Përplasjet mes Haradinajt e Veselit do të rezultojnë me zgjedhje

Përplasjet mes Haradinajt e Veselit do të rezultojnë me zgjedhje

Aktuale July 19, 2019 - 13:55
Lexoni detajet

Partnerët e koalicionit qeverisës po vazhdojnë goditjet ndaj njëri-tjetrit ende pa e përfunduar gjysmën e mandatit. Ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se është pro idesë që taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës të pezullohet, nëse do të ishte e nevojshme që t’i hapte rrugë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përpos kësaj, Veseli e ka akuzuar partnerin e koalicionit, kryeministrin Ramush Haradinaj, se komunikimi i tij me Amerikën nuk po dallon me komunikimin që ka me Serbinë, shkruan Gazeta 'Zëri'. 

Deklaratave të Veselit u është kundërpërgjigjur Haradinaj, duke u shprehur se përveç vendosjes së taksës ai kishte guxuar t’u thotë “Jo” të gjithë atyre që kishin bërë plane për ndarjen e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, ka thënë për gazetën “Zëri” se që nga marrja e mandatit raportet mes partnerëve të koalicionit kanë qenë të ngrira dhe se sipas tij nga ana e PDK-së Haradinaj është menduar si njeri i menaxhueshëm, por që nuk u ka dalë i tillë dhe si duket kjo po paraqet problem, i cili mund të rezultojë në zgjedhje të parakohshme.

“Disa herë koalicioni ka qenë në prag të rrëzimit nga vetë partnerët në qeverisje. Me gjasë kryeministri i vendit është menduar si njeri i menaxhueshëm nga PDK-ja, por nuk ka dalë të jetë i tillë. Qëndrimet e kryeministrit për korrigjimin e kufijve, qëndrimet e tij për taksën, për autostradën e Dukagjinit, për listat e veteranëve e për raportet e tij me presidentin e vendit janë vetëm disa nga veprimet të cilat kanë dhënë presion në PDK-në e Veselit. E të gjitha këto duket që produkt final do t’i kenë zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Alija për 'Zërin".

Mirëpo ai thekson se dilema ende qëndron se si do të rrëzohet Qeveria dhe si do të duket ajo e ardhshmja.

“Shumë më e rëndësishme do të jetë mënyra se si do të rrëzohet Qeveria dhe pamja e Qeverisë së ardhshme. Kjo e fundit është lehtë e arritshme, por duhet marrëveshje për qeverisjen e ardhshme. Opsionet janë me shumë të panjohura, por një pjesë e mirë e të panjohurave do të hiqet pas përfundimit të zgjedhjeve në LDK. Kryetari/ja e re e LDK-së dhe përbërja e re e Kryesisë do të jenë në masë të madhe edhe përcaktues për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme”, ka shtuar ai. /ZERI