Hoxhaj godet Hotin dhe Ahmetin: Kurrë s’i ofruat asgjë qytetarëve, përveç fjalëve kundër PDK-së

Hoxhaj godet Hotin dhe Ahmetin: Kurrë s’i ofruat asgjë qytetarëve, përveç fjalëve kundër PDK-së

Aktuale July 25, 2019 - 18:54
Detajet

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i ka reaguar shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, e kreut të PSD-së, Shpend Ahmetit që deklaruan se kanë vija të kuqe vetëm për Partinë Demokratike të Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social, Hoxhaj ka thënë se ka 20 vite që këta persona, grup i partive janë përpjekur që të ndërtojnë profilin e tyre politikë duke u thirrur si anti PDK, e duke mos iu ofruar asgjë qytetarëve të Kosovës.

Nënkryetari i partisë Demokratike të Kosovës po thotë se sa herë që flitet për zgjedhje të mundshme, këta persona tkurren duke dhënë deklarata për PDK-në, por pa i përmendur kurrë qytetarët dhe platformën politike për ta.

“Ky është mashtrimi 20 vjeçar. Dhe për ironi, ky soji i politikanëve kinse anti PDK dhe që thirren në vija të kuqe, janë të parët që përfundojnë në gjirin e PDK-së dhe në pushtet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Përvoja jonë politike dhe vizioni për Kosovën, të cilin qytetarët i’a kanë besuar PDK-së me vite të tëra, na ka mësuar se vijat e kuqe i vendosin vetëm qytetarët. PDK është e para”, ka shkruar Hoxhaj.

Ishte Avdullah Hoti i LDK-së, e Shpend Ahmeti që thanë se partitë e tyre kanë vija të kuqe vetëm për Partinë Demokratike të Kosovës.