Koalicioni, pa konsensus për kryeministër të ri nga PAN-i

Koalicioni, pa konsensus për kryeministër të ri nga PAN-i

Aktuale July 22, 2019 - 23:29
Detajet

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës pothuajse të gjitha partitë politike, si nga koalicioni qeverisës, edhe ato të opozitës, kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Për shkak të mungesës së konsensusit për një kandidat të ri të përbashkët nga ana e PAN-it, njohësit e çështjeve politike theksojnë se vendi mund të përballet me zgjedhje në shtator të këtij viti, shkruan sot gazeta Zëri.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj koalicioni PAN mund të shfrytëzojë mundësinë e tij për të kërkuar nga presidenti i vendit që të vazhdohet qeverisja, por me një kryeministër të ri. Mirëpo një gjë e tillë nuk po duket e pritshme për shkak të mungesës së konsensusit brenda PAN-it. Ditën e dorëheqjes kryeministri Haradinaj është shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, njësoj kanë reaguar edhe nga partia e tij.

Deputeti Rasim Selmanaj, duke mos pohuar se ka pasur përpjekje që të arrihet unitet për një kryeministër të ri, theksoi se në rrethanat aktuale zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Në fakt, ideja për një kryeministër të ri mund të ekzistojë, por nga gjendja faktike, tash pas dorëheqjes së kryeministrit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe populli të vendoset për qeverinë e ardhshme. Aktualisht nuk ka pasur përpjekje për të arritur një konsensus për kryeministër ose për qeveri të re, në këto rrethana nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të lira”, ka thënë Selamanaj për gazetën “Zëri”.

Gjithashtu edhe Nisma Socialdemokrate është shprehur e gatshme për shkuarje në zgjedhje pas vendimit të Haradinajt. Mirëpo për Partinë Demokratike të Kosovës aktualisht është e rëndësishme ajo që do të vendosë presidenti Thaçi në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.

“Presidenti e ka në dorë situatën në bazë të Kushtetutës se cilin variant do ta zgjedhë pas dorëheqjes së kryeministrit. Unë mendoj se ai e ka në dorë që t’ia japë prapë mandatin një përfaqësuesi të koalicionit në qoftë se koalicioni kërkon që të vazhdohet qeverisja. Presidenti ka të drejtë ta emërojë edhe një kandidaturë të dytë. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë presidenti e ka në dorë që t'i thërrasë partitë politike, të konsultohet me ta dhe në përputhje me konstatimet që ka ai mund ta marrë vendimin edhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, ka shtuar Haliti./ZERI