vendvotimeve në katër komunat veriore. OSBE-ja nuk është vëzhgues i zgjedhjeve, por ndihmës teknik, pra ka një rol teknik konsultativ, ashtu siç është kërkuar nga KQZ-ja”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të OSBE-së dhënë “Zërit”.

Misioni i OSBE-së, siç është bërë e ditur më tej, do ta angazhojë personelin e tij zgjedhor në komisionet komunale të zgjedhjeve.

“Stafi ynë do të marrë pjesë rregullisht në takimet dhe në aktivitetet e katër KKZ-ve dhe do të ofrojë këshilla aty për aty lidhur me rregullat dhe rregulloret mbi punën e KKZ-ve. Praktikisht personeli ynë do të jetë i pranishëm dhe do të ofrojë këshilla përderisa KKZ-të i kryejnë aktivitetet e tyre”, është potencuar më tutje në përgjigje.

Katër qendra të votimit më pak se në zgjedhjet 2017

Nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se në zgjedhjet e këtij viti do të ketë katër qendra të votimit më pak sesa në zgjedhjet e 2017-s. Gazeta ka mësuar se dy qendra të tilla janë mbyllur në Istog, një në Obiliq dhe një në Novobërdë.

Teksa ka konfirmuar mbylljen e qendrës në Obiliq, Afrim Krasniqi, zyrtar i lartë komunal zgjedhor në këtë komunë, ka thënë se një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e numrit tejet të vogël të qendrës në fjalë.

Meqë në zgjedhjet e kaluara asnjë prej 40 personave që kanë pasur të drejtë të votojnë aty nuk kanë dalë për të votuar, Krasniqi ka thënë se kjo qendër është bashkuar me një tjetër, e cila gjendet në komunën përkatëse.

“Po, është mbyllur një qendër e votimit në Obiliq, për shkak se numri i votuesve ka qenë shumë i vogël, diku rreth 40 votues. Në zgjedhjet e vitit 2017 nuk ka pasur asnjë votues i cili ka votuar në atë qendër dhe e kemi parë të arsyeshme që ajo të bashkohet me qendrën tjetër, e cila është rreth 200 metra afër saj”, ka potencuar Krasniqi gjatë një prononcimi për gazetën.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka pohuar se katër qendrat e votimit janë mbyllur pas rekomandimeve nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve, për shkak se nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara me legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar gjatë ditës së djeshme edhe grupin e dytë të subjekteve politike dhe të kandidatëve për deputetë.

Pas 21 subjekteve të certifikuara para dy ditësh, gjatë së martës KQZ-ja ka bërë edhe certifikimin e PDK-së, të LDK-së, të koalicionit AAK-PSD dhe të koalicionit VAKAT.