Pompeo: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta forcojë stabilitetin e Serbisë

Pompeo: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta forcojë stabilitetin e Serbisë

Aktuale August 20, 2019 - 21:57
Lexo Detajet

Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo tha të martën në mbrëmje se ai kishte bisedime produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për dialogun Beograd - Prishtinë dhe për pranimin e Serbisë në BE. Ai kështu u shpreh në llogarinë e tij në “Twitter” pas takimit në New York, transmeton "Zëri.info".

“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe të komunitetit transatlantik”, tha Pompeo. 

Takimi mes Vuçiqit dhe Pompeos zgjati më gjatë nga sa pritej, rreth dy orë. Vuçiqi dhe Pompeo diskutuan në margjinat e një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Lindjen e Mesme.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi pas takimit me sekretarin e Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo në New York se Serbia mund të llogaritë në mbështetjen e SHBA-së kur bëhet fjalë për heqjen e taksës dhe për vazhdimin e dialogut midis Beogradit e Prishtinës. “Ne biseduam për gjithçka për një kohë të gjatë. Ai (Pompeo) dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon Serbia para së gjithash për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Më duket se kam deklaruar qëndrimin e Serbisë në mënyrën më të shkurtër dhe më të thjeshtë”, ka shkruar presidenti i Serbisë në “Instagram”.

Ai i kërkoi administratës amerikane që të përpiqet, edhe pse e bëri deri më tani, të ushtrojë një ndikim edhe më të fortë te shqiptarët e Kosovës për ta hequr taksën që ata vendosën për Serbinë një vit më parë. “Nuk ka dyshim në këtë drejtim se ne kemi mbështetjen e Amerikës, sepse ata, ashtu si ne, mendojnë se është e rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, përfundoi Vuçiqi.

Ndërkohë ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott e komentoi takimin e djeshëm Pompeo – Vuçiq: “Takimi midis sekretarit të Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq konfirmon se SHBA-ja është ende e angazhuar me të gjithë liderët e Ballkanit për ta mbështetur sigurinë, stabilitetin dhe paqen rajonale”./ZËRI