Serbia vazhdon të ndërtojë shtëpi në lagjet veriore
Foto: Laura Hasani

Serbia vazhdon të ndërtojë shtëpi në lagjet veriore

Aktuale gusht 13, 2019 - 08:03
Lexo Detajet
Image

Serbët kanë vazhduar të ndërtojnë shtëpi në lagjet shqiptare në veri të Mitrovicës me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve. Në lagjen “Kroi i Vitakut” synohet të sillen serbë, të cilët nuk kanë jetuar asnjëherë në atë pjesë, ndërkohë që shqiptarëve nuk u është lejuar t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura e të rrënuara gjatë luftës. Qeveria e Kosovës me projekt për rindërtimin e 300 shtëpive në veri të Mitrovicës, shkruan gazeta "Zëri".

Në lagjet veriore të Kosovës me shumicë të popullatës shqiptare ka vazhduar ndërtimi i shtëpive për serbët. Administrata Komunale e Mitrovicës së Veriut u ka lejuar serbëve të ndërtojnë shtëpi në atë pjesë të Mitrovicës, sidomos në lagjen “Kroi i Vitakut”, derisa shqiptarët nuk mund të marrin leje për rindërtimin e shtëpive të tyre.

LEXO EDHE: Që nga paslufta qendrat e mjekësisë familjare me staf të njëjtë

Rreth 300 shtëpi të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës ende janë gërmadha, pasi ndërtimi i shtëpive nuk lejohet nga Komuna Veriore e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Shumë shqiptarë të lagjeve veriore, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në vitin 2000, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të qytetit të Mitrovicës, në kushte të rënda të banimit. Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut shprehen të shqetësuar për shkak të ndërtimit të shtëpive për serbët, duke siguruar se shtëpitë janë duke u ndërtuar për serbët që asnjëherë nuk kanë jetuar në atë pjesë.

Në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku janë intensifikuar ndërtimet për serbët, Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka lejuar asnjë shqiptar ta rindërtojë shtëpinë ose të ndërtojë shtëpi të re në pronën e vet.

Sinan Behrami, nga lagjja “Kroi i Vitakut”, ka thënë se të gjithë shqiptarët do të ktheheshin në pronat e tyre sikur shtëpitë e tyre të lejoheshin të rindërtoheshin. Sipas tij, në këtë lagje janë edhe rreth 70 shtëpi që nuk janë rindërtuar.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Prokurimet e Centralizuar, që udhëhiqen nga Agjencia e Prokurimit për Sigurimin e Mallrave dhe për Shërbimet, që mundëson zbatimin e të gjitha procedurave për projektin e rindërtimin të shtëpive të djegura dhe të shkatërruar gjatë luftës në veri të Mitrovicës. Projekti i rindërtimit të shtëpive, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, do ta ketë koston prej miliona eurosh dhe buxheti do të ndahet në vija buxhetore. Sipas Ministrisë së Financave, projekti i rindërtimin të shtëpive parashikon ndërtimin e secilës shtëpi në veri të Mitrovicës që është djegur dhe është rrënuar pa dallim komuniteti.

Cimili kërkon sqarime

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i ka thënë “Zërit” se asamblistët shqiptarë vazhdimisht kanë kërkuar sqarime rreth ndërtimeve që kanë filluar të ndërtohen në lagjet veriore, posaçërisht në lagjen “Kroi i Vitakut”. “Banorët e lagjeve veriore janë të pezmatuar, sepse derisa serbëve u lejohet të ndërtojnë në lagjet e shqiptarëve, shqiptarëve nuk u lejohet t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre e nuk u lejohet as të kthehen në pronat e tyre në veri. Shqiptarët janë injoruar, si gjithmonë, ata janë dëbuar dhe jetojnë si refugjatë në jug e nuk mund të kthehen në banesat dhe në shtëpitë e tyre në veri. Në këtë aspekt komuniteti shqiptar është diskriminuar. Ndërtesat kolektive i shërbejnë vetëm komunitetit serb që jeton në pjesën veriore dhe të atyre që dëshirojnë të kthehen në veri të Mitrovicës. Në kemi kërkuar të dimë se mbi bazën e çfarë vendimi janë duke u ndërtuar banesat kolektive, meqenëse Kuvendi i Komunës Veriore nuk ka sjellë asnjë vendim. Kemi kërkuar gjithashtu të dimë se kush i financon ato ndërtime dhe a kanë leje ndërtimi”, ka thënë Cimili për gazetën “Zëri”.

Cimili ka thënë gjithashtu se shqiptarët e Mitrovicës Veriore janë të vetmit në Kosovë të cilëve u kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës dhe pas lufte, ndonëse ata nuk kanë faj pse u janë djegur shtëpitë. Ai ripërsëriti se shqiptarët e dëbuar nga veriut jo vetëm që nuk po lejohen t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre, por nuk po lejohen të kthehen në banesat e uzurpuara në ndërtesa kolektive. “Edhe më tutje mbahen të uzurpuara mbi 400 banesa të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, nëpër ndërtesa kolektive. Janë mbi 250 shtëpi të djegura, të cilat ende nuk janë rindërtuar. Shqiptarët e veriut të Mitrovicës janë të vetmit banorë të Kosovës të cilëve u kërkohet leja për rindërtim të shtëpive të tyre edhe pse ata nuk janë aspak fajtorë pse u janë djegur shtëpitë”, ka thënë ai.

1500 serbë do të vendosen në “Luginën e Diellit”

E ndërkaq para pak kohësh përfaqësues të lagjes “Kroi i Vitakut”, të pezmatuar dhe të shqetësuar kanë takuar kryetarin e Mitrovicës Jugore, Agim Bahtirin, të cilin e kanë njoftuar për situatën aktuale në atë pjesë. Sipas tyre, serbët kanë filluar të ndërtojnë shtëpi në këtë lagje dhe kjo për ta është e papranueshme, sepse asnjë shtëpi e banorëve serbë nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë.

Skender Rama, banor i lagjes “Kroi i Vitakut”, ka kërkuar që shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës duhet të kenë mbështetjen e nivelit qendror. “Ne si banorë të kësaj lagjeje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serbë nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ndërtimet e serbëve duhet të ndalohen në çdo mënyrë. Nëse nuk ka fuqi shteti, institucionet e vendit, atëherë këtë do ta bëjmë vetë, sepse nuk lejojmë të ndërtohen shtëpi për serbët që nuk kanë jetuar kurrë këtu”, ka thënë në mes tjerash Rama.

E në anën tjetër kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka siguruar se nuk do të lejohet asnjë serb që nuk ka jetuar në veri të Mitrovicës të vendoset në shtëpitë, të cilat janë duke u ndërtuar për serbët. “Ne do të bëjmë çmos, edhe niveli qendror duhet të jetë i palëkundur në qëndrimin që asnjë serb që nuk ka jetuar në këto hapësira të mos vendoset në këto shtëpi që po ndërtohen për serbët. Këtë nuk do ta lejojmë, sepse Serbia po synon rikolonizimin e pjesës veriore të Kosovës, në veçanti të Mitrovicës. Se Serbia e ka këtë qëllim më së miri e tregon vendbanimi ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan, në të cilin do të vendosen 1500 serbë nga Serbia”./ZERI