A do të ketë zgjedhje këtë vit? Deklarohet Veseli
FOTO: Laura Hasani

A do të ketë zgjedhje këtë vit? Deklarohet Veseli

Aktuale August 18, 2019 - 07:53
Lexoni detajet

Data për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar më 22 gusht dhe të gjitha partitë politike duket se i janë përveshur punës për zgjedhjet e parakohshme. Kur të gjithë po prisnin lëvizjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i nisur konsultimet me partitë rreth një mandatari të ri për kryeministër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, vendosi të thërrasë seancë për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, Veseli shuan çfarëdo mëdyshje lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke thënë se institucioneve të Kosovës u duhet një legjitimitet i ri qytetar. Ai ka folur edhe për koalicionet e mundshme, si do të shkojë PDK-ja në këto zgjedhje dhe çfarë u premton qytetarëve.

"Po, patjetër se do të ketë. Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për të arnuar vazhdim të qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar", ka thënë Veseli për "Zërin". 

Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit për ta bërë Kosovën një vend të jetueshëm për të rinjtë që po largohen, është besimi i tij se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe se është kryeministri i duhur për ta bërë këtë. Ai thotë se këtë betejë e ka nisur në partinë e tij dhe do ta vazhdojë edhe për shtetin e Kosovës. Duke folur për raportet me aleatët, Veseli ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i respektuar dhe i mirëpritur në Uashington dhe në Bruksel./ZERI