Pas vendimit të KSHC-së për tërheqjen e akreditimeve të universiteteve, reagon ambasadori O’Connell
Foto: Laura Hasani

Pas vendimit të KSHC-së për tërheqjen e akreditimeve të universiteteve, reagon ambasadori O’Connell

Aktuale July 19, 2019 - 14:50
Lexo tjera detaje

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për tërheqjen e akreditimit të Universiteti Publik të Mitrovicës, Universiteti të Pejës dhe Universiteti të Prizrenit, raporton zeri.info.

Me këtë rast, O’Connell ka thënë se ky vendim i KSHC-së ka qenë i vështirë, porse sipas tij universitetet duhet t’i plotësojnë disa kritere nëse duan që vendet tjera evropiane t’i njohin diplomat e tyre.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë reagimin e ambasadorit britanik

Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre. Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit.

Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t'u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t'i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private.