Kur do ta caktojë LDK-ja kandidatin për kryeministër? Flet nënkryetari i saj

Kur do ta caktojë LDK-ja kandidatin për kryeministër? Flet nënkryetari i saj

Aktuale gusht 14, 2019 - 17:44
Lexo Detajet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova ka thënë se partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, shumë shpejt do të mblidhet për emërimin e kryesisë së re të partisë.

Rugova në një bisedë telefonike për Gazetën Blic ka folur edhe për procesin e zgjedhjeve të cilat pritet të caktohen më 22 gusht kur edhe pritet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës. Shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të dal me emrin e kandidatit për kryeministër posa të marrin vesh datën e zgjedhjeve.

“Ne nuk e kemi akoma emrin për kandidat për kryeministër dhe ne do të bisedojmë atëherë kur të shpallen edhe zgjedhjet dhe kur të bëhet edhe përpilimi i listave”, tha Rugova.

Ai tha se përzgjedhja e emrit për kryeministër nga kjo parti nuk do të bëhet me vonesë pasi, siç u shpreh ai, LDK ka filluar përgatitjet në degë e nëndegë për zgjedhjet e parakohshme.

“Nuk besoj që është vonë atëherë përcaktimi i ndonjë emri sepse, akoma nuk dihet saktë se kur do të jetë data e zgjedhjeve dhe kjo varet prej 22 gushtit kur pritet të shpërndahet Kuvendi dhe aty do të shohim se kur do të caktohet data e zgjedhjeve dhe të shohim se si do të rrjedh situata. Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive edhe në kryesi dhe degë. Ne në zgjedhjet e fundit të Këshillit të Përgjithshëm kemi marrë detyrat dhe qëndrimet dhe në mënyrë unanime po punojmë për zgjedhjet e parakohshme”, tha nënkryetari i LDK-së.

Ndërsa, lidhur me emërimin e kryesisë së re të LDK-së, Rugova u shpreh se mund të bëhet para datës 22 gusht. U shpreh optimist se edhe emri i kandidatit për kryeministër mund të dali nga kjo mbledhje.

“Sigurisht që kryetari do ta caktojë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm shumë shpejt dhe pres që mund të ndodhë para datës 22 gusht dhe aty të përcaktohet, me propozim të kryetarit të votohet një kryesi. Mendoj që vendimet parimore dhe esenciale të merren aty dhe mendoj që edhe Kuvendi do të jetë përgjegjës që aty edhe të përcaktohet edhe kandidati për kryeministër. A do të jetë në këtë seancë apo në ndonjë tjetër, është çështje të cilën ne akoma nuk e kemi vendosur”, përfundoi nënkryetari i LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për emrin e kandidatit për kryeministër e as për ndonjë koalicion të mundshëm me ndonjë parti, ani pse LVV i ka ofruar bashkëpunim.

Sot, i pari i LDK-së, Isa Mustafa me anë të një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë një rezyme të gjatë të akuza dhe kundërkuza që i janë bërë ndër vite subjektit të tij politik dhe atij personalisht.

E përveç kësaj, ai ka lënë të kuptohet se një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje mund të ndodhë edhe pas takimit që ky i fundit kishte me të parin e kësaj partie, Albin Kurti.