Heqja e vizave, në pikëpyetje edhe për vitin 2020

Heqja e vizave, në pikëpyetje edhe për vitin 2020

Aktuale August 16, 2019 - 11:25
Lexoni detajet

Premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të ndodhë në shtator të këtij viti i ka gjasat e barabarta me zero që të realizohet, pasi vendi në atë kohë pritet të jetë në mes të fushatës zgjedhore pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të ndodhë më 22 gusht 2019, ndërsa çështja e vizave nuk do të futet as në rend dite në institucionet vendimmarrëse të BE-së në shtator, shkruan Gazeta "Zëri". 

Njohësi i çështjeve integruese Besnik Vasolli duke folur për liberalizim e vizave të Kosovës ka thënë se mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, numri në rritje i azilkërkuesve, situata politike në Kosovë etj. janë vetëm disa nga faktorët, të cilët kanë ndikuar që shtetet anëtare të BE-së të mos jenë unike për heqjen e vizave.

“Mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit ka ndikuar negativisht në disponimin e shteteve anëtare për t’ua mundësuar kosovarëve të udhëtojnë pa viza. Po ashtu edhe numri në rritje i azilkërkuesve nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka ndikuar negativisht në BE, posaçërisht te disa shtete të cilat hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave, pasi kanë frikë se edhe kosovarët do të emigrojnë në mënyrë jo të rregullt dhe kështu do të sjellin telashe për ato shtete”, ka thënë Vasolli për "Zërin". 

Përpos këtyre, Vasolli vlerëson se marrëdhëniet e përkeqësuara mes Kosovës e Serbisë ndikojnë që të rritet skepticizmi i disa shteteve anëtare të BE-së në raport me vizat e Kosovës.

“Situata politike e krijuar në Kosovë, e posaçërisht marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë kanë vështirësuar procesin e vendimmarrjes. Këtu kemi të bëjmë me taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe, që hyjnë legalisht në tregun e Kosovës. Me letrën e shteteve të QUINT-it na është ofruar një shans i mirë, të cilën duhet të shfrytëzojmë në mënyrë shumë të mençur”, ka thënë ai.

Vasolli është shprehur skeptik se heqja e vizave mund të ndodhë gjatë këtij viti. Sipas tij, ka mundësi që në vitin 2020 kjo çështje të jetë në agjendën e BE-së.

“Institucionet e reja të BE-së që dolën nga zgjedhjet e fundit do të fillojnë punën më 1 nëntor 2019. Nuk pres që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë tema kryesore që ata do ta adresojnë. Ka mundësi që çështja e Kosovës të diskutohet në mars ose në qershor të 2020-s”, ka thënë tutje ai. /ZERI