Mushkolaj: 'Befasitë e natës', determinuese për koalicionet e partive

Mushkolaj: 'Befasitë e natës', determinuese për koalicionet e partive

Aktuale gusht 20, 2019 - 09:37
Detajet

Dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit subjektet politike janë mobilizuar për të gjetur partnerë për koalicionet parazgjedhore. AAK-ja dhe PSD-ja të hënën kanë bashkuar forcat në një koalicion parazgjedhor, teksa tentativa për një gjë të tillë pati edhe nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili u takua me Shpend Ahmetin e PSD-së dhe me Fatmir Limajn e Nismës, shkruan gazeta "Zëri".

Ende pa u shpërndarë Kuvendi i Kosovës subjektet politike kanë filluar “gjahun” për t’i gjetur partitë me të cilat mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre. Koalicioni i parë parazgjedhor ndodhi të hënën, dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit, mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, parti këto që u zotuan se i bashkuan forcat për t’i fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj koalicionin e PSD-së me AAK-në e ka quajtur lëvizje pragmatike nga ana e dy partive, çka sipas tij po i ndan partitë politike në katër blloqe (LDK, LVV, PDK dhe PSD-AAK). Sipas Mushkolajt, koalicione të tilla e qartësojnë më shumë garën e partive për pushtet dhe shtyjnë partitë të përafrojnë qëndrimet me njëra-tjetrën. “Veprimin e AAK-së dhe të PSD-së e shoh si një veprim pragmatik nga të dyja partitë dhe ky bashkëpunim ka ardhur me idenë që të fitohen zgjedhjet, gjë që i vë në lëvizje edhe partitë tjera të mendojnë se si të shkojnë më tutje. Duket që gara po shkon drejt katër grupimeve, koalicioni AAK-PSD, LDK, LVV dhe PDK, gjë e cila e bën garën më të qartë dhe është pozitive që koalicionet të bëhen publike më herët sesa të pritet momenti i fundit”, ka thënë ai për “Zërin”.

Lexo edhe Nis “gjuetia” e partive, AAK-ja e PSD-ja bashkërisht
Aktuale gusht 20, 2019

Mushkolaj ka theksuar se pavarësisht përafrimeve mes dy partive opozitare (LDK-së dhe LVV-së) nuk pret bashkëpunim parazgjedhor mes këtyre dy partive. Mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë varet edhe nga lëvizjet e partive të tjera. “Unë nuk mendoj që do të ketë koalicione parazgjedhore të partive të mëdha, pra të LDK-së dhe të LVV-së, përpos nëse me afrimin e datës së zgjedhjeve mund të ndodhë ndonjë befasi e natës, siç jemi mësuar të ndodhin dhe atëherë mund të ketë lëvizje në momentin e fundit, që mund t’i ndërrojë planifikimet e partive.

Kurse duke folur për mundësinë e bashkimit të Nismës dhe të AKR-së me AAK-në e me PSD-në, Mushkolaj tha se një gjë e tillë është e mundur të ndodhë. “Nisma e AKR-ja kanë qenë në koalicionin PAN dhe nuk shoh ndonjë vështirësi se pse këto parti nuk do të bashkoheshin me Haradinajn në këtë koalicion. Nisma besoj se humb shumë nëse bashkohet me PDK-në, sepse ka pasur paralajmërime të tilla dhe më shumë do të fuqizohej nëse do të bashkoj me AAK-në e me PSD-në”, ka thënë më tutje ai.