Haziri: Nuk ka emra për të parin e LDK-së

Haziri: Nuk ka emra për të parin e LDK-së

Aktuale July 18, 2019 - 17:29
Detajet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, me ç’rast e ka caktuar edhe datën se kur do të mbahen zgjedhjet për të parin e partisë. Më 3 gusht 2019, në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, delegatët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mirëpo deri atëherë ky subjekt politik po pretendon se nuk kanë të drejtë t’i përmendin emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkohë, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Lidhja Demokratike do ta rrezikojë seriozisht reputacionin e saj nëse nuk do të lejojë garë me më shumë se një kandidat. Kësisoj ata theksojnë se kryetari aktual Isa Mustafa duhet të tërhiqet nga gara.

Por kryetari Mustafa nuk e ka mohuar kandidaturën e tij edhe për një mandat tjetër, ndonëse edhe deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se LDK-ja nuk do të rritet më shumë me Isa Mustafën në krye.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie. Në një prononcim për “Zërin” ai ka theksuar se derisa të përfundojnë zgjedhjet në të gjitha degët dhe derisa të konfirmohet lista e delegatëve të zgjedhur të LDK-së nuk do të shpallen kandidaturat. Madje ai nuk ka dashur të shprehet nëse synon të marrë pozitën e kreut të partisë.

“Nuk ka emra, nuk ka kandidatura derisa nuk mbyllet procesi zgjedhor në degë e në nëndegë dhe derisa nuk konfirmohet lista e delegatëve të zgjedhur të LDK-së, as emri im dhe asnjë emër tjetër, deri atëherë Isa Mustafa është kryetari i vetëm i LDK-së”, ka deklaruar Haziri.

Pos Hazirit, edhe emri i nënkryetarit Agim Veliu është lakuar në opinion për kandidat të mundshëm për kryetar të LDK-së, mirëpo për gazetën “Zëri” Veliu nuk e ka pohuar, as mohuar një gjë të tillë. Sikurse Haziri, edhe Veliu është shprehur se cilët do të jenë kandidatët do të mësohet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së./ZERI