Veseli: Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i mirëpritur në Uashington e në Bruksel dhe i cili e lufton korrupsionin

Veseli: Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i mirëpritur në Uashington e në Bruksel dhe i cili e lufton korrupsionin

Aktuale August 17, 2019 - 08:14
Lexo tjera detaje

Data për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar më 22 gusht dhe të gjitha partitë politike duket se i janë përveshur punës për zgjedhjet e parakohshme. Kur të gjithë po prisnin lëvizjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i nisur konsultimet me partitë rreth një mandatari të ri për kryeministër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, vendosi të thërrasë seancë për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, Veseli shuan çfarëdo mëdyshje lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke thënë se institucioneve të Kosovës u duhet një legjitimitet i ri qytetar. Ai ka folur edhe për koalicionet e mundshme, si do të shkojë PDK-ja në këto zgjedhje dhe çfarë u premton qytetarëve.

Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit për ta bërë Kosovën një vend të jetueshëm për të rinjtë që po largohen, është besimi i tij se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe se është kryeministri i duhur për ta bërë këtë. Ai thotë se këtë betejë e ka nisur në partinë e tij dhe do ta vazhdojë edhe për shtetin e Kosovës. Duke folur për raportet me aleatët, Veseli ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i respektuar dhe i mirëpritur në Uashington dhe në Bruksel.

Zëri: A do të ketë zgjedhje këtë vit?

Kadri Veseli: Po, patjetër se do të ketë. Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për të arnuar vazhdim të qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar.

Zëri: Z. Veseli, për çfarë janë këto zgjedhje dhe pse jeni të bindur se do të fitoni?

Kadri Veseli: Këto zgjedhje të reja dhe të domosdoshme janë për të rinjtë, të cilët po largohen nga vendi. Ky është një nga dështimet më të mëdha të qeverive tona në vazhdimësi këto vite, sepse ne nuk kemi qenë në gjendje t’ua sigurojmë të rinjve tanë një mundësi të barabartë për sukses në Kosovë. Nuk kemi mundur t’u krijojmë kushte për një karrierë të suksesshme dhe për vetërealizim në vendin e tyre. Ne të gjithë i njohim ata dhe të gjithë jemi dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur dhe ne do ta ndalojmë brain drain (rrjedhjen e trurit). Vetëm këtë javë unë kam takuar një grup të veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë e ndajnë të njëjtin shqetësim: se fëmijët e tyre po e lëshojnë Kosovën dhe se ky nuk është shteti për të cilin ata kanë luftuar. Kam dëgjuar me vëmendje dhimbjen e tyre se ata kanë luftuar që nipat e mbesat e tyre të rriten në Kosovë dhe jo në shtete të tjera. Unë e di si t’i mbaj ata këtu dhe kam një plan për t’u ofruar mundësi të barabarta. E kam filluar betejën në partinë time dhe si kryeministër do ta bëjë këtë me Kosovën.

Zëri: Z. Veseli, çfarë do të bëni që t’i mbani të rinjtë këtu?

Kadri Veseli: Është një e vërtetë e madhe se të rinjtë e Kosovës nuk kanë mundësi të barabarta për shkak të korrupsionit dhe të nepotizmit, që kanë shënuar rritje në shkallë të madhe. Kjo është lufta ime. Para 20 vjetësh ne kemi luftuar për lirinë e Kosovës, 20 vjet më vonë ne e kemi shtetin e pavarur, por ende nuk e kemi një shtet të denjë. Kjo është beteja jonë në këtë dekadë. Do ta luftoj korrupsionin me të njëjtën forcë që luftova kundër serbëve, por me të tjera mjete, sepse nuk kemi zgjidhje të tjera dhe duhet të fitojmë. Unë do ta ndaloj shpërnguljen e të rinjve dhe do t’i kthej të gjithë ata që duan të jetojnë dhe të punojnë këtu. Sepse lufta kundër korrupsionit do të thotë ndërtim i një të ardhme më të mirë, ngase ky është qëllimi përfundimtar. Do të thotë ekonomi më të mirë, vende pune më shumë, infrastrukturë më të mirë, më shumë mundësi për të rinjtë dhe politikë të jashtme më efikase. Ne do ta arrijmë këtë së bashku.

Zëri: Partia juaj, pra PDK-ja, ka qenë në pushtet për 12 vjet radhazi. A nuk është kjo përgjegjësi juaja? Si do ta ndryshoni këtë?

Kadri Veseli: E vërtetë, kjo është shumë e vërtetë. Edhe ne nuk mund të kursehemi nga gabimet, madje brenda PDK-së ka njerëz, të cilët kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë aktakuza për korrupsion dhe për nepotizëm. Megjithatë që nga fillimi im në politikë jam përkushtuar për të vendosur një standard tjetër etik dhe nuk kam frikë të përballem me këta njerëz. Unë e kam filluar në partinë time ta vendos këtë standard, sepse duhet ta nisim nga vetja. Kam vendosur që çdo individ me aktakuzë për korrupsion e nepotizëm në PDK të shkarkohet nga çdo pozitë publike. Ne jemi e vetmja parti në vend, e cila e ka vendosur këtë standard. Por kush do ta luftojë korrupsionin? Vetëvendosja, e cila edhe me atë pak pushtet që ka pasur ka bërë shumë skandale nepotizmi. Apo LDK-ja, lidershipi i së cilës ka mjaft njerëz me aktakuza për korrupsion dhe për nepotizëm? Vetëm PDK-ja mund ta udhëheqë përpara këtë betejë. Kjo nuk është një betejë e lehtë, sepse shumë njerëz e kanë vënë në dyshim këtë vendosmëri timen dhe shumë të tjerë më kanë thënë të dorëzohem në këtë luftë. Kjo më kujton ditët e luftës kur të gjithë e vënin në mëdyshje aftësinë tonë për të fituar dhe na thoshin të dorëzohemi. Ne kemi fituar atëherë, do të fitojmë edhe sot. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo është rruga e vetme për të ndërtuar një të ardhme për fëmijët tanë këtu.

Zëri: Po flisni shumë për luftën kundër korrupsionit, çka do të thotë kjo?

Kadri Veseli: Kjo do të thotë se zyrtarët me aktakuzë nuk do të jenë pjesë e qeverisë sime. Qeveria ime e ardhshme do ta rrisë buxhetin për policinë dhe për sistemin e drejtësisë për ta ndalur korrupsionin, duke përfshirë edhe në këto institucione. Qeverinë, të cilën do ta udhëheq unë do të përfshijë vetëm njerëz duke u bazuar në dije, në kualitet e në merita dhe jo në baza të nepotizmit e të lidhjeve partiake.

Zëri: Z. Veseli, kjo që po thoni po tingëllon mirë, por si do ta bëni që t’ju besojnë njerëzit?

Kadri Veseli: Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm e rëndësishme dhe e drejtë, por është diçka që ia vlen. Katër vjet më parë unë e fillova betejën për lirimin e pronave të uzurpuara dhe ende ka pronarë të shumtë që vijnë dhe më falënderojnë. Edhe në atë kohë njerëzit kishin frikë nga kjo, por unë u ballafaqova me ata, disa prej të cilëve ishin bashkëluftëtarë të mi. Në Ministri të Shëndetësisë për shumë vite njerëzit kanë pasur frikë të marrin vendime. Uran Ismaili, ministri i PDK-së, hyri dhe mori një numër të vendimeve të thjeshta, por të guximshme në luftën kundër korrupsionit e të cilat ndikuan te rënia e madhe e çmimeve të barnave. Të rinjtë po largohen për shkak të mungesës së shanseve dhe se shteti nuk i ka vlerësuar ata ashtu siç e meritojnë. Qeveria është njëri prej punëdhënësve më të mëdhenj në vend dhe duke ndalur nepotizmin në Qeveri dhe kompani të marrin kontrata nga Qeveria, do t’u jap mundësi më të mëdha të rinjve. Përtej kësaj, kompanitë ndërkombëtare kanë hezitim për të investuar këtu dhe për të bërë biznes për shkak të korrupsionit. Duke vendosur një standard të ri këtu mund të sjellim më shumë investime të huaja dhe të ndërtojmë një ekonomi të lirë dhe të fortë, e mbështetur në mundësi të barabarta. Me çmime më të lira për njerëzit, kushte më të mira për biznesin, mundësi të barabarta për të rinjtë që të qëndrojnë këtu dhe investimet e huaja që do të vijnë – kjo betejë nuk është vetëm e drejtë, por edhe diçka që ia vlen.

Zëri: Ju po flisni për investime të huaja, por Kosova ende nuk ka një numër të konsiderueshëm të shteteve, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë. Çfarë do të bëni ju më ndryshe për politikën e jashtme?

Kadri Veseli: Unë kam një vizion të shtetit perëndimor. Ne jo vetëm që fituam pavarësinë përmes luftës, por e kemi arritur këtë nëpërmjet ndërtimit të një aleance jetike me Shtetet e Bashkuara dhe me partnerët tanë në Evropë. Nuk mund ta keqpërdorim këtë partneritet, sepse është strategjik për Kosovën.

Zëri: Pas deklaratës së vendeve të QUINT-it kryeministri ka akuzuar se disa njerëz po veprojnë si servilë të SHBA-së, çfarë mendoni për këtë?

Kadri Veseli: Unë jam krenar për marrëdhëniet më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secili që mendon se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës janë servilizëm, nuk i kupton marrëdhëniet e thella që kemi mes vete. Në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për njerëzit tanë dhe për shtetin tonë, Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i mirëpritur dhe i respektuar në Shtëpi të Bardhë dhe në Bruksel. Një kryeministër, i cili do t’i thellojë marrëdhëniet me aleatët dhe jo dikush që i dëmton ato. Nëse ne jemi në gjendje ta mbajmë këtë partneritet dhe të kthehemi në dialog, duke shtyrë përpara interesat strategjike të Kosovës dhe duke marrë njohjen e plotë të Kosovës, kjo është mënyra më e mirë për ta ndërtuar një ekonomi të drejtë dhe të fuqishme në Kosovë.

Zëri: Në fund, pse duhet ta votojnë njerëzit PDK-në?

Kadri Veseli: PDK-ja është një parti e vetme, e cila ka vizion për të ardhmen tonë. Ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të rinjtë dhe për vendin nëpërmes një luftë të pakompromis kundër korrupsionit e nepotizmit dhe të thellimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Ne kemi fituar luftën 20 vjet më herët, do ta fitojmë edhe sot.