Pacientët shpenzojnë qindra euro për kanilla

Pacientët shpenzojnë qindra euro për kanilla

Aktuale gusht 20, 2019 - 08:17
Lexo Detajet
Image

Të prekurit nga kanceri në fyt në Kosovë po shpenzojnë para nga buxheti i tyre personal për ta blerë materialin shpenzues Kanilla Traheostoma dhe për këtë arsye duhet të shpenzojnë me qindra euro për t’i siguruar kanillat (përdoren për vrimat që mbesin në qafë), të cilat u nevojiten për trajtimin e tyre, pasi ato shumë shpesh nuk u sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë. Këto kanilla, që kushtojnë nga 8 deri në 10 euro, duhet të ndërrohen çdo ditë nga pacientët, disa prej të cilëve kanë vrima të përhershme në qafë, andaj edhe duhet të përdorin kanilla gjithmonë, shkruan gazeta "Zëri".

Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se vit pas viti deri në 70 pacientë të prekur me kancerin e laringut kërkojnë trajtim në këtë klinikë. Ai ka thënë se pacientët, të cilët kanë vrima të përhershme duhet të përdorin përherë kanilla, ndërsa ata me vrima të përkohshme i përdorin ato deri në 3 javë. “Ne çdo vit trajtojmë diku deri në 70 pacientë me kancer të laringut. Pacientët, të cilët i operojmë kanë nevojë gjatë trajtimit për kanilla. Çdo ditë ata duhet të japin nga 8 euro e 10 euro. Ato përdoren 24 orë. Ata të cilët operohen u mbetet vrimë e përhershme, varësisht prej llojit të operacionit dhe stadës së tumorit. Pas trajtimit ata mbesin me vrima dhe nevoja për kanilla është e përhershme. Disa e kanë vrimën në qafë, por e kanë përkohësisht e më së shumti tri javë ajo mbyllet dhe ata nuk kanë nevojë më për kanillë”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Vendime kundërkushtetuese të Qeverisë në dorëheqje

Thaçi ka deklaruar se kanillat nuk janë në listën e barnave esenciale, por kohë pas kohe ata janë furnizuar me to. Megjithatë, ai ka thënë se momentalisht nuk kanë furnizim. “Ndonjëherë kemi qenë të furnizuar mrekullueshëm, por ndonjëherë kur ne po mbesim pa to dhe po detyrohemi t’u themi familjarëve të shkojnë të blejnë. Për këta pacientë kemi kërkuar që shteti të ketë një përkujdesje më të mirë, sepse ata për përveçqë kanë sëmundjen e kancerit, të mos dënohen të blejnë edhe gjerat që u duhen”, ka thënë ai.

Thaçi shpreson se në listën e re të barnave esenciale të futen kanillat.

Asnjëri ministër i Shëndetësisë nuk ua siguroi pacientëve kanillat

Derisa ka pasur kërkesa që kanillat të futen në listë esenciale dhe të mos blihen nga pacientët, “Zëri” ka kontaktuar edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmanin për të ditur se pse gjatë kohës sa ai ka qenë ministër nuk ka bërë revidimin e listës esenciale. Ai ka thënë për gazetën se kanë bërë maksimumin që nevojat e pacientëve t’i plotësojnë më së miri. “Revidimi i listës është punë që duhet ta bëjë Ministria. Në vitet e mëhershme jemi munduar dhe besoj se kemi bërë pothuajse maksimumin që nevojat e pacientëve t’i plotësojmë sa më mirë. Ne kemi bërë veprime që kanë rritur konkurrencën dhe si rrjedhojë edhe ofertat më të përshtatshme, sikurse disa barna e materiale kanë përfituar edhe nga pakot fiskale, të cilat i ka miratuar qeveria e kaluar. Revidimi si proces nuk do të ishte dashur të jetë arsyetim për dështimin në përmirësimin më të mirë me barna, pavarësisht buxhetit të shtuar”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë se si ministër ka pasur kërkesa për produkte të caktuara. “Kërkesat për produkte të caktuara janë bërë nga njësitë e veçanta, ne kemi qenë garantues të respektimit të ligjshmërisë. Edhe pas revidimit të listës esenciale ka për të pasur produkte, të cilat kanë për t’u kërkuar jashtë kësaj liste, sepse rregullator të krejt proceseve janë protokollet dhe udhërrëfyesit klinikë. Procesin e hartimit të tyre ne e kemi vendosur në binarë në vitin 2015, për të cilat ekzistojnë dëshmi, dokumente”, ka shtuar ai.

Millaku: Pacientët e sëmurë po mbajnë edhe barrën e sigurimit të barnave

Drita Millaku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur shqetësimin e saj që qytetarët derisa po përballen me sëmundje po duhet që vetë ta mbajnë barrën edhe të sigurimit të barnave. “Probleme me barna ka pasur gjithmonë dhe kjo mungesë po vazhdon të përcillet vazhdimisht. Në anën tjetër kemi pasur një ministër, i cili më shumë ka pasur marketing sesa punë. Me vjen shumë keq që pacientët përpos sëmundjes po përballen edhe me mungesë të barnave. Mirë shumë që kjo qeveri nuk është më, sepse për qytetarët asnjë ministër s’ka punuar e as edhe ministri i Shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Millaku ka thënë më tej se derisa të bëhen ndryshime në Ministri do të vazhdojë gjendja e njëjtë në shëndetësi./ZERI