Një javë para shpërndarjes së Kuvendit, opozita druan nga lojërat e PDK-së
Foto: Laura Hasani

Një javë para shpërndarjes së Kuvendit, opozita druan nga lojërat e PDK-së

Aktuale August 14, 2019 - 07:58
Lexoni detajet
Image

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është caktuar për nesër një javë, mirëpo subjektet opozitare ende druajnë se partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK-ja), siç thonë ata, mund të luajë lojëra politike për t’i shmangur zgjedhjet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Të gjitha subjektet politike i kanë dorëzuar nënshkrimet e deputetëve për seancën e 22 gushtit 2019, kur pritet të ndodhë shpërndarja e Kuvendit.

Dorëzimin e nënshkrimeve të ligjvënësve e ka konfirmuar për “Zërin” sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë edhe PDK-ja i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve.

Ndonëse ka mbetur vetëm edhe një javë deri në ditën kur do të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët e opozitës kanë frikë se PDK-ja, siç thonë ata, ende mund të luajë lojëra politike.

Arbërie Nagavci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar për “Zërin” se PDK-ja që nga fillimi ka dalë me qëndrime të ndryshme sa i përket shpërndarjes së Kuvendit. Ajo megjithatë ende ka dilema nëse do të shpërndahet Kuvendi më 22 gusht.

“Ajo që kemi parë deri tani është se PDK-ja që nga fillimi ka qenë kundër idesë për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo ka dalë me qëndrime të ndryshme, fillimisht se do të jetë problem buxheti, ndonëse janë deklaruar se janë për zgjedhje të reja. Duke e ditur edhe nga e kaluara, mund të pritet gjithçka nga PDK-ja, nuk ka siguri deri në momentin e shpërndarjes së Kuvendit”, ka thënë ajo.

Nagavci ka shtuar se zgjedhjet janë mënyra më e mirë për ndryshimin e Qeverisë dhe se pret që më 22 gusht të bëhet shpërndarja e Kuvendit.

“Është e qartë se qytetarët po presin që zgjedhjet të jenë sa më parë, më datën 22 gusht do të ndodhë shpërndarja e Kuvendit dhe do të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. Ne kemi shprehur qartë qëndrimin tonë. Ka kohë që shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja janë mënyra më e mirë për të ndryshuar këtë qeveri. Ne kemi qenë të angazhuar në këtë drejtim. Kanë qenë diku dy-tri vota që na mungonin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Gaxheri: S’mund të befasohemi nëse PDK-ja bën lojëra politike si gjithmonë

Derisa si zgjidhje më të mirë e sheh shpërndarjen e Kuvendit, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk do të befasohet nëse PDK-ja bën ndonjë lojë politike para shpërndarjes së Kuvendit.

“Për të shkuar në zgjedhje Kuvendi duhet t’i ketë dy të tretat e deputetëve. Ne kemi kryer obligimet tona kushtetuese. PDK-ja është deklaruar publikisht se është për të shkuar në zgjedhje. Propozimi nga ata ka qenë që të jetë data 22 gusht për t’u shpërbërë Kuvendi. Nuk mund të befasohemi në qoftë se PDK-ja bën lojëra politike të cilat i ka bërë gjithmonë. Unë besoj që kësaj radhe nuk e ka askush luksin që të bëjë lojëra politike, sepse vendi është pa institucione funksionale dhe e vetmja formë e zgjidhjes së këtyre problemeve janë zgjedhjet”, ka deklaruar ajo.

Gaxheri ka thënë më tej se qytetarët nuk presin lojëra nga partitë politike, andaj edhe e vetmja zgjidhje për vendin do të jenë zgjedhjet.

PDK-ja dorëzon mocionin në Kuvend, thotë se seanca nuk do të shtyhet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ka dorëzuar mocionin për seancë të jashtëzakonshme më 22 gusht 2019.

Ai ka thënë se janë 93 nënshkrime të deputetëve nga PDK-ja, LDK-ja, LVV-ja, AAK-ja, PSD-ja dhe Nisma, të cilat zyrtarisht janë protokolluar gjatë ditës së djeshme.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reqica, ka thënë për “Zërin” se një pjesë e madhe e deputetëve kanë qenë në pushime, andaj edhe u është dashur që t’i presin ata për t’u nënshkruar.

Ai ka thënë më tej se nuk do të ketë shtyrje të seancës dhe se është e rëndësishme që të bëhet shpërndarja e Kuvendit.

“Nuk do të ndodhë shtyrja e seancës. Do të ndodhë edhe seanca e parë, edhe seanca e dytë për shpërbërjen. Është me rëndësi që më 22 gusht të votojmë të gjithë për shpërndarjen e Kuvendit dhe për shkuarjen në zgjedhje të reja, kjo është shumë e rëndësishme”, ka theksuar ai.

Murati: Në Kosovë kemi parë që ka pasur manovra të ndryshme politike

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për “Zërin” se subjektet politike duhet të kenë parasysh pasojat të cilat mund t’i marrin nëse bëjnë lëvizje që nuk do të përkrahen.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë të gjitha subjektet janë dakorduar që të deponojnë nënshkrimet për të mbajtur seancën. Në Kosovë kemi parë çdoherë që ka pasur manovra të ndryshme politike, ndaj u mbetet subjekteve politike të vendosin se çfarë rruge po dëshirojnë për qytetarët e vendit, që normalisht duhet të kenë parasysh edhe pasojat eventuale që mund t’i marrin nëse bëjnë lëvizje të cilat nuk do të përkrahen nga qytetarët”, ka thënë ai.

Përndryshe, Murati ka thënë se kjo do të jetë legjislatura e tretë e cila nuk do ta përfundojë mandatin e saj, gjë e cila do të krijojë edhe probleme.

“Dëmin e madh e shkakton mendësia që e kanë subjektet politike në Kosovë, sepse kjo do të jetë legjislatura e tretë me radhë që nuk do ta përfundojë mandatin e saj kushtetues, duke krijuar edhe probleme të tjera, duke lejuar ligje të cilat veçse janë trajtuar tash e një kohë të kthehen në pikën zero. Kjo nuk mund t’i faturohet vetëm një seance të fundit, është problem i krejt sistemit politik dhe mënyrës se si subjektet politike i qasen qeverisjes, edhe si u qasen koalicioneve paraprakisht. Për momentin janë 44 ligje në procedurë, që gati e përbëjnë 31 për qind të agjendës legjislative vetëm për vitin 2019”, ka shtuar ai.