Kandidatët potencialë për kryeministër
Foto: Laura Hasani

Kandidatët potencialë për kryeministër

Aktuale August 07, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Ani pse ende nuk dihet saktësisht se kur do të mbahen zgjedhjet e reja, disa prej partive tashmë kanë caktuar emrat e zyrtarëve, të cilët do të nominohen për pozitën e kryeministrit. Derisa nga PDK-ja kanë njoftuar se kryetari i partisë Kadri Veseli do të jetë kandidati që synon ta rrëmbejë këtë pozitë, përfaqësuesit e AAK-së kanë thënë se kreu i këtij subjekti Ramush Haradinaj do të emërohet si kandidat për kryeministër, shkruan sot Gazeta 'Zëri".

Por jo vetëm këto dy parti kanë vendosur që udhëheqësit e subjekteve t’i caktojnë si pretendues për pozitën e shefit të qeverisë së ardhshme.

Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës kanë thënë se lideri i LVV-së Albin Kurti do të jetë sërish i nominuari i partisë për pozitën në fjalë. Për dallim prej tyre, paqartësi në këtë drejtim vazhdon të ketë brenda LDK-së.

LEXO EDHE: Taksa, 100% ndryshuan qëndrimin PDK-ja dhe LDK-ja

Në këtë subjekt janë dy figura kyçe që po përfliten për pretendues të postit të kryeministrit. Disa brenda LDK-së po e mbështesin nënkryetarin Lutfi Haziri e disa të tjerë deputeten Vjosa Osmani. Për dallim prej tyre, zyrtarët e Nismës e kanë ndarë mendjen në këtë drejtim.

Kreu i partisë Fatmir Limaj sipas tyre do të jetë kandidat i pakontestueshëm për kryetar të qeverisë së re.

Por në momentin që organizohen zgjedhjet e reja disa prej këtyre kalkulimeve të partive mund të bien në ujë në rast se ato garojnë nëpërmjet koalicioneve, pasi partitë të cilat zgjedhin të bashkëpunojnë mes vete në koalicion duhet të bien në ujdi që ta përzgjedhin vetëm një kandidat për kryeministër.

LDK-ja, e ndarë rreth kandidatit për kryeministër

LDK-ja ende nuk ka vendosur zyrtarisht se kush do të jetë kandidati i këtij subjekti për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Por aktualisht në opinion po lakohen emrat e dy zyrtarëve të kësaj partie, e nënkryetarit Lutfi Haziri dhe e deputetes Vjosa Osmani.

Kjo e fundit tashmë ka marrë mbështetjen publike të disa zyrtarëve të partisë, të cilët konsiderojnë se vetëm me Osmanin LDK-ja mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Në mesin e atyre që mendojnë kësisoj është edhe anëtari i Këshillit Drejtues të LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili njëherësh është edhe deputet nga radhët e këtij subjekti.

“Unë e kam dhënë mendimin tim personal, por ky mendim është i bazuar edhe në mendimin e qindra mija aktivistëve gjithandej Kosovës, të cilët e shohin personalitetin e Vjosa Osmanit si një person që mund ta bëjë LDK-në fituese në këto zgjedhje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë deputetja tjetër e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka bërë të ditur tashmë se si kandidat për kryeministër nga LDK-ja e mbështet Lutfi Hazirin.

PDK-ja Veselin për kryeministër, LVV-ja Kurtin

PDK-ja është deklaruar tashmë se do të garojë e vetme në zgjedhje. Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është lider i PDK-së, ka lënë të nënkuptohet se Veseli do të jetë i nominuari për kryeministër nga ky subjekt.

“Thaçin e kemi provuar. Isa Mustafën po ashtu. Edhe Fatmirin, edhe Ramushin. Kurtit, për shkak të raportit të tij të dyshimtë me shtetin e Kosovës, është e rrezikshme t’i lihet në dorë posti më i rëndësishëm i shtetit, që është ai i kryeministrit. Mbetet vetëm Kadri Veseli për ta treguar veten si kryeministër”, ka theksuar ai.

Ndërkohë përfaqësuesit e LVV-së konsiderojnë se kandidati për kryeministër nga ky subjekt duhet të jetë i njëjti, siç kishte qenë herën e kaluar.

“Nuk kemi pse ta ndërrojmë, sepse Albin Kurti ka qenë dhe mbetet lideri më i votuar dhe më i mbështetur nga vota popullore”, ka deklaruar për gazetën deputeti i LVV-së Rexhep Selimi.

AAK-ja kërkon postin e kryeministrit për Haradinajn, PSD-ja përmend Ahmetin, Nisma Limajn

Edhe zyrtarë të AAK-së kanë thënë se nuk do ta lëshojnë pozitën e kryeministrit, edhe në rast të ndonjë koalicioni të mundshëm parazgjedhor. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas tyre, është ai i cili edhe në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për pozitën e shefit të qeverisë dhe do të dalë triumfues.

“Duke e llogaritur angazhimin e kryeministrit Haradinaj dhe vendimet që ai i ka marrë, është i pakontestueshëm një personalitet i tillë”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi, teksa është shprehur i vendosur se AAK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkaq deputeti i PSD-së Salih Salihu ka thënë se nëse PSD-ja hyn e vetme në zgjedhje duhet ta propozojë kryetarin e partisë Shpend Ahmetin si të nominuar për kryeministër.

“Natyrisht, nëse duhet të jetë, duhet të jetë Shpend Ahmeti. Kjo është më se e qartë, por tash për tash Ahmeti është kryetar i Komunës së Prishtinës dhe mbetet që ai të vendosë se si duhet të veprojë tutje”, është shprehur ai.

Edhe deputetja e Nismës, Albulena Balaj, ka bërë të ditur se kreu i këtij subjekti Fatmir Limaj do të jetë i nominuari i partisë për kryeministër.