Ftesa të reja nga Specialja

Ftesa të reja nga Specialja

Aktuale July 22, 2019 - 23:00
Detajet

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se as zyrtarët tjerë të lartë në vend nuk duhet të befasohen nëse marrin ftesë nga Gjykata Speciale. Ai ka thënë se këtë gjykatë Kosova e ka dhuratë nga deputetët e vendit, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi së fundmi kanë marrë ftesë nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, ku do të paraqiten javën e ardhshme. Pos tyre, nga kjo gjykatë mund të ketë ftesa edhe për zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, ndonëse disa ftesa të reja për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ardhur gjatë këtyre ditëve, por të cilat ende po mbahen fshehtë.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se as zyrtarët tjerë të lartë në vend nuk duhet të befasohen nëse marrin ftesë nga Gjykata Speciale. Ai ka thënë se këtë gjykatë Kosova e ka dhuratë nga deputetët e Kosovës.

“Duke pasur parasysh ‘nderin’ e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të legjislacionit të vitit 2015, që më 3 gusht e kanë votuar Gjykatën Speciale, mendoj se nuk do të duhej që askush të befasohej, pa marrë parasysh çfarë funksioni kryen në Kosovë, nëse merr ftesë nga Gjykata Speciale. Është një e keqe që deputetët ia kanë bërë vetë shtetit të tyre”, ka thënë ai

Sipas tij, situata është e rëndë, sepse në 15 vjetët e ardhshëm kushdo që mban çfarëdolloj posti politik ose shtetëror nuk do të jetë i sigurt se nuk do të ftohet nga Gjykata Speciale.

“Është dashur mirë të mendohet kur është nxjerrë Ligji për Gjykatën Speciale nga deputetët e Kosovës, sepse këtu do të ketë hetime dhe akuza për ish-ushtarët e UÇK-së. Gjyqtarët dhe prokurorët në Hagë duhet të arsyetojnë edhe punën e tyre. Unë nuk po shoh që dikush duhet të jetë i befasuar, sidomos në rastin e Ramush Haradinajt. Ai nuk është ftuar për veprat penale për të cilat është liruar dy herë, sepse në bazë të Ligjit për Gjykatën Speciale askush nuk mund të ftohet dy herë për vepra penale për të cilat është liruar”, ka theksuar ai.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se nga vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale do të pësojnë ata që kanë sjellë lirinë në vend. Ai ka thënë se për secilin luftëtar të UÇK-së, pavarësisht nivelit dhe detyrave në luftë, thirrja si i dyshuar për krime lufte është e padrejtë.

“Themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së ishte një gabim i madh i Qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015. Në këtë gjykatë për të dëshmuar si të dyshuar u ftuan shumë luftëtarë, ushtarë e komandantë të nivelit të lartë në hierarkinë e UÇK-së. Së fundmi, rreshtit të shumë të ftuarve për t'u intervistuar iu shtuan edhe tre udhëheqës të UÇK-së, si komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit - kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bislim Zyrapi, si dhe zëdhënësi dhe zëvendëskomandanti i SHP-së së UÇK-së, Jakup Krasniqi”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”.

Pos ftesës që i është drejtuar kryeministrit Haradinaj nga Gjykata Speciale, kjo gjykatë ka dërguar së fundmi edhe ftesa të reja për ish-ushtarë të UÇK-së. Derisa nuk ka dashur të japë më shumë informata, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Recaj, ka thënë për “Zërin” se së fundmi është në mbrojtje edhe të një klienti të ri, i cili ka marrë ftesë nga Specialja.

Recaj ka thënë se deri tani procedurat janë vetëm në fazën e hetimeve dhe nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

“Është vlerësim i prokurorëve të Dhomave të Specializuara se ndaj kujt kanë filluar hetime. Ne ende jemi në fazën e hetimeve, që do të thotë se hetimi nuk nënkupton që domosdoshmërisht do të ngrihen edhe aktakuza kundër personave të caktuar.

Qëllimi i hetimit është grumbullimi i provave, i informacioneve në lidhje me veprat dhe me dyshimet që janë ngritur. Ende procedura është në fazën e hetimeve”, ka thënë ai dhe është shprehur optimist se ndaj një numri të madh të personave që kanë marrë ftesë nga Specialja nuk do të ngrihen aktakuza

. “Pas përfundimit të hetimit prokurori vlerëson se a ka grumbulluar prova për ngritjen e aktakuzave. Jam shumë i sigurt se për një pjesë shumë të madhe të personave që janë thirrur si të dyshuar nuk do të ngrihen aktakuzat”, ka thënë ai./ZERI