Taksa, 100% ndryshuan qëndrimin PDK-ja dhe LDK-ja
Foto: Laura Hasani

Taksa, 100% ndryshuan qëndrimin PDK-ja dhe LDK-ja

Aktuale August 07, 2019 - 07:53
Lexoni detajet
Image

Në prag të fushatës zgjedhore disa subjekte politike, të cilat kërkonin pezullimin e taksës ndaj Serbisë si kusht për të vazhduar dialogu, tashmë po kërkojnë mbajtjen në fuqi të saj. PDK-ja dhe LDK-ja për pak muaj kanë ndryshuar qëndrimin 100 për qind ndaj kësaj çështjeje, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Të gjitha partitë e mëdha politike pritet ta shfrytëzojnë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe për të fituar poenë politikë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, ndonëse disa prej këtyre partive muaj më parë vazhdimisht kërkonin pezullimin e saj, me arsyetimin se po ua sugjerojnë partnerët ndërkombëtarë për zhbllokimin e dialogut me Serbinë.

Taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake është vendosur nga kryeministri Ramush Haradinaj më 21 nëntor 2018, pasi ishte propozuar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Pasi presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës filloi të rritej, Hoxhaj disa herë kishte deklaruar në medie se taksa duhet të pezullohet, por çuditërisht një natë më parë ai për medie ka theksuar se duhet të mbetet në fuqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kreu i saj Isa Mustafa, po kërkon që taksa të mbetet në fuqi, ndonëse me rastin e vendosjes së saj kishte deklaruar se ajo është vendosur më shumë për konsum të brendshëm politik.

PDK-ja e LDK-ja lëkunden për taksën

Kur vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre rreth taksës 100 ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës.

Derisa disa herë radhazi përfaqësuesit e PDK-së kishin kërkuar pezullimin e saj për një periudhë të caktuar kohore, ata së fundmi po deklarohen pro mbajtjes në fuqi të taksës.

Disa muaj pasi ishte vendosur taksa zëvendëskryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, kishe kërkuar pezullimin e taksës, meqë taksa e ka arritur efektin e vet.

“Taksa e ka mbërritur efektin e saj, meqë ajo e ka goditur ekonominë e Serbisë. Kur ne po flasim dëmi i ekonomisë serbe është mbi 150 milionë euro. Qëndrimi ynë është që taksa të pezullohet për një kohë për 120 ditë dhe kjo ta jep mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale. Nëse kjo nuk ndodh atëherë taksa do të duhej të rikthehet”, kishte thënë Hoxhaj në mars të këtij viti.

Mirëpo menjëherë pas caktimit të datës së shpërndarjes së Kuvendit Hoxhaj ka deklaruar se taksa duhet të mbetet në fuqi.

“Një kohë ne e kemi mbajtur një qëndrim dhe unë nuk dua t’i ik pyetjes, por qëndrimi ynë aktualisht është që taksa duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë Hoxhaj në një debat televiziv.

Edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa asnjëherë nuk u deklarua pro taksës. Ai madje disa herë në medie kishte thënë se taksa kundër Serbisë është bërë më shumë për konsum të brendshëm sesa për të arritur efekte.

Me këtë rast ai disa herë ka bërë thirrje të dëgjohen këshillat e amerikanëve, të cilët e kërkonin heqjen e taksës. Mirëpo së fundmi Mustafa ka ndërruar qëndrimet e tij, pasi ka deklaruar se është pro mbetjes së taksës në fuqi.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa të mos reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po ia bën Kosovës”, ka thënë Mustafa.

LVV: Taksa duhet të mbetet, PDK-ja s’e ka seriozisht me taksën

Në anën tjetër, partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është deklaruar se e mbështet taksën ndaj mallrave serbe.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi, ka ritheksuar për “Zërin” se e mbështesin reciprocitetin politik e ekonomik të Kosovës ndaj Serbisë, teksa ka fajësuar PDK-në për ndërrim të qëndrimeve sa i përket taksës.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është konsistent. Ne e kemi përkrahur taksën si diçka në drejtim të reciprocitetit në raport me Serbinë. LVV-ja në raport me Serbinë ka qëndrim të qartë se Kosova duhet të mbajë raporte reciprociteti në aspektin politiko-ekonomik dhe tregtar. Në kuadër të këtij reciprociteti mund të ketë edhe masa të tjera tarifore, pra ne kemi thënë që nuk është gjithçka, por është diçka që ne e mbështesim”, ka thënë Selimi.

Ndërsa teksa foli për PDK-në, Selimi tha se kjo parti asnjëherë nuk është parimore kur bëhen fjalë për Serbinë. Rrjedhimisht, sipas tij, mbështetja që PDK-ja po i jep taksës aktualisht është false.

Edhe AKR-ja ndërron qëndrimin për taksën

Në prag të zgjedhjeve edhe partia Aleanca Kosova e Re ka ndërruar qëndrimet e veta sa i përket taksës 100 për qind. Derisa kreu i kësaj partie Behxhet Pacolli kishte deklaruar disa herë se taksa duhet të pezullohet, përfaqësues të kësaj partie thonë se derisa nuk ka presion, taksa duhet të mbetet.

Këtë për “Zërin” e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, i cili ka thënë se partia e tij e mbështet taksën.

“Parimisht ne kemi qenë për taksën dhe jemi, por në qoftë se bashkimi i forcave ndërkombëtare, i atyre pra që na kanë sjellë pavarësinë, nëse ata insistojnë në heqjen e taksës ne duhet t’i marrim parasysh qëndrimet e tyre”, ka thënë Makolli.

Ai ka deklaruar se partia e tij e përkrah taksën deri në momentin që nuk ekziston presioni nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e kësaj tarife.

“Çdo veprim që shkon në dobi të Kosovës ne e përkrahim. E kemi përkrahur taksën, mirëpo e përkrahim edhe ditëve në vijim, deri në situatën kur duhet të kundërvihemi me SHBA-në dhe me shtetet e tjera mike të Kosovës, sepse këtë nuk guxojmë ta bëjmë si Kosovë”, ka shtuar ai.

Nisma nuk zmbrapset, e mbështet taksën

Kurse partia në pushtet Nisma Socialdemokrate është deklaruar pro mbajtjes së taksës në fuqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi, për “Zërin” ka thënë se në rast se Serbia nuk reflekton qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet duhet të marrë edhe kundërmasa të tjera ndaj Serbisë.

“Taksa dhe dialogu janë dy çështje të ndara. Tarifa u është vënë produkteve të Serbisë për arsye të luftës diplomatike që Serbia e zhvillon pandërprerë kundër shtetit të Kosovës. Kur ajo ta ndërpresë luftën kundër shtetit të Kosovës mund të flasim për pezullim të përkohshëm, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë jo vetëm që nuk duhet të hiqet tarifa 100%, por qeveria e re e cila do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme duhet të marrë vendim për reciprocitet të plotë me Serbinë”, ka thënë ai.

Po ashtu Sherifi ka nënvizuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte dhe me qëllim të qartë se marrëveshja mes dy vendeve si epilog do ta ketë njohjen reciproke.

Taksa, kartë e partive për fushatë elektorale

Njohësi i rrethanave politike Rasim Alija për “Zërin” ka thënë se ndonëse fushata e partive tashmë ka filluar, temat kryesore do të jenë taksa, dialogu me Serbinë dhe mbrojta e kufijve.

Pikërisht këto tema, sipas Alijës do t’u shërbejnë partive politike për të manipuluar me elektoratin, në mungesë të një planprogrami qeverisës.

“Fushata zgjedhore tashmë ka filluar. Temat si taksa, dialogu me Serbinë e mbrojtja e kufijve do të jenë kartat kryesore të subjekteve politike për të luajtur me patriotizmin e me nacionalizimin. Është e gërditshme që 20 vjet pas luftës e 10 vjet pas pavarësisë të jenë prapë këto tema pjesë të fushatave të subjekteve politike. Në fakt mbetet e vetmja mënyrë për të manipuluar elektoratin në mungesë të programeve qeverisëse”, ka thënë Alija.

Sipas tij, ekziston rreziku që përpos ndërrimit të qëndrimeve, disa parti mund ta heqin taksën me të ardhur në pushtet.

“Jo vetëm se do t’i ndërrojnë qëndrimet, por ka mundësi që disa subjekte politike në rast se sërish do të qeverisnin, veprimin e parë që do ta bënin do të ishte heqja e taksës. Këtë do ta arsyetonin me presionin ndërkombëtar që u bëhet për ta rinisur dialogun me Serbinë. E në fakt u hoq ose nuk u hoq taksa, dialogu me Serbinë ka pak gjasa të rinisë para vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.