Politikanët e tërhequr
Foto: Laura Hasani

Politikanët e tërhequr

Aktuale September 11, 2019 - 07:52
Detajet
Image

Nga gara zgjedhore e 6 tetorit janë tërhequr vullnetarisht ose janë detyruar të tërhiqen disa politikanë nga shumë subjekte politike në Kosovë. Për arsye të ndryshme figura të rëndësishme të partive, por edhe ish-deputetë nuk do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Për zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor, të gjitha subjektet politike në vend i kanë bërë gati listat e kandidatëve që do të garojnë për deputetë.

Mirëpo në këto lista mungojnë shumë figura kyçe të partive, të cilat për qejf ose zor janë tërhequr nga gara zgjedhore.

Disa për arsye personale, disa për shkak të vendimeve të partisë e disa të tjerë për shkak të akuzave për “Korrupsion” e vepra të tjera, nuk do ta kenë mundësinë e marrjes së mandatit të deputetit në zgjedhjet e ardhshme, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit jashtë listës së kandidatëve për deputetë i ka lënë disa figura të rëndësishme të partisë duke përfshirë këtu kryetarin Isa Mustafën, ish-kryetarin Fatmir Sejdiun dhe familjarë të kryetarit të parë të kësaj partie, njëherësh edhe themeluesit të LDK-së Ibrahim Rugovës.

E bija e tij Teuta Rugova, e cila ka qenë pjesë e grupit të deputetëve të LDK-së në dy legjislaturat e fundit, në këto zgjedhje nuk e ka marrë besimin e partisë për ta vazhduar rrugëtimin e saj politik si deputete.

Kandidatja e kësaj partie për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se moskandidimi i Rugovës ka qenë vendim i përbashkët.

Deputetja Rugova disa herë gjatë mandatit të saj ka dhënë vota jashtë vullnetit të partisë.

Tutje, për shkak të aktakuzës së tij për keqpërdorime me “Fondin e 3-përqindëshit” në listën zgjedhore të LDK-së nuk do të jetë as ish-deputeti Naser Osmani, i cili ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura.

PDK-ja në garë pa themelin e partisë

Partia Demokratike e Kosovës në listën e saj zgjedhore të kandidatëve për deputetë nuk do t’i ketë të radhitur themeltarët e partisë. Për marrjen e mandatit të deputetit nuk do të garojnë Adem Grabovci e Zenun Pajaziti, për shkak të aktakuzave të ngritura nga gjykata për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin “Pronto”.

Sami Lushtaku për shkak të aktakuzës për “Arratisje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës”, në të cilën po merrte trajtim shëndetësor gjatë kohës kur ai ndodhej në paraburgim, në rastin “Drenica”. Sokol Bashota për shkak të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë”.

Dhe Agim Çeku e Shukri Buja mbi të cilët rëndon aktakuza për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar” në rastin “Veteranët”. Ndonëse për arsye tjera, në këtë garë nuk do të hyjnë as ish-deputetët e legjislaturës së kaluar Flora Brovina, Sala Berisha-Shala dhe deputeti Nait Hasani.

“Rokadat” e Vetëvendosjes dhe të PSD-së

Në këto zgjedhje parlamentare, ndryshe nga të kaluarat, Lëvizjes Vetëvendosje do t’i mungojnë disa figura të rëndësishme të partisë, të cilët pas zgjedhjeve të fundit u larguan nga ky subjekt politik.

Përveç 12 deputetëve të larguar nga Vetëvendosja, në legjislaturën e ardhshme Vetëvendosjes do t’i mungojë edhe ish-deputeti i saj Adem Mikullovci.

Në anën tjetër 10 nga 12 deputetët e dalë nga Vetëvendosja, të cilët tashmë janë pjesë e Partisë Socialdemokrate, do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Prej tyre Aida Dërguti dhe Faton Topalli për arsye personale nuk do të jenë kandidatë për deputetë të PSD-së, e cila tashmë ka koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Largimi i deputetit të vetëm të pavarur

Në legjislaturën e kaluar Kuvendi i Kosovës ka pasur vetëm një deputet të pavarur. Korab Sejdiu, i cili pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-s e kishte lënë partinë e Behgjet Pacollit Aleancën Kosova e Re, kishte kaluar si deputet i pavarur në Parlamentin e Kosovës.

Mirëpo në këto zgjedhjeve Sejdiu për shkaqe personale, por edhe për disa arsye të tjera kishte bërë të ditur për “Zërin” se nuk do të kandidojë për deputet, ndonëse ka pasur oferta për aderime në dy parti, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë do të garoja për deputet sikur të bëhej koalicioni parazgjedhor LDK – LVV për t'i ndihmuar natyrisht këtij blloku politik. Sigurisht që mosrealizimi i këtij projekti është një nga faktorët që kanë ndikuar në vendimmarrjen time, por nuk është e vetmja, nuk është arseja kryesore, por natyrisht që kur mblidhen gjitha gjërat edhe kjo është njëra prej faktorëve që e kam pasur parasysh”, ka thënë Sejdiu.

Për legjislaturën e ardhshme kandidat i pavarur për deputet do të jetë Esmir Kasi.