Që nga paslufta qendrat e mjekësisë familjare me staf të njëjtë

Që nga paslufta qendrat e mjekësisë familjare me staf të njëjtë

Aktuale August 13, 2019 - 07:51
Lexo Detajet
Image

Qendrat e mjekësisë familjare në vend po vazhdojnë me vite të ballafaqohen me mungesë të personelit mjekësor. Edhe pse disa nga mjekët familjarë kanë filluar të dalin në pension, këto qendra vazhdojnë të mos punësojnë staf të ri, shkruan gazeta "Zëri".

Që nga paslufta disa qendra të mjekësisë familjare në Kosovë vazhdojnë të kenë numrin e njëjtë të personelit mjekësor, ndonëse ka pasur vazhdimisht kërkesa për rekrutimin e stafit të ri për shkak të numrit të madh të pacientëve.

LEXO EDHE: Beteja e partive për postin e kryeministrit

Sami Uka, kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se mungesa e stafit mjekësor ka filluar të ndihet edhe për shkak të pensionimit të një numri të caktuar të profesionistëve shëndetësorë. Ai ka thënë se nevoja për rekrutimin e një numri të ri profesionistësh në këtë qendër është vërtet e ngutshme. “Stafi i tashëm mjekësor i angazhuar në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH) të Prishtinës nuk është i mjaftueshëm. Paradoksi qëndron në faktin se nevoja për staf mjekësor është llogaritur dhe vazhdon të llogaritet nga Ministria e Financave vetëm duke u bazuar në numrin e banorëve rezidentë të Komunës së Prishtinës. Ky numër është larg numrit real të qytetarëve që marrin shërbime të kujdesit shëndetësor në Prishtinë”, ka thënë ai.

Uka ka bërë të ditur se nëse do të llogaritej sipas standardit që një mjek familjar mund të kryejë brenda ditës 25 vizita, atëherë sipas tij në këtë qendër do të duheshin edhe 40 infermierë familjarë. “Nëse do të përllogaritej nevoja për mjekë familjarë dhe infermierë sipas standardit që një mjek familjar mund të kryejë 25 vizita brenda një dite, duke u bazuar në numrin e vizitave të realizuara gjatë vitit 2018 KPSH-ja në Prishtinë ka nevojë për të paktën edhe për 20 mjekë familjarë dhe 40 infermierë familjarë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, gazeta ka kontaktuar edhe drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Bujar Gashin, i cili po ashtu e ka pohuar se qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë nuk kanë staf të mjaftueshëm. Ai ka thënë se ky numër i stafit është i njëjtë që nga paslufta.

Mungesë të mjekëve familjarë edhe në komunat tjera

Përveç komunës së Prishtinës, edhe drejtorë të shëndetësisë në komunat tjera në vend kanë thënë për gazetën se kanë mungesë të mjekëve familjarë.

Zaim Thaçi, drejtor i Shëndetësisë në Podujevë, ka thënë për “Zërin” se që nga paslufta në vazhdimësi kanë kërkuar që të rritet numri i punëtorëve shëndetësorë.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola, ka thënë se për shkak se kanë numër të madh të qendrave të mjekësisë familjare, edhe ata kanë mungesë të stafit mjekësor. “Stafi nuk është i mjaftueshëm, porse edhe keq nuk jemi. Kemi shumë QMF dhe AMF, prandaj edhe e kemi këtë mungesë”, ka thënë ajo. Erseka Hasanaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur se qendrat e mjekësisë familjare në këtë komunë kanë mungesë për specialistë të mjekësisë familjare. “Mbulueshmëria me staf mjekësor është relativisht e mirë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, vlen të theksohet se kemi mungesë për specialistë të mjekësisë familjare”, ka thënë ajo.

Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Kamenicës, Suna Zajmi, e ka pohuar për gazetën se në qendrat e mjekësisë familjare në komunën e Kamenicës ka mungesë të stafit. Megjithatë ajo ka thënë se mungesat për momentin janë duke u menaxhuar. Përveç qendrave të mjekësisë familjare, gjatë këtij viti edhe spitalet rajonale, po ashtu edhe disa nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e kanë shprehur nevojën për rekrutim të stafit të ri.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë ka punësuar staf të ri në QKUK gjatë këtij viti, klinikat përsëri kanë shprehur nevojën për staf shtesë.

MSH: Punësimet në QMF kompetenca të komunave, MSH-ja i ka ndihmuar ato

Në lidhje me mungesën e personelit mjekësor në qendrat e mjekësisë familjare në vend “Zëri” ka kontaktuar edhe zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ata kanë thënë se punësimet e stafit në QMF janë kompetenca të komunave. “Punësimet e stafit mjekësor në QKMF e në QMF janë kompetenca të komunave. Kjo sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, ku komunat menaxhojnë Kujdesin Parësor Shëndetësor edhe sa u përket politikave të punësimit”, kanë thënë ata.

Zyra për informim në këtë ministri ka thënë më tej se si ministri kanë ndihmuar komunat duke ua ndarë specializimet. “Ministria e Shëndetësisë i ka ndihmuar komunat duke u ndarë specializime për mjekësi familjare mjekëve të KPSH-së dhe duke ua financuar specializantëve shkollimin specialistik, që pastaj të punojnë në komunat përkatëse”, ka shtuar ajo./ZERI