Haradinaj i kundërpërgjigjet Kurtit: Gëzimi yt nuk do të përcjellë gjatë

Haradinaj i kundërpërgjigjet Kurtit: Gëzimi yt nuk do të përcjellë gjatë

Aktuale July 20, 2019 - 11:58
Lexo tjera detaje

Këshilltarja e ish-kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, pasi ky i fundit e ka komentuar dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit pas ftesës nga Gjykata Speciale.

Albin Kurti e ka cilësuar dorëheqjen e Haradinajt si të vonuar, por me arsye të gabuar.

Ndërsa  Meliza Haradinaj duke iu referuar Albin Kurtit, ka thënë se i është gëzuar gjallërisë së tij politike, njësoj sikur Kurti i është gëzuar fatkeqësisë së Ramush Haradinajt.

“Mirë që u bërë i gjallë dje, pas përpjekjeve të dështuara në rrugët e qorrsokakut që zgjodhe për të gjetur kauzë politike. Iu gëzuam edhe ne gjallërisë tënde politike, mu ashtu siç iu gëzove edhe ti fatkeqësisë së Kosovës, AAK-së, dhe Ramushit dje”.

“Humbe mundësinë të ndihmosh Kosovën Albin, në momentin kur vendose ta lësh Kryeministrin Haradinaj të luftojë i vetëm, kundër ndarjes së Kosovës, kundër dorëzimit të sovranitetit të saj Serbisë, kundër përmbysjes së sakrificës sonë shekullore, kundër luftës e tragjedisë së re. Për mua, për ty, për ne, për fëmijët e mi e tuaj (edhe pse ti nuk i rritë këtu), për të ardhmen e përbashkët në Kosovë”.

“Gëzoheshe Albin, sa herë kryeministri Haradinaj merrte goditje prapa shpinës, sepse ti e kishe të pamundur mbijetesën politike përballë një kolosi, një gjenerali, një kryeministri zot dalës e të pamposhtur. Kështu do të jetë gjithmonë, i dashur Albin. Këpucët e Ramushit gjithmonë do të të bijnë të mëdha”.

“Gëzimi yt nuk do të përcjellë gjatë, sepse Kosova do t’i mbijetojë goditjeve të ulëta. E për Ramushin, Albin, ti e din që ky nuk është fundi”.