Publikohen synimet pesëvjeçare të shefes së re të Komisionit Evropian, Kosova dhe Serbia s‘figurojnë askund

Publikohen synimet pesëvjeçare të shefes së re të Komisionit Evropian, Kosova dhe Serbia s‘figurojnë askund

Aktuale July 18, 2019 - 13:05
Detajet

Ursula van der Leyen të martën ka marrë shumicën e votave nga Parlamenti Evropian për t’u emëruar në postin e shefes së re të Komisionit Evropian, pozitë kjo që në të kaluarën e mbante Jean-Claude Juncker.

Bashkëpartiakja dhe ish-ministrja e kancelares Angela Merkel me të marrë postin e ri do të përballet me probleme të mëdha të brendshme që ka BE-ja, sidomos me Britaninë e Madhe.

Megjithatë në udhërrëfyesin e saj të politikës së Komisionit Evropian për pesë vitet e ardhshme, Ursula va nder Leyen nuk e ka përmendu fare problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në dokumentin zyrtar të publikuar në faqen e Komisionit Evropian, Van Der Leyen e përmend vetëm Ballkanin Perëndimor si tërësi, dhe Shqipërinë e Maqedoninë si pretendente për të çelur negociatat për anëtarësim, por në asnjë rast nuk specifikohet ndonjë detaj për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 “Unë dua të riafirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe e shoh një rol të rëndësishëm në procesin e  vazhdueshëm të reformave në të gjithë rajonin. Ne ndajmë të njëjtin kontinent, kemi të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe të njëjtat sfida. Në do të ndërtojmë të ardhmen së bashku. Unë mbështes dhe qëndroj prapa propozimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Procesi i pranimit ofron një mundësi unike për të promovuar interesin dhe vlerat tona thelbësore”, thuhet në planin pesë vjeçar të  Leyen.

Ajo thotë se Evropa do të jetë një zë më i fuqishëm në botë, duke u zotuar se do të punojë ngusht me Përfaqësuesit e Lartë dhe Zëvendës Presidentët.

“ Do të punojë ngushtë me Përfaqësuesit e Lartë dhe Zv.President për të siguruar një koordinim të plotë për të gjitha veprimet tona të jashtme, për ta zhvilluar dhe ndihmuar politikën tonë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Dialogun dhe problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Leyen nuk i ka përmendur fare as në fjalimin e saj të mbajtur para Komisionit Evropian, menjëherë pas zgjedhjes në postin e presidentes.

Megjithatë krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, emërimin e Ursula van der Leyen në postin e ri të presidentes së Komisionit Evropian po e shohin si zhvillim pozitiv.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka uruar gjermanen me t’u zgjedhur në postin e ri, me shpresën që ajo do ta kthejë Kosovën në dinamikën integruese të Bashkimit Evropian.

“Mirëpres votimin e znj. Ursula von der Leyen, Ministres aktuale të Mbrojtjes së Gjermanisë, për pozitën e Presidentes së Komisionit Evropian. 
Kam besim të plotë që Komisioni Evropian nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane. 
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj se Komisioni Evropian do të intensifikojë përpjekjet si pjesë të politikës së zgjerimit. Jemi të bindur që zonja Ursula von der Leyen do t’i qëndrojë besnike qëndrimit, për një Evropë unike dhe të fuqishme.
Republika e Kosovës, me gjithë specifikat dhe sfidat e saj, është e përkushtuar që të jetë kontribuese modeste dhe vlerë e shtuar përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian”, kishte shkruar Haradinaj./GazetaExpress/

Image