Partitë parlamentare kërkojnë datën e zgjedhjeve, Thaçit s’i ngutet
Foto: Laura Hasani

Partitë parlamentare kërkojnë datën e zgjedhjeve, Thaçit s’i ngutet

Aktuale July 24, 2019 - 07:57
Lexoni detajet
Image

Është bërë gati një javë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, por presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka thirrur në takim partitë politike ose koalicionin qeverisës për të diskutuar rreth mandatimit të një kandidati të ri për kryeministër, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Këtë i pari i shtetit obligohet ta bëjë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndonëse ekziston një opsion i tillë, që të formohet Qeveria pa shkuar në zgjedhje, të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe ato të koalicionit qeverisës, po kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

LEXO EDHE: Qëndrimi i ndërkombëtarëve pas dorëheqjes së kryeministrit

Por meqë presidenti ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim, opozita ka paralajmëruar seancë të jashtëzakonshme për vetëshpërbërje të Kuvendit, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Një gjë e tillë, siç kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, do të ndodhë gjatë javës së ardhshme, në rast se gjatë kësaj jave nuk ka ndonjë veprim konkret nga kreu i shtetit.

Gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje në Zyrën e presidentit lidhur me zhvillimet e fundit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje se kur do të nisin konsultimet me partitë politike.

PDK-ja thotë se pret caktimin e datës së zgjedhjeve

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk ka ndonjë afat të caktuar se deri kur mund të ndodhë shpërndarja e Kuvendit.

Në të kaluarën, sipas tij, në rastet kur shefi i ekzekutivit ka dhënë dorëheqje kryeministri i ri është zgjedhur menjëherë, pa u kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe pa pasur tensione politike.

Por tani sipas tij ka një situatë pak më ndryshe.

“Tani kemi një situatë tjetër, nga opozita në vazhdimësi janë kërkuar zgjedhje të reja, por s’kanë pasur mundësi që ta rrëzojnë Qeverinë, tani Qeveria është vetërrëzuar. Në anën kushtetuese e dimë që presidenti ka të drejtë ta mandatojë një kandidat të ri për kryeministër. A ekziston ky vullnet politik ose nuk ekziston është çështje e partive politike, të cilat do të deklarohen në takim me presidentin e vendit”, ka theksuar Haliti.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ky subjekt pret që të caktohet sa më parë një datë për zgjedhjet e reja.

“PDK-ja është plotësisht e gatshme për procesin zgjedhor dhe pret caktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve, pas shpërndarjes së Kuvendit, në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

PDK-ja, siç ka thënë Krasniqi, tashmë është koncentruar te çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e parakohshme.

“Tani në fokusin tonë është oferta e PDK-së për qytetarët, duke përfshirë listën e kandidatëve për deputetë, që do të prezantojmë dhe programin politik për Qeverinë e ardhshme”, ka theksuar ai.

AAK: Nuk kemi pasur takim me presidentin

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka pohuar se si koalicion qeverisës nuk kanë pasur takim me presidentin për t’u konsultuar për hapat e radhës, pas dorëheqjes së kryeministrit.

“Nuk kemi pasur takim me presidentin e Kosovës. Sa i përket gjendjes së tanishme, të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe koalicionin, pothuajse njëzëri janë që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Mirëpo është në duar të presidentit që ai të vendosë për datën e zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm të komunikojmë me presidentin dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Teksa ka folur rreth paralajmërimit të LVV-së për seancë të jashtëzakonshme për ta shpërndarë Kuvendin, Lekaj ka thënë se pa një marrëveshje mes koalicionit dhe opozitës çdo veprim mund të jetë i ngutshëm.

Megjithëkëtë, ka thënë se AAK-ja e përkrah çfarëdo hapi që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditëve.

Edhe zyrtarët e Nismës Socialdemokrate ditëve të fundit kanë kërkuar që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita: S’do të lejojmë manipulim të presidentit me shtyrjen e zgjedhjeve

Kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm mbledhja ku caktohet data e zgjedhjeve të reja ka kuptim në Kosovë.

Ndaj nëse presidenti nuk i shpall zgjedhjet gjatë kësaj jave, siç ka njoftuar ai, LVV-ja bashkë me LDK-në do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit.

“Nëse ne identifikojmë që presidenti po manipulon, po e keqpërdor pozitën e vet dhe po e loz skenarin e PDK-së, LVV-ja javën e ardhshme, bashkë me LDK-në, së cilës do t’i drejtohemi, do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për vetëshpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’ia pamundësuar presidentit çfarëdo manipulimi me shtyrjen e datës së zgjedhjeve”, ka potencuar ai.

Në këtë drejtim Konjufca ka thënë se LVV-ja bën thirrje për datë sa më të shpejtë të zgjedhjeve. Deri atëherë, siç ai është shprehur, ky subjekt nuk merr pjesë në asnjë mbledhje me presidentin për mandatar të ri të Qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kreu i shtetit duhet të nisë konsultimet me partitë politike dhe ta caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Obligimeve kushtetuese nuk mund t’u ikë askush, as nuk mund t’u bëjë lak. Procedurat që duhet të ndiqen për të shpallur zgjedhjet janë të qarta. Presidenti duhet detyrimisht ta kryejë obligimin kushtetues për të konsultuar partitë politike për ditën e zgjedhjeve dhe t’i shpallë ato sa më parë”, ka deklaruar ai.

I pyetur nga gazeta “Zëri” lidhur me paralajmërimin e LVV-së rreth thirrjes së një seance të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit, Hoti, duke mos e komentuar, ka thënë se Kuvendi mund të mblidhet për ta shkarkuar presidentin, në rast se ky i fundit nuk i përfill hapat që i cakton Kushtetuta.

“Nëse nuk përfillen procedurat sipas Kushtetutës, atëherë presidenti e shkel Kushtetutën.

Nëse presidenti e shkel Kushtetutën, duke mos vepruar siç parashihet në të për t’i shpallur zgjedhjet, atëherë Kuvendi mund të mblidhet për ta shkarkuar presidentin”, ka theksuar Hoti.

Ndërkohë, zgjedhje të reja dhe shpërndarje të Kuvendit tashmë kanë kërkuar edhe zyrtarët e Partisë Socialdemokrate.