![Fillon viti i ri shkollor në Kosovë](/uploads/zeri.info/images/2019/September/02/auto_auto_nxenesit-dita-e-pare-e-shkolles15034718791567403973.jpg)
Fillon viti i ri shkollor në Kosovë
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/August/24/auto_Arbresha_Berisha1566627021.png)
Ndonëse sot në mënyrë të rregullt do të fillojë mësimi në të gjitha komunat e Kosovës, prej orës 08:00 do të mbahet një protestë në Karaqevë të Poshtme në komunën e Kamenicës, me të cilën kundërshtohet vendimi i Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollave, shkruan sot gazeta "Zëri".
Të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2019 - 2020. Ndonëse janë paralajmëruar greva e protesta për shkak të reformës së vendosur në Komunën e Kamenicës, sot do të mbahet mësim në gjithë vendin, duke përfshirë këtu edhe komunën e Kamenicës.
Mijëra shkollarë do tu kthehen bankave të tyre, ndonëse ka kritika që edhe ky vit shkollor po përcillet me probleme.
LEXO EDHE: Zgjedhjet e 6 tetorit matin fuqinë reale të partive
Vetëm në komunën e Prishtinës 43 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, si dhe 13 shkolla të mesme të larta me rreth 42 mijë nxënës do ta fillojnë procesin mësimor. Nga kjo Komunë janë shprehur se janë përgatitur për vitin e ri shkollor.
Mirëpo kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë për “Zërin” se edhe gjatë këtij viti do të shfaqen të njëjtat probleme në institucionet e arsimit në Kosovë. Sipas tij, koha do ta tregojë edhe se sa janë të përgatitura këto institucione.
“Unë nuk shoh shumë ndryshime. Të njëjtat probleme na barten prej secilit vit në vitin tjetër, për shkak se në arsim janë akumuluar shumë probleme për vite të tjera dhe qeveritë në vazhdimësi nuk i kanë pasur si prioritet. Kemi pasur probleme me mungesë të objekteve shkollore, me kushtet, problemet me kabinete e mjetet që e ndihmojnë një mësimdhënie kualitative e deri te reduktimi i numrit të nxënësve, mësimdhënësit jocilësorë. Unë mendoj se do të jetë vit i zakonshëm dhe të njëjtat probleme do të shfaqen”, ka deklaruar ai.
Ndonëse sot në mënyrë të rregullt do të fillojë mësimi në të gjitha komunat e Kosovës, prej orës 08:00 do të mbahet një protestë në Karaqevë të Poshtme në komunën e Kamenicës. Kjo protestë është organizuar nga Bashkësia Lokale në këtë komunë, e cila ka kundërshtuar vendimin e Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollave.
Kryetari i Bashkësisë Lokale në komunën e Karaqevës së Poshtme, Selver Lenjani, ka thënë për “Zërin” se protesta do të zgjasë 4 orë dhe do të mbahet në oborrin e shkollës “Asllan Thaqi”.
Gjatë ditës së nesërme është paralajmëruar edhe një grevë në këtë komunë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë në Kosovë (SBASHK). Sipas kësaj Sindikate, nëse kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nuk tërhiqet nga vendimi i tij për mbylljen e shkollave, greva do të masivizohet edhe në komunat tjera.
Në lidhje me vitin e ri shkollor tashmë “Zëri” i ka drejtuar pyetje edhe Ministrisë së Arsimit, megjithatë kjo nuk u është përgjigjur atyre./ZERI