Ankthi i çnjohjeve të Kosovës

Ankthi i çnjohjeve të Kosovës

Aktuale shtator 10, 2019 - 07:34
Detajet
Image

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta "Zëri".

Ka një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë. Çnjohjen e Kosovës nga këto shtete e ka pohuar këto ditë në medie edhe zëvendëskryeministri në detyrë Enver Hoxhaj, i cili madje ka paralajmëruar për mundësi për tërheqje të njohjeve të tjera të pavarësisë së Kosovës ditëve në vijim. Hoxhaj është shprehur se ka informacione që afër 10 shtete do ta revokojnë njohjen e Kosovës.

Një gjë e tillë për Ministrinë e Punëve të Jashtme është e paqëndrueshme.

Ata kanë thënë për “Zërin” se Kosova nuk ka marrë kurrfarë paralajmërimi nga ndonjë shtet për tërheqje të njohjes, duke shtuar se edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë i ka mohuar deklaratat e presidentit të saj Milos Zeman, për mundësinë e tërheqjes së njohjes. Megjithatë, sipas së Drejtës Ndërkombëtare Publike, njohja është akt i njëanshëm juridik, ndërkombëtar, i parevokueshëm, që nënkupton se ajo nuk mund të tërhiqet. 

Ish-drejtues të politikës së jashtme të Kosovës e njohës të çështjeve ndërkombëtare konsiderojnë se diplomacia kosovare ka dështuar të sjellë njohje të reja dhe ta ndalë trendin e çnjohjeve politike që së fundmi është bërë nga disa vende të botës. Kësisoj edhe deklarimet për tërheqje të njohjes së Kosovës vlerësohet se e kanë dëmtuar Kosovën në aspektin e sjelljes së njohjeve të reja.

MPJ: Nuk ka paralajmërime për çnjohje

Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka thënë për “Zërin” se deklaratat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj janë të pabaza. Ajo theksoi se Kosova nuk ka marrë kurrfarë paralajmërimi nga asnjë shtet për tërheqje të njohjeve. "Nuk kemi ndonjë paralajmërim të tillë si Ministri e Punëve të Jashtme. Nëse zëvendëskryeministri Hoxhaj ka ndonjë informatë është mirë ta ndajë me kabinetin qeveritar që është në detyrë dhe jo të dalë me deklarata të tilla, sepse nuk i bëjnë nder as atij e as shtetit të Kosovës. Mirëpo ne zyrtarisht nuk kemi asnjë paralajmërim të asnjë shteti për tërheqje të njohjeve", ka deklaruar Vuniqi.

Ajo ka komentuar edhe deklaratën e presidentit çek, duke shtuar se qëndrimet e tij janë në mospërputhje me qëndrimin zyrtar të Çekisë karshi Kosovës. “Të gjithë e dimë qëndrimin e presidentit çek karshi Kosovës dhe normalisht që priten deklarata të tilla në vizitën, të cilën do ta ketë në Beograd. Mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë, e cila kategorikisht e mohon këtë gjë. Pra, sa i përket qëndrimit të shtetit çek karshi Kosovës nuk do të ndryshojë asgjë”, ka shtuar Vuniqi.

Tutje Vuniqi si një ndër problemet me çnjohjet e përmendi edhe lobimin dhe propagandën agresive serbe.

Hyseni: MPJ-ja për dështimet e veta po e fajëson Serbinë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, duke folur për “Zërin” është shprehur se çnjohjet politike të cilat po vijnë nga shtete të ndryshme të botës ose edhe paralajmërimet janë rezultat i mospunës e pazotësisë së politikës së jashtme të Kosovës.“Natyrisht vendet e ndryshme në botë kanë të drejtë t'i ngrijnë marrëdhëniet diplomatike me vende të caktuara, por tërheqja e njohjes në teori nuk ekziston, ndërsa si akt politik po. Kjo gjendje me njohjet ose çnjohjet e Kosovës vjen si rezultat i një çakordimi total të politikës së jashtme të Kosovës. Kjo është mungesë e punës, mungesë e koordinimit, mungesë e strategjisë dhe strategjia nuk nënkupton deklarim politik, por nënkupton një plan veprimi dhe pune sistematike që për fat të keq ka vite që mungon në diplomacinë e Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Ish-ministri është shprehur se arsyetimi i tërheqjeve të njohjeve me propagandën e egër serbe është tendencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’i mbuluar dështimet e veta. “Nuk mund të presim ne që diplomacia serbe të punojë për Kosovën. Përkundrazi, është çështje shumë e ditur se diplomacia serbe vazhdimisht punon kundër Kosovës. Ajo ka punuar edhe më fuqishëm në vitet e para të pavarësisë, por sukseset e Kosovës në diplomaci kanë qenë shumë të mëdha. Pra Serbia e bën punën e vet, por gabimi më i madh që e bën Kosova është fajësimi i diplomacisë serbe, e cila është vetëm përpjekje për ta mbuluar mospunën dhe dështimet tona”, ka potencuar Hyseni.

Tri problemet që sjellin çnjohje

Ndërsa njohësi i çështjeve ndërkombëtare Naim Rashiti duke folur për gazetën ka përmendur tri probleme kryesore, të cilat e kanë ngecur Kosovën të marrë njohje të reja e madje edhe të përballet me çnjohje nga disa shtete. "Janë tri probleme që po i pengojnë këto çështje. E para është që konteksti ndërkombëtar po ndryshon në raport me 2008-n. Miqtë e Kosovës nuk e kanë peshën ndërkombëtare siç e kanë pasur më herët dhe kjo është dëshmuar në rastin e INTERPOL-it në vitin e kaluar. Çështja e dytë ka të bëjë me rritjen e rolit të Serbisë në kontekstin ndërkombëtar viteve të fundit. Dhe çështja e tretë është që politika e jashtme e Kosovës ka mbetur jashtë prioriteteve të çdo qeverie në Kosovë dhe si e tillë na ballafaqon me tërheqje të njohjeve ndërkombëtare", ka vlerësuar Rashiti.

Sipas tij, tërheqjet e njohjeve ndonëse nuk njihen si akte në të Drejtën Ndërkombëtare, ai theksoi se shkaktojnë imazh të keq të Kosovës dhe përderisa ekziston kjo mungesë e aleatëve të Kosovës në kontekstin ndërkombëtar, Kosova do të ketë vështirësi në marrjen e njohjeve të reja./ZERI