Beteja e partive për postin e kryeministrit
Foto: Laura Hasani

Beteja e partive për postin e kryeministrit

Aktuale August 13, 2019 - 07:37
Detajet
Image

Ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme shumica e partive politike i kanë bërë të ditur emrat e zyrtarëve me të cilët e synojnë postin e kryeministrit të vendit. Ani pse përfaqësuesit e partive nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit me koalicione, ata kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga posti i shefit të Qeverisë së ardhshme, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse shpërndarja e Kuvendit të Kosovës është paraparë të mbahet më 22 gusht, partitë politike tashmë kanë filluar llogaritjet e tyre në rast se dalin fituese nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Teksa shumica e partive kanë bërë të ditur se mund të shkojnë në koalicione parazgjedhore, ato kanë thënë se assesi nuk pranojnë të bëjnë kompromis me postin e kryeministrit të vendit.

Përfaqësues të PDK-së, parti kjo e cila tashmë ka bërë të ditur se kandidati për kryeministër nga kjo parti është Kadri Veseli, kanë theksuar se në asnjë formë nuk do të bëjnë kompromis për këtë post.

Njësoj kanë deklaruar edhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila e synon postin e kryeministrit të ardhshëm me liderin e partisë Albin Kurtin.

Për dallim nga partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mos ketë një emër konkret për pozitën e lartpërmendur, mirëpo edhe përfaqësues të kësaj partie kanë theksuar se assesi nuk do të lëshojnë pe për pozitën e kreut të Qeverisë. Në anën tjetër, paritë më të vogla si Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate në rast të formimit të një koalicioni parazgjedhor kanë lënë hapur mundësinë për kompromis për pozitën e të parit të Qeverisë.

LDK-ja insiston në postin e kryeministrit

Ndonëse tashmë disa herë është përmendur mundësia për një koalicion parazgjedhor mes dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, asnjëherë nga këto dy parti nuk ka dhënë shenja se në rast të shkuarjes në zgjedhje ndonjëra nga to mund të bëjë kompromis për postin e kryeministrit. Përfaqësues të LDK-së tashmë disa herë kanë theksuar se assesi nuk mund të bëjnë kompromis me pozitën e kryeministrit, derisa ende nuk kanë vendosur se me cilin kandidat për këtë post do të dalin në zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për “Zërin” ka thënë që e vetmja mënyrë për të fituar mandatin për të udhëhequr me vendin është përmes zgjedhjeve të lira. “Nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të lira. Mandati për të udhëhequr me Kosovën duhet të merret nga qytetarët. Nuk mundet ky mandat të merret në forma të tjera”, ka theksuar ai.

LVV: Albin Kurti do të jetë kryeministër i Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, për “Zërin” ka thënë që partia e saj është e bindur që kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë Albin Kurti. Kjo sepse sipas saj Kosova ka nevojë për ndryshim substancial dhe Kurti është kandidati i duhur për këtë pozitë. “Ajo që ne kemi një kandidat potencial për kryeministër nuk është thjesht pa ndonjë arsye, ky është një parim, ne jemi nisur jo vetëm nga vlerat e z. Albin Kurtit dhe nevojës për ndryshim, ama ndryshim vërtet substancial në Kosovë, për një qeverisje të re me duar të pastra dhe pa ndonjë bagazh të keq. Në karrierën e z. Kurtit asnjëherë nuk ka pasur afera korruptive, kurrë nuk ka qenë i përfshirë në krim të organizuar ose në diçka të ngjashme dhe është një njeri që ka një të kaluar shumë të pastër, është një intelektual i vërtetë”, ka thënë Kollqaku.

Pavarësisht nëse Lëvizja Vetëvendosje mund të garojë e vetme në zgjedhje ose nëse do të arrijë ndonjë koalicion me LDK-në, Kollqaku është shprehur e bindur se lideri i kësaj partie Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. “Ne nuk jemi ata që bëjmë pazare, ne mund ta gjejmë ndonjë formulë e cila do ta qesë kryeministrin e ardhshëm, një person që vërtet e meriton dhe ndoshta që e prodhojnë edhe vetë zgjedhjet. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve do ta nxjerrë kryeministrin dhe nuk dyshoj se nuk do të jetë lideri më i votuar Albin Kurti, ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar ajo.

Partia në pushtet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për pozitën e kryeministrit ka nominuar edhe një herë kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn.

Deputeti i kësaj partie, Rasim Selmanaj, ka potencuar se aktualisht partia e tij vlerëson se duhet të shkojë e vetme në zgjedhje, mirëpo nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një koalicioni parazgjedhor. “Normalisht të gjitha partitë hyjnë në zgjedhje me qëllim që të fitojnë, të udhëheqin me vendin dhe potencialisht të marrin edhe pozitën e kryeministrit. Kandidati i AAK-së dihet është kryetari Ramush Haradinaj. Tash për tash në strukturat e AAK-së dominon qëndrimi dhe kërkesat që të shkojmë në zgjedhje si parti e vetme, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të kemi koalicione parazgjedhore me partitë e tjera politike”, ka thënë ai për “Zërin”.

PSD-ja e Nisma mund të bëjnë kompromis për postin e kryeministrit

Për dallim nga partitë e mëdha, dy partitë më të vogla për nga numri i deputetëve, Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Nisma Socialdemokrate, kanë lënë të hapur mundësinë për kompromis për karrigen e kreut të Qeverisë së ardhshme.

Deputeti i PSD-së Faton Topalli, teksa është pyetur për këtë çështje, për “Zërin” ka thënë që e rëndësishme për partinë e tij është platforma qeverisëse dhe jo pozitat. “Ne mund të kemi shumë emra për kryeministër, duke pasur parasysh që kemi shumë kuadro brenda partisë, por kjo çështje nuk është shtuar ende në Kryesi. Kjo sepse për ne nuk janë të rëndësishme pozitat, për ne është i rëndësishëm programi për të cilin merremi vesh gjatë qeverisjes së ardhshme lidhur me atë se çka do të bëjmë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka shtuar se PSD-ja do të përkujdeset që pikat e saj programore të zbatohen përmes mekanizmave që do të krijohen gjatë bisedimeve me partitë e tjera, me të cilat mund të lidhin koalicione parazgjedhore. “Postet ekzekutive janë poste politike, me rëndësi janë politikat e partive e nëse ne i përcaktojmë ato, atëherë nuk ka rëndësi kush i udhëheq ato, por ka rëndësi që të merremi vesh, t’i sigurojmë mekanizmat e nevojshëm që do ta detyrojnë Qeverinë cilado qoftë ajo për t’i zbatuar ato pika programore, për të cilat ne jemi marrë vesh”, ka nënvizuar ai./ZERI