Haradinaj: Nëntë vite më parë, GJND-ja konfirmoi themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Nëntë vite më parë, GJND-ja konfirmoi themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës

Aktuale July 22, 2019 - 10:42
Lexo Detajet

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legjitimoi pavarësinë e Kosovës.

Para nëntë viteve, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës.Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka kujtuar këtë ditë duke thënë se është një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se nëntë vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

“Për koincidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor”, ka shkruar Haradinaj ndër të tjera.

Postimi i plotë i Haradinajt::

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.

Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor.

Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike.