Mundësitë e shpërbërjes së Kuvendit dhe datat e mundshme për zgjedhje

Mundësitë e shpërbërjes së Kuvendit dhe datat e mundshme për zgjedhje

Aktuale August 20, 2019 - 10:20
Lexo Detajet

Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 22 gusht në rast se 80 deputetë votojnë pro për t’i dhënë fund kësaj legjislature. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se nëse votimi për shpërndarjen e Kuvendit dështon atëherë duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë, shkruan gazeta "Zëri".

Që nga refuzimi i koalicionit qeverisës PAN ndaj kërkesës së presidentit të vendit Hashim Thaçit për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar shpërndarjen sa më të shpejtë të Kuvendit dhe, siç dihet, në bazë të këtij disponimi politik është caktuar që më 22 gusht të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shpërndarja e Kuvendit.

Ramush Tahiri ka sqaruar edhe procedurën pas shpërndarjes së Kuvendit, duke përmendur edhe datat e mundshme për zgjedhjet e reja. “Pas konstatimit që është shpërndarë Kuvendi i dërgohet letër presidentit, i cili ka afat 10 ditë për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 30 ditë që nga dita kur Kuvendi është shpërndarë dhe jo më vonë se 45 ditë. Nëse Kuvendi shpërndahet më datën 22 gusht, atëherë është e mundshme që zgjedhjet të mbahen më 29 shtator ose më 6 tetor. Nëse nuk shpërndahet Kuvendi më 22 gusht, atëherë ndërrojnë edhe këto data”, ka thënë Tahiri, shkruan "Zëri".

Mirëpo, sipas Artan Muratit, seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të jetë e suksesshme duke iu referuar deklaratave të subjekteve politike, të cilat janë shprehur se janë pro zgjedhjeve të reja sa më parë. “Gjasat janë të vogla që mocioni për shpërndarje të Kuvendit të mos kalojë, meqenëse ka dakordim paraprak të subjekteve politike, madje mocioni do të duhej të kishte më shumë se 80 vota, meqë të gjitha subjektet politike shqiptare janë shprehur në favor të zgjedhjeve. Normalisht nëse nuk ndodh ndonjë marrëveshje ose ndonjë lëvizje politike në moment të fundit, siç jemi mësuar shpeshherë ta shohim në politikën tonë, mocioni do të duhej të kalonte pa problem”, ka pohuar ai.